Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Enrieta Sina

842
Sigal

Si lakuriqi i natës

Njerëzit që ecin nën hije, verbohen nga e vërteta,

Janë të heshtur në mjegullnajën e tyre dhe kënaqen po ashtu,

Duke fluturuar si lakuriqët e natës verbuar nga dielli.

Miopia e jetës përplaset për të kërkuar errësirën.

Aty kanë mbretërinë e tyre edhe pse e pa lakmuar nga të tjerë.

Ata ndjejnë vetveten brenda kufijve të saj murengritur.

I kam takuar këta njerëz lakuriq nate, edhe pse anonimë,

Mbuluar nën një petkë të arnuar nga ëndrrat e vrara,

Në rrugë të baltosura gjurmë nuk lënë, vetëm hije.

Mes erës, reve dhe shiut ngrenë trajektore trishtimi,

Përplasur krahët në një fluturim me zë çjerrë,

Si kukuvajka qëndrojnë aty ku mbin nata.

Mos u hidhni vështrimin të mjerëve, të verbuar!

Mes agimeve tona ku dielli ngroh dhe lulet çelin.

Ne dimë të fluturojmë me vështrim të pastër,

Duke shkelur mbi verbërinë.

    Në tjetër kohë….

Po eci trotuarit me kujtimet,

Ndofta sy përhumbur sonte janë.

Mes tyre ndjenjat ende grinden,

Sepse të braktisura i lamë.

U kishim premtuar gjithësinë,

Të rriteshin në trupat tanë në jetë.

I mbollëm në një kopsht skeletosur

Dhe mbetëm skeletosura vërtet.

Pse?, pyes veten tek i shoh,

Tek dridhen dhe nuk di përse,

Nuk janë më Perritë që mbanim tok,

Por hije baltosura janë për ne.

Je ti që më rishfaqesh po i njëjtë,

Në tjetër kohë i le këto gjurmë,

Shirat i përlotën, por më kot.

Fajtor s’ishin ato por ti dhe unë.

Ecëm, e shkelëm ndjenjat tona,

Duke vështruar gjurmët pas,

Zëri i tyre ishte si jehona,

Një zë që vet ndjenjën e përplas.

Më vonë të penduar u takuam,

Ndofta aty ku po eci unë sot,

Për sa, për sa të dy ne gabuam,

Mbetëm larg në k’të botë të ftohtë.

Sa mall kam dhe sot për sytë e tu,

Dikur nga ata sy isha pushtuar,

Shkreptijnë kujtimet ndizen zjarr,

Nga koha  për ne sot e larguar!

Ai zjarr që digjte e na ngrohte

Që ndizej nëpër netët si magji,

E ndjej, e dua, e kërkoj,

Në dimrin ku ka vetëm ftohtësi.

Ka mbetur në cep syri drita jote,

Sa një pikëz që shpesh më verbon,

Të kujtoj dhe eci trotuarit,

Kjo dritës sërishmi na bashkon.

Në tjetër kohë a do të shoh?

Në hijen e kujtimeve vrarë,

E di prej hijes pabesia,

Do thotë: Shko, rruga e mbarë!.

Përsëri  po gjurmët do ndjek

Të të gjej ty që ndryshe je

Sepse s’është shuar ende jeta

Kujtimet jetojnë ashtu si ne

Ne i kishim premtuar dashurisë

Të rritesh në trupat tanë në jetë

E mbollëm në një kopsht skeletosur

Dhe mbeti e skeletosur vërtet…

Tani jemi re që do zbresim

Nën tokë, me heshtjen e plotë

Të pres apo do më presësh

Të jemi dy shpirtra, një lot.