Suplementi Pena Shqiptare/Poezi nga Behare Daja Kasa

697
Sigal

Njëkohësisht…

 

Të gjitha rrugët

padashje tek ti më shpien,

e bëhen të bardha,të bardha,

pa kalimtarë,pa trafik,

gjithmonë me semafor të kaltër.

 

Të gjitha mendimet

padashje tek ti më shpien,

e bëhen të bardha, të bardha,

pa intriga,pa ngatërri,

gjithmonë me buzëqeshje në gji.

E aty mpleksen me tëndin mendim

më  digjen,shkrumbosen,

më kthehen në hi.

 

Të gjitha takimet

padashje notojnë për tek ti,

dhe ndalet çdo sekondë e kohës,

në hapësir’ ngrin,

e ora rrotullohet

me akrepa më dysh.

 

Dhe vetja

më duket njëkohësisht

e njohur,e huaj,

brenda vetes përhumbje,ngecje,

bashkuar  me ritmin e arsyes së dehur.

 

Yjësi

 

Mëngjesi vjen porsi yll i praruar,

që velin e natës hedh tej me delikatesë,

por ti më thua:”Je ti mëngjes për mua,

je ylli im që pikon mes lulesh vesë”!

 

Unë dorën zgjas mbi yjet çdo mëngjes,

e një nga një në prehër t’i hedh,

por ti më thua:”Nuk i dua yjet,

me dritën tënde dua të mbes”!

 

E yjet hënës i rrinë përkarshi,

ajo çdo natë rreshket prej xhelozisë,

por ti më thua: “Je ylli im,

yll që natës sime i jep dritë “!