Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Bedri Alimehmeti

1007
Sigal

Shtëpija e poetit

 

Tek kjo portë,

ndonëse është vonë

ju mund të hyni.

Është porta e shtëpisë time.

Po, po mund të hyni, ua them unë.

Vetëm me një kusht ama:

Mos trokitni!

Hapeni derën pa zhurmë dhe…..shëëëëët!

Veç meje të gjithë flenë.

Është vonë.

Edhe poezitë e mija nëpër sirtarë

Kanë vite që flenë.

Kujdes ju lutem se mos m’i zgjoni

Dhe nuk di se ç’përgjigje t’u jap,

kur të më pyesin:

“Përse s’na boto?”

Mos më flisni.

Unë nuk di të flas.

Mos më pyesni si quhem.

Unë nuk kam emër.

Jepmëni

Vetëm letër edhe penë.

 

1968

 

 

Remember me

 

Vrundujt e erës

Dhe befasia e shiut të rrëmbyer

Thuajse më përplasën në derën

E xhamtë të atij bari periferik

Ku s’kisha shkelur prej kohësh.

Ftohtësi e gjysmë errësirës së tij

Krejtësisht si pa kuptuar më përpiu.

Kurrë të mos hyja!

Betimin e bërë atë ditë kur më the:

“Më duhet të iki larg!”

Kisha thyer.

Dhe pse s’desha ta sillja ndër mend

Nuk kish qenë e thënë.

Mbas porosisë

Fjalë kalimin Wi-Fi kërkova

Remember me

Ishte përgjigja që më la kamerjerja

Teksa dredhoi mes tavolinash.

Kujtomë mua

Mos vallë e kishe lënë ti këtë mesazh,

Apo qe klithmë e harresës

Time të gënjeshtërt?!

 

4 qershor 2019

 

Përtej

 

Përtej

Çdo largësie e ndjej

Aromën e kurmit tënd, deri në dej.

Tek depërton e më mbështjell gjithandej,

Aq sa fjalë s’gjej

të ta rrëfej!

Përtej

Gjithçkaje që mund të më mbërthej,

Mes errësirës rrugën do ta gjej,

Po s’munda do të të thërras: Hej, hej!

Klithma ime oshtimë nëpër qiej.

-Jam unë, nuk mundem, shpërthej!

Përtej

Çdo padurimi s’të gënjej,

Zemrës s’mundem si vë fre

Peshën e mallit dot se ngre

Përtej…Përtej…