Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Anila Toto

553
Sigal

Paqe dashurie

Dashuria ime…
Vij gjithmonë pranë teje,
me hap të ngadaltë,
me zemër të dridhur.

Lë ëndrrat larg
e humb në sytë e tu.

Ti rri pak shpenguar
e me vjen hidhur,
derisa thua:
– Eja këtu!

Dashuria ime…
Në epokën tonë
s’ka luftëra te mëdha,
as trima që vdesin për mua me shpatë.
Na lidh më shumë bashkë
rutina e ditës
ose..
na shtyn larg.

Dashuria ime…
Mbështes kokën aty,
në kraharorin tënd,
tani s’është më një çast dobësie.

S’më vjen asnjë mendim ndër mend,
e mbytem në paqe dashurie…

 

Tim et’i

Im At’ vinte nga vise të bukura shpirti…
Nga dhembje që i kthenim nëpër këngë,
Nga punë e dashuri që nuk njohin limitin,
Nga ëndrra që nuk lëndojnë askënd.

Mirëpo përpara se të ikte për më tej,
Dhembja na u kthye në gjëmë e heshtje.
Disa njerëz mbajnë pesha kaq të rënda në jetê
E nuk dorëzohen kurrë,deri në vdekje!

 

MOS U ÇUDIT
Mos u çudit nëse të dua më shumë nga ç’më do.
Jam mësuar të dua pa kushte,
Siç duam dëborën që është akull e ftohtë,
Te bardhë në dukje.

Në mendjen time si në një projeksion,
Kudo shkoj shfaqet imazhi yt.
Unë e di që të dua më shumë nga ç’më do
Unë e di të dua për dy.

Që në kohët e lashta gratë,
ishin skllave të burrit,
Jepnin gjithçka për mashkullin…,
edhe jetën.

Unë s’i dua dashuritë në formën e un-it,
Unë jam me të vjetrën.

Kështu ndihem një skllave e kohëve moderne,
Me një shpirt të lirë,
ku dashuria sundon.

Di të të dashuroj deri në vdekje.
Mos u çudit,
Të dua më shumë nga ç’më do!