Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Alma Jaku

154

Si është burri që dua? 

 

Si një fëmijë i lumtur

Që do të tregojë

Me sy, duar, fjalë

Çdo gëzim,

Që i lumturon shpirtin.

Më tregon për qenin

Për trikon,

Që e vesh mbrapsht

Për njollën, që i ra në bluzë

E më duhet,

T’i mbyll gojën me duar

T’i them:

Hesht se më çmende!

Pikërisht atë çast

Ai më puth…,

Ndjej të qeshurën e tij,

Si tingull i ëmbël violine

Të mbushë ajrin mes nesh.

Flutura ylberi,

Me aromë borzilok

I mbështjellin gojën,

Ngadalë ai m’i lëshon qafës

Dhe rend trupit tim

Ngado ulen ato …

Si mund të mos e dua,

Një burrë si ai?

Zemërim Lejleku …

 

Unë besoj tek rimishërimi

Në Francë do kem jetuar dikur

Mund të kem qenë Beauvoir

Mbase edhe vetë Jeanne d’Arc

 

Aj dreq lejleku sa i pamend

Kur më hodhi në Shqipëri

Ç’ të bëj unë në këtë vend

Kur e kam shpirtin plot liri?!

 

Mbase qe nisur për në Francë

E zuri vallë ndonjë rrebesh?!

E zemëroi e dashura atë natë

A me fatin tim u përqesh?!

 

Eh, ti lejlek, ti sqep-thyer

Ti shpend i keq, i pashpirt

Këtu është vend për burra

Të mallkofshin ty perënditë!

Me mbretërit pi …

 

Atëherë kur Gabriel lajmëtari

Do të sjellë lajmin që s’marr frymë

Unë s’dua t’më qash mua tek varri

Dua t’më kujtosh me gëzim !

 

Dua t’më kujtosh sytë që ndrinin

Për gjëra të vogla si shpëtimi i një breshke

Si vrap një lëndine kur mbinin

Apo këmbëzbathur mes një qyteti në ecje

 

Duhet ta dish se ka gjëra të veçanta

Si një gur zalli mund të bësh dhuratë

Mund t’i dhurosh vajzës ca luleshpata

me dikë vetmuar kohën kur ta ndajë

 

Mos qaj se ika më kujto i gëzuar

I lehtë do t’jetë dheu mbi kurmin tim

Atje ku bie akshami i pashuar

Me mbretërit në një gotë do të pimë

 

Buzët e tua

 

Kam një mall të marrë për buzët e tua,

si buka e ardhur gati për furrë,

mundohem ta fsheh, por edhe nuk dua

tjegullat e mendimit t’i gjuaj me gurë.

 

Ti e di: pa ty jam një turrë drush

tharë eshkë në kohë, lagur me benzinë.

Ti ke vetëm shkrepësen gati mes duarsh,

një çast ta ndezësh e të bësh kërdinë.

 

Pas stuhisë

 

Me duar e buzë prej mëndafshi

ma ule natën butë mbi trup,

me avull burri, me valë afshi

e trembe terrin, iku, u zhduk.

 

T’i dua sytë e ndezur shkëndijë,

muskujt e tendosur, damarët në qafë,

thonjtë e panterës kur lënë vijë,

forcën, butësinë të shkrira bashkë.

 

Kur dita zbardh, det pas stuhie,

copëza ëndrrash bregut të shtratit,

si duna të tulatura, rërë mërzie,

vdesin ngadalë etheve të shtatit.

 

Do të pres 

 

Do të pres siç vjen me rrezen në agim

Se rrezja jote më djeg nën lëkurë,

Mijëra mirazhe përshkojnë gjakun tim

E dhimbja rrugëtimit bëhet pëlhurë.

 

Në shuplaka luleve ua mbledh vesën

Ta derdh në qafën tënde xhem portokalli;

Ti qesh, klith e shtrëngon dhimbjen,

Lëkurën tek ta ngërthejnë rrëke kristali.

 

Ah – ëmbëlaku im, që më fshik si hithër,

Ti vjen dhe ik siç ta do zemra;

Por mua s’di pse më mallkuan perënditë

Kur s’munda të hyjë, aty brenda.

 

Ti botës mund t’i biesh

Anë-e-kënd, vërdallë

Por prapë si unë s’do të gjesh

Një si unë – e marrë.

 

Evë

 

Lindi mëngjesi këtu tek unë

Atje tek ti e blujtë bie mbrëmja

Si dielli e hëna dashurisë iu vumë

Km e rruzullit mbushim me brenga.

 

Nëse bota do t’ishte amshim

T’mos ishte ky ujë, këta male ëndrre

Dot’ ishe ti maratonomaku im

Si lajm i ëmbël të vije çdo mbrëmje.

 

Si një charter, një tren ekspres,

Globit i sillem rrotull, mendjes.

Kur luksi sot zë frymën në mes

E unë të dua si në kohën e Evës.