Kur pikon vetmi nën strehë
Ti s’di asgjë miku im,
pse unë këndoj,
kur ti ma shkel hijen,
pse kurrë dorë nuk ngrita në ty.
Kohët keq të mësuan!
Kam parë njerëz duke blerë litar,
Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit
dhe kam pyetur: Për cilën kokë ai lak,
për cilin gjak ai hak?
Tinëz vetes, tinëz dreqit
dola në kunavikë,
me gurin e shqetësuar në behe,
hiena gjuajta mbi botë,
në zjarr vura dorën për ty.
Ti s’di asgjë, miku im,
pse pikon vetmi
nën strehë,
pse sytë më zmadhohen?
Kohët keq të mësuan
kur zotat i munda!
Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës
Kur të flasësh, fol të dëgjohesh në bjeshkë,
të dëgjohesh në shkretëtirë.
Për të dytën herë mbetesh pa kokë
ose kush nuk të
beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË.
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të fundit,
Për ëndrrat e mia e qetësinë, je Ti!
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës, në pikë të vapës!
Asgjë mos rrit, asgjë mos krijo me dhunë!
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet!
Mund ta kalosh natën
në Kullën time të vetmuar
në botë.
Dhe si të duash Ti, Lumi.
Kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë
ndonjë ferrë e saj e zezë.
Bashkudhëtari im!
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë!