Suplementi Pena shqiptare/ Poezi nga Ali Podrimja

471
Sigal

Ali Podrimja

 Fatet

 E kalova Murin e Berlinit
në majë të gishtërinjve
me një trëndafil në dorë.
Frikësohesha, se lëndoj
shpirtrat e rënë,
Kur deshta ta kapërcej
edhe Murin shqiptar,
para këmbëve më ra
koka ime në gjak e larë.

Një grua veshur me të zeza
kodrave, fushave
ma kërkon varrin,
e trupin tim.

Çdo ditë zgjohet në mes jush
një torzo i tmerrshëm i qytetërimit.
A nuk ju shqetëson.
se gjymtimi im akuzon?

Emrin e ka Dashuri

Për këtë tokë gjaku ka rrjedhur e prindërit tanë
kryet e kanë lënë; kambana të mëdha kanë mbetur
në jetën tonë për këtë tokë ata që nuk janë më –
e ju si të doni quajeni këtë tokë – muzë emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si të doni quajeni
por asnjë fjalë të keqe për prindërit tanë,
njerëz të mirë, asnjë fjalë, se kujtimi na i verbon sytë.
Asnjë fjalë të keqe, thashë, se ata gjithçka janë bërë
për këtë tokë, se ata ishin trima mbi trima
dhe, – nëse ndokush ka vdekur duke kënduar –
ata vdiqën majë hanxharit të dushmanit me këngë në gojë,
nëse ndokush s’ka kthyer nga rruga – ata i
kërkuam;
nëse ndokush ka dashuruar me jetë lirinë – ata
ishin.
Se ata mikun kurrë në besë nuk e kanë prerë
dhe, – nëse ndokush ka vdekur duke kënduar,-
ata vdiqën majë hanxharit të dushmanit me këngë në gojë, –
nëse ndokush s’ka kthyer nga rruga, – ata i
kërkuam,
nëse ndokush ka dashuruar me jetë lirinë, – ata
ishin.
E ju si të doni quajeni këtë tokë – muzë emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si të doni, vetëm
mallkim jo,
se për këtë tokë gjaku ka rrjedhur, i nxehtë ka
rrjedhur…