Sigal

Dhe ajo që m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, më la vetëm një kujtim.
S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e më tregon gjurmëzat e zotërisë’ sate.

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate,
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë,
s’di, i mjeri, ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish,
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate.

Thonë paska paraisë, gjithë’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate,
ku ka defe, ku ka qejfe, ku ka çupa me kaçupa,
s’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, më pëlqen më tepër kupa,
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dorë pa mëkate.

Dy të tretat e një kohe, të një shekulli që vate,
vate jeta ime vate, me ‘të bashkë van’ dhe fatet,
s’di, i ziu, se ku vanë, vetëm jeta s’mund të matet,
veç me ditët që kalova, në prani të zotërisë’ sate.