Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Agim Xheka

753
Sigal

Sa e desha dashurinë!

U fry zemra ime, u fry
U fry dhe u gurëzua
Ujuar lotësh rrodhi aty
Sa dhe myshku u harbua

Ty te mbajta te paprekur
Si piramidë e Keopsit
Si i gjalle dhe i vdekur
Nuk te shkulen dot prej gjoksit

Një ditë do të ma marrin
Do ta vendosin në muze
Do i heqin myshkun e barin
E për të do flasin më nge

Pa e ditur që ti je brenda
Do ta servirin si relike
Për të do thurin legjenda
Si gjurmë parahistorike

Kështu do mbetet përjetë
Mollë sherri për historinë
Pa ditur shkakun e vërtetë
Sa e desha dashurinë.

 

PENGJET…

Shpesh, na mbetet zemra peng diku
dhe mendja si teletajp nis mesazhe.
Dëshira e madhe mbetet varur
në fijen e hollë të shpresës
si një flamur paqeje në front beteje.

Mesazhet e pazëshëm humbasin në efir
ngarkuar me të njëjtat jonë
me të njëjtën dëshirë.

Brenda vetes ndiejmë një tiktak të rëndë.
Herë na duket si kuje e herë herë si këngë.

Flamuri i bardhë i paqes
merr trajtën e një radari.
Presim në ankth mbërthyer
se kush do e kapë sinjalin i pari.

Fundi vjen me ndërrimin e zemrave
si robërit nga lufta sfilitur
Finalja nis me buzëqeshje sysh
dhe përqafimin e shumëpritur.

Ndodh,që mos e pafshim kurrë atë fat
Flamuri i paqes kthehet në kumt të zi.
Teletajpi përhap mesazhe të thatë
ku lajmëron hidhur se vdiq një dashuri.

Ndien zemrën e plagosur nën gji…

 

DO KTHEHEM…

Ika.
I putha buzët dhe ika.
I putha gushën dhe ika.
Ika me gjakun shpuzë

O zot! Si munda?
Ç’zjarr kishte në buzë!

Ika.
Sa do doja më shumë!
Sa mall kisha në gji!
Ika, megjithëse ishim
ndezur të dy…

O zot! Si munda?
Ç’dritë mori në sy!

O zot! Sa e ëmbël ish…!
Si munda?
Ika.
për t’u kthyer sërish…
sërish…sërish.