Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Agim Hushi

423
Sigal

Agim Hushi

I ngulur në kohë

Unë shpesh grindem me veten
Çudi, si është kjo punë kështu?!
Kalendari çdo ditë kthen fletën,
Unë i ngulur në kohe, diku…

Shkojnë e vijnë zogjtë stinëve,

Ndërrojnë gjethet ftonjtë, qershitë.
Përmbi verat kërcejnë dimrat
Universi ndërron çdo ditë…

Por unë si një murg i vjetër
Mbyllur larg, në një manastir,
I shtyj vitet me laps e letër
Me kohën lidhur në zinxhirë.

Nuk lëviz, s’ndryshon asgjë
Mbetur gjithçka në kohë tjetër
Dikur desha mbi çdo gjë
Një vajzë; histori e vjetër…

Kërcas zinxhirët dhe rënkoj
Në këtë burg, ku lëviz veç heshtja,
Rob i kohës; nuk guxoj
T’i kthej shpinën asaj që desha…