Suplementi Pena Shqiptare/ Plejada e Rilindasve

1531
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda). Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër. L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

Mihal Grameno
Mihal Grameno është nga ata shkrimtarë të viteve të fundit të Rilindjes që luftuan për çështjen kombëtare dhe me pushkë. Atdhetar i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë për pavarësi dhe, më vonë, për demokracie përparim. Lindi më 1871 në Korçë, në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë “Drita”. Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte anëtar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. M. Grameno është nga publicistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi. Ai është cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publicistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.

Zef Serembe
Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundrazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe. Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme. Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Në vjershën kushtuar Dora d’Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.

Aleksandër Stavre Drenova
I njohur në letërsinë tonë me pseudonimin Asdreni qe nga ata poetë krijimtaria e të cilëve u përket njëherësh dy periudhave. Poezia e tij u shkri që nga faza e fundit e Rilindjes deri në periudhën e Pavarësisë. Poeti pati një jetë të gjatë krijuese, rreth dyzet vjet. Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkëpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndrra dhe lotë” ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.

Pashko Vasa 
Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P. Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P. Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hierarkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit. Gjatë gjithë jetës së tij P. Vasa s’ka reshtur së menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë të lirë, të pavarur, e të kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60 në Stamboll, ku bashkëpunoi me K. Kristoforidhin, Ismail Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në përpjekjet për organizimin e shoqërive patriotike e kulturore, për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. P. Vasa qe një nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbrojti me forcë çështjen kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë perandorisë.

Veprimtarinë letrare P. Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb. “A mos është krim ta duash vendin tënd? – shkruante ai. – Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike, publicistikë dhe libra gjuhe.

Gavril Dara 
Zanafillën e vet lëvizja letrare arbëreshe e pati në ngulimet e Sicilisë, me studiues e letrarë të ndryshëm, si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta, Gavril Dara (Plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara (i Riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i gjyshi. Lindi në Palac Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para dhe studimet e larta për drejtësi i kreu në Palermo. Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin “Disa poezi”, shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit.. Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, “Palingenesi” (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinorë të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860. Në të njëjtën kohë ai s’i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar “Ana Maria”. Poema që e bëri të famshëm ku edhe spikati forca artistike është poema epike lirike “Kënga e sprasme e Balës”.

Naum Veqilharxhi
Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. N. Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes. Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin “Evëtar„. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtarë”, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë„(letër qarkore).“Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkatdhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkales, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

Naim Frashëri
Figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit më 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar. Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Poema “bagëti bujqësi”, vëllimi poetik “Lulet e verësë” dhe poema epike “Histori e Skënderbeut” ndërtuan tradita që është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Sami Frashëri
Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes. Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin “Zosimea” në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie. Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore. Ndër këto janë disa vepra themelore, si: i pari fjalor i plotë etimologjik i turqishtes, si dhe e para enciklopedi turke e historisë dhe e gjeografisë në gjashtë vëllime. Ai shkroi në turqisht dramën Besa me subjekt shqiptar, bëri përkthime nga letërsia botërore etj. Veprat e Samiut në turqisht përshkohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar. Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit të vet në luftën për liri, edhe popullit turk në luftën për përparim. Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe„(1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe„ (gramatikë e shqipes,1886) “Dheshkronja„ (gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.
Sigal