Suplementi Pena Shqiptare/ Pirro Loli: zëri i nënës

727
Sigal

Kishte plot 17 vjet që Odiseja mungonte në Itakë. 10 vjet lufta në Trojë dhe 7 vjet në gji të dashnores, Kalipsosë, e kishin tjetërsuar atë aq, sa as vetë nuk e dinte ose nuk donte ta  kujtonte se lufta kishte mbaruar dhe ai qe nisur për në shtëpi, te Penelopa e vet. Në gjirin e Kalipsosë harroheshin të tëra. Kofshët e saj shkëlqenin në diell dhe Odiseja qe robi i saj i bukur… Një natë atij i bëhet një zë i njohur. Ishte zëri i nënës së tij, Antikleas… Ajo më në fund kishte marrë vesh se ku gjendej i biri dhe po mendonte si ta rikthente në rrugën drejt Itakës dhe  babait, drejt Penelopës së tij të dashur dhe të birit… Yjet qenë ngrirë dhe asnjë jetë shprese nuk kishte për kthim. Atëherë, ajo bën sakrificën supreme. Që mund ta bëjnë vetëm ato që mbeten si nënat e botës ose të njerëzimit. Vret veten dhe i vjen Odisesë si zë: “Kthehu, kthehu!… Ty të presin… Po të flas unë, nëna jote që sot vrava veten, që ti të dëgjosh zërin tim nga Hadi… Ishte më i lartë se i sirenave ky zë. Ishte zëri i nënës;  më i kthjellët  se dhimbja e gjakut ky gjak, më i mprehtë se presa e briskut, më i fuqishëm se bubullima e qiellit… U tronditën yjet, shkrinë e u shkrifëruan brenda natës e Odiseja vendosmërisht shkëputet nga kthetrat e bukurisë së dashnores dhe mori rrugën për në familje. Drejt atij zëri të njohur. Ishte zëri i nënës, i nënës së botës, i të gjitha nënave. I gjithëfuqishmi, qiellori… Ndaj atij zëri ai u zvogëlua si fëmijë, si skllav i bindur e iu duk se “e bukura e tij”, ajo madhështorja që nuk tregohet me fjalë, paska zbritur  në Had (në mbretërinë e të vdekurve) për të lindur përsëri mua, mua, Odisenë e vërtetë…