Sigal

Gjëmojnë në qiell avionë të rëndë. Në tokën e Kosovës ngrihen zjarre ferri e hapen gropa të mëdha. Turmat e grave të fëmijëve, të pleqve, e gjithë popullsia e Kosovës, ndiqet pas nga hienat serbe. Qindra hiena të uritura  kafshojnë nga pas. Dhe mishin e njomë të fëmijëve dhe kockën e pleqve 90-vjeçarë. Dhe ekrani i televizorit më dukej i përgjakur. Ndodhesha në një kryeqytet të huaj. Ndërroja kanalet por njollat e gjakut ishin gjithandej njëra mbi tjetrën. E më shkumëzonin gjoksit, valë valë. Ishte teatri më i ri e më absurd i luftës. Shekulli kish filluar me luftë dhe po mbaronte me luftë. E përsëri gjaku im në skenën e botës. Prej andej,  më dukej se gjaku rridhte i pastër, i nxehtë; lante ekranin e televizorit, tim, shkumëzonte ashtu i nxehte, rrëke dhe binte në dyshemenë e dhomës sime i kuq flakërimë. I pangrirë. Ashtu të plagosur, të rraskapitur , me shapka në këmbë e me rrobat e trupit, të lagur, të ftohur, të pangrënë , vendosur nëpër kolona të gjata , me foshnja në duar; ashtu të heshtur e dinjitozë si monumente, të urtë gjer në palcë , kalojnë kodra e lumenj e pyje , kalojnë qafa malesh , kalojnë kufijtë e vdekjes. …Ku, ku t’i varrosim të vdekurit ?! Kërkojmë një vend,  të hapim një varr! Jo, jo ec! vazhdo rrugën! Pas kemi shquan. Ata na ndjekin si hijena…Edhe pak , edhe pak! Ja po duken retë e bardha… Dhe dynden e dynden drejt tokës arbërore. Dhe ajo e moçmja, e varfra, buzëplasura historike, ka dalë e gjitha në rrugë , hap krahët e i pret. Përmallshëm me lot në sy. Ja Kosova, e gjitha këtu! Nga avioni kampet e kosovarëve duken si varre të murrme. Ç’ka ndodhur vallë? Mos kanë shpërthyer flakët e Vezuvit apo tërmeti ka rrafshuar gjithçka ? Jo. Nuk janë varre. Është Kosova mbledhur e gjitha këtu, nëpër kampe, nëpër çadra. Ja qytetet: Prishtina, Gjakova, Peja, Prizreni, Drenica…, ja një çadër e madhe maternitet, ja një curril uji, ja lavamani , ja shkolla dhe disa fëmijë kockëhollë që lozin me top. Ndanë rrugicave, diku, për të mos u vënë re, pleq të lashtë sikur kanë zbritur nga legjendat, kryqëzuar gjunjët dhe krahët e gjata humbasin me orë të tëra në vetvete të zhytur në mes të gjëmës…Midis kampeve, midis qyteteve e fshatrave të mbledhur në krahë të njëri tjetrit, nëpër tymrat e luftës po projektohen disa rrugë të përgjakura me emra çuditshëm : Bill Klinton, Uesti Klark, Toni Bler, UÇK, Miss Albania, po po, dhe Miss Albania… E nëpër to, gjithmonë, plot e përplot rrugicat me fëmijë, me mijëra e mijëra! Janë mbledhur këtu të gjitha cicërimat e Kosovës, janë çarë qiejt e saj e kanë derdhur zogj. Sa shumë zogj paska pasur ai qiell! E këto rrugë, që kufizojnë kampet, me ata emra kuptimplotë, ndoshta janë emrat e bulevardeve të nesërme, emrat e shpresës, emrat e lirisë, që këtë radhë i dërgoi zoti si shpëtimtarë nga qielli…Tymi i luftës ashtu i kuqërremtë, me  gjak të kulluar i pa ngrirë po mbush ekranet e botës… Nëpër të lëvizin ushtarë, xhelatë e viktima, plot e përplot me heronj të çuditshëm pa grada e armë të rënda,  vetëm me një inicial UÇK që skuq gjokseve si zemër… Ndoshta janë personazhet e gatshme që do mbushin faqet e librave të ardhshme. Midis tyre ishte dhe kjo, Teuta ime. Ajo kish emrin e mbretëreshës së madhe ilire. Ishte një nga mijëra vajzat shqiptare që nga Epiri deri në Dardani me emrin “Teuta”; si mijëra vëllezër të saj në çdo skaj të kombit shqiptar me emra mbretërish ilirë “Bardhyl, Agron, Genti, Pirro, Gjergji…” E masakruan Teutën. Se ishte kosovare. Se ishte e bukur. Se mbante emrin “Teuta”…Ishte nga fshati Zhur, pranë kufirit me Shqipërinë. Buzë Zhurit u zvarritën qindra mijëra kosovarë për të kapërcyer qafat e vdekjes, të ndjekur pas nga lukunia e militarëve serbë. Buzë Zhurit ishte instaluar një batalion ushtarësh serbë, që ruanin kufirin e do të ktheheshin disa herë në Zhur për të zhuritur çdo frymë të gjallë që guxonte të qëndronte në “Zhurin serb”! Por dhembja nuk fillon e nuk mbaron këtu. Në atë përzënie të skëterrshme të një populli të fisëm ndoshta dhembja që vjen nga plumbi ishte më e lehta. Prindër kosovarë mbanin në duar, në qafë e në shpinë fëmijët e tyre , sidomos vajzat prej krahu me fytyra të tmerruara , nxitonin të kalonin kufirin.

Maska të zeza serbe depërtonin midis turmave dhe me thikë në dorë shkëpusnin vajzat e bukura. Halil Dauti 52-vjeçar , me të shoqen Farien , nuk e mbrojtën dot vajzën e vetme Teutën. Maskat e zeza e kapën vajzën pas gërshetit të trashë, e shkëputën nga prindërit përdhunshëm, e hoqën zvarrë dhe e përplasën veç, pranë bukurosheve të tjera, që qanin dhe lebetiteshin si zogjtë e sorkadhes midis panterave, që jargëzonin e zgërdhiheshin serbisht… Prindërit hidhnin këmbët kuturu duke kapërcyer ferrin por fytyra u mbeti pas e tmerruar. Pas kishte mbetur Zhuri i tyre i përpirë nga flakët. Pas kishte mbetur Teuta, shpirti i tyre. Pas kishte mbetur një copë zemër e babait dhe e nënës ; një copë zemre prerë me thikë. Mes për mes.  Dhe gjaku nuk lëvizte nëpër damarët e prindit. Atje, në të kapërcyer të qafës së Morinës, burri Halil Dauti do qëndronte një çast, do ta shkundte të shoqen prej supesh e do t’i thoshte : “Mbaju , burrneshë! Ky është fundi i shkjaut! Kosova do çlirohet!” Zemra e gruas donte t’i thoshte: “ Po është e vogël Teuta , mor burrë ! Ku, kuuuu, e bukra e nanës, ku,ku…! Ata flokë të saj, ata sy ! Oj , oj !…Ç’e dua unë jetën ?! Oii , Oii Kosovë , dashke dhe flokët dhe sytë e Teutës seme! Burri e pa përmallshëm e një kokërr loti iu rrokullis faqeve. Por gruaja shtrëngoi nofullat, i përtypi lotët e kyçi zemrën dhe para burrit heshti… E masakruan Teutën se ishte kosovare. Se ishte e bukur. Se mbante emrin “Teuta”! Kur të gjithë kosovarët po kthehen me ngut në Kosovën tonë të lirë, Halil Dauti me të shoqen banon akoma në shtëpinë e mikut në Tiranë. Ata nuk po guxojnë të kthehen në Zhurin e tyre aq pranë kufirit, që tani, s’është më kufi. Ç’ka ndodhur? Miku i tyre, Xhemali, që nxitoi për tu kthyer ka sjellë për ta nga Zhuri një dhembje të veçantë. Në jug, nga anët e mia, i themi “mandatë”. Një zarf me anë të zeza, me vdekjen brenda ?! Jo, jo, një kujtim… Një kujtim. Të fundit nga Teuta! Një qese të vogël plasmasi mbështjellë me duar e saj.

Brenda një shall i bardhë mëndafshi, një orë dore, dy thika dhe fotografia e Teutës me sy të kaltër ëndërrimtarë… Dhe dy thika, pra, që u ndodhën në tryezën e kuzhinës së tyre. Njëra e mprehtë për të qëruar zarzavatet, tjetra për të prerë bukën…E kish gjetur Xhemali nën mbulesën e divanit të përmbysur në shtëpinë e tyre atë mandatën e Teutës. Dhe mandata s’mbahet gjatë , mandatën e sjell edhe era edhe zogjtë, ajo është amanet. Askush nuk guxon tu thotë prindërve të Teutës të kthehen në Kosovë. Të gjithë e dinë tashmë, por…Dhe thotë nëna: “ Kam frikë të kthehem në shtëpi. Jo nga gërmadhat, jo! Më përfytyrohet sikur në divanin, ku Teuta kish fshehur këtë qese të vogël plastmasi, do të gjej njollat e gjakut akoma të pa thara…” Teuta nuk mundi ta duronte dot turpin. Nga fytyra e saj engjëllore nuk mund të shpëlaheshin jargët e serbëve. Në trupin e saj të brishtë demonët përdhunshëm kishin lënë kthetrat e djallit… Ejani me mua, vëllezër! Edhe ju prindërit e saj ! Ejani ta kërkojmë Teutën në thepisjen e shkëmbinjve të Krujës, ku pararendësit e saj u hodhën në greminë për të mos rënë në duart e turkut, ejani në humnerat e Sopotit, nëpër emrat e suljotëve., ejani maleve e honeve të Labërisë! Është me to edhe emri i Teutës; i pastër me thikën e mprehtë në dorë. Nëpër thikat e shkëmbinjtë e gjakut! Humnerat e turpit janë më të thella. “Le të ndizet lulëkuqe gjaku im”. Këto mendoi në ato çaste me dy thika në duar, kur, me më të mprehtën thikë të bukës, gjeti shpëtimin e nderit dhe emrit të saj mbretëror në ditët dhe vitet që rrjedhin pa pra.