Suplementi Pena Shqiptare/ Piktura kushtuar Luigj Gurakuqit

886
Luigj Gurakuqi figura kryesore në lëvizjen atdhetare dhe demokratike
Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjerë dhe enciklopedike, e njëherazi edhe trim si zana. Njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe evropiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme. Në formimin filozofik botëkuptimor L. Gurakuqi është idealist objektiv. Ai mbante qëndrime liberale ndaj fesë e praktikave fetare, qëndronte larg çdo fanatizmi fetar. Pranonte ekzistencën e Zotit si krijues i gjithësisë. Sipas tij Zoti është qenie që s’ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të, se:

“…qielli e toka, fushat e gjana,
Malet e nalta, detrat e mëdhana,
T’gjitha prej Zotit paten krijim,
Qi s’di mase me vedi, fill as mbarim”

Gurakuqi gjatë gjithë jetës së tij pati marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare që luftonin për një Shqipëri të lirë. Me 26 shtator 1913, Abati i Mirditës, i dërgon telegram në Vlorë, Gurakuqit, Ministër i Arsimit të Qeverisë së Përkohshme,

Piktura kushtuar Gurakuqit
Kthimi në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, me 2 korrik 1908. Është fjala për një kompozim në vaj mbi karton, në përmasat 55 me 78 cm, pa firmë dhe pa diçiturë, që ka fiksuar kthimin në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, me 2 korrik 1908. Shkak për njohjen e paktë të pikturës ka qenë vendosja në një kënd të pandriçuar mirë, në një mjedis të mbyllur e me një numër të kufizuar shikuesish, si dhe afërsia me eksponatin e rrobave të përgjakura të Luigjit, vatër dominuese ku përqendrohej vëmendja e çdokujt. Piktori Kel Kodheli e solli punën e tij, në shtëpinë muze (që me kthimin e saj me 19 shkurt 1964) “Luigj Gurakuqi”. Është një interpretim realist me disa penelata impresioniste, që duken tek drita, ajri, prekja e figurave. Autori ka punuar me masa të plota penelatash. Telajo ndahet në dy masa: në pjesën e poshtme të errët, ku spikat ndonjë e kuqe-vjollcë-okër e kostumit kombëtar dhe në pjesën e sipërme të kaltër të çelët, ku spikat figura e të riut 29 vjeçar. Ngjyrat janë kontrastuese. Dinamizimi i tablosë theksohet prej penelatash të shkathtë. Drita që vjen nga liqeni, tregon një çast pasdrekeje dhe krijon një atmosferë mjaft sugjestive. Peizazhi ka një lloj qetësie, ndërsa figurat janë plot lëvizje. Luigj Gurakuqi kthehet në Shkodër i porsa zbritur nga anija në breg të Bunës, Gurakuqi ka hipur në pajton, të cilit në çast turma që shtyhej t’i dilte para, ia ka çmprehur kalin, për të tërhequr vetë shtagat e për të çuar Luigjin gjer në Lulishten Popullore, pikërisht aty ku sot ndodhet përmendorja e tij… Populli i bëri një pritje madhështore, që Noli do ta quante të denjë për një Mesí. Gurakuqi me kapelë republike në dorë përshëndet njerëzit, të cilët të zënë me pritjen e tij s’iu del koha të heqin kapelet, qeleshet, fesat… Drita bashkë me ngjyrat bëhen elemente të dorës së parë, për të krijuar atmosferën festive. Ngjarja shpaloset në një mjedis të hapur dhe mënyra e paraqitjes është perspektive. Është një kompozim asimetrik, i ndërtuar me dy linja horizontale: më e fortë e poshtmja, më e butë e sipërmja, e cila ndihmon perspektivën. Mbi këto dy linja horizontale përftohet një linjë vertikale (figura e Luigjit), por që mbështetet nga linja pak të fshehura diagonale (nga shtagat e karrocës, tek duart e hapura të Luigjit). Mbi këtë ndarje vërejmë vlerë trekëndëshi… Zhvendosja e figurës kryesore djathtas qendrës së kompozimit ndihmon për të dhënë idenë e lëvizjes. Ndaj ndjejmë një ritëm në rritje, ndjejmë një sens hapjeje, që përfundon në mënyrë tepër të dukshme tek duart e Luigjit, përmes një këndvështrimi romantik. Protagonisti megjithëse nga ana proporcionale më i vogël, ngaqë s’është në plan të parë, gëzon nga piktori forcën grafike, duke u siluetuar në sfond të çelët, gjë që s’e kanë figurat e tjera edhe të planit të parë. Mesazhi i pikturës është kthimi në atdhe. Por me ardhjen e Luigj Gurakuqit në Shkodër, apo të Ismail Qemalit në Vlorë, që i bëhet e njëjta pritje, rikthehet shpresa. Kjo tablo kompozicionale e një artisti me bagazh profesional, si Kodheli, e lë syrin e shikuesit të çdo kohe të sintetizojë. 
Shprehje…
“Zoti i madh dhe ai vërtetë ka në dorë fatin e njerëzimit e të popujve, ai din gjithçka, ban gjithçka dhe sheh gjithçka.”
“Atdheu asht gjaja ma e çmueme që kena në kyt jetë.”
“Nji komb rron me tradita, me gojdhana. Ay popull kur kujton e nderon të parët e vet, asht’ me të vërtetë nji komb trim'”.
“Shqipnia e shqiptar’t në kufijt që i ka falur zoti deri ku flitet gjuha e ambel e zogjvet të shqipes.”




Sigal