Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: U stis vazhëza nga varri

128

Baladë e lashtë arbërore

Duke shkuar për në dasmë
Përmbi kalin jéle-gri,
Udhës ku do merrnim nusen,
na zuri një rrëpirë shi. 
Gjithë krushqit u shpërndanë,
kush nën mollë e kush nën dardhë, 
kush nën pjeshkën kokëbardhë.
Unë i shkreti s’pata fat, 
Gjeta strehë diku më larg
Në një tempull, vend i shenjtë,
Ku binte dritë e argjendtë, 
Midis varreve të rëndë.

Lidha kalin pranë një varri
Varr i ri, njihej nga bari, 
Po xanxari, i rrëmbyeri,
Sa shpëtoi aty nga freri,
Me patkonjtë e parë u hodh
Çau pllakën prej mermeri…

Brenda varrit, i zi, pis,
Dritë e qiellit u vithis
Dhe një vashë e bardhë u stis,
Jetë e vdekje u stolis…
U zgjua vasha dhe më tha:
Trim i bukur; ora ra,
Me që vdekjen ti ma shkunde
Bëre miell të bardhë me krunde,
Ulu e puthëm ngadalë,
erë e mykut të më dalë
erën e dheut ma nxirr,
Kam tre muaj në errësirë…

Ashtu tha e ashtu bëra,
Pa u drodh si zog e tëra,
Dhe kërkoi një puthje tjetër,
Kushedi seç mall të vjetër,
Deshi zemra që iu ça, 
Buzët e pa puthurá…

Tri herë rresht e përqafova,
me tri puthje mëkatova,
Mora rrugën në sup, shkova,
retë shkonin qiellit, shtrembër
më linin hije në zemër…

Në të dalë ndesha një prift, 
Ma pa gjëmën pus tek sytë,
Cili është mëkati yt?
…………………………………
Prifti ndenji një copë herë,
T’i gjente mendjes një derë,
Pastaj tha, më shumë për vete,
Harro, bir, lere të shkojë,
se dhe Zoti do harrojë…

Ika rrugës fushë e mal,
Ku më çoi i shkreti kalë,
Krushk i zi, plak e djalë,
Ika flisja pas çdo loti, 
“Mirë prifti, mirë Zoti,
Unë i ziu, mot pas moti,
Si do ta harroj një herë, 
Këtë mendje ku fryn erë,
Këtë shi që bie paprerë,
Këtë varrin ku ke lerë,
Mendjeprishurën pa derë…

Tiranë, mars 2019