Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Peisazh fëminor

543
Sigal

Avllia e gjatë shtruar me pllaka,
bari midis, gjeometria  jeshile,
këmbët zbathur, thembrat të gjelbra,
çati eterniti shkolla me zile…

 

A- a, a- a, a- e vogël e dorës
sa nusepashka mbi fletë borziloku,
çanta nga fustani i vjetër i mamit,
pena sajuar me bishtin prej shtogu.

 

Ia hipën një shkopi dhe shkopi hop kalë,
Skënderbe i vogël, pa shpatë e brekë,
tre pjepra të fqinjit si turq frikacakë
nga vrimat e gardhit me duart përpjetë…

 

Pastaj me fqinjën tek kasollja me kashtë
të dy do të luajmë burrë edhe grua,
leh qeni plak, që roje bën jashtë,
kur nënat kalojnë për ujë në krua…

 

Më vonë mbi kumbullën ende papjekur,
o burra të shohim botën matanë,
një xháde diku nga vapa e djegur
thonë se të çon gjer në Tiranë.

 

Nga etja një vrap gjer tek burimi,
Me radhë ta puthim koritën prej druri,
o lërushku* i pjekur buzë përroit
drekën na shtro, se dreka na zuri…

 

Në muzg; ja delet me lëndinat në bark,
numëroj të bësh pak aritmetikë,
në qiell gramafoni i hënës u ndez
pyje vallëzoni, na bëni muzikë.

Tryezë, – parvazi i dritares në mbrëmje,
ulur në gjumë, – detyrat e shtëpisë,
o llambë e vajgurit pse dridhesh plot dhembje?
“o ju malet e larta të Shqi-pë-ri-së…”

O natë që pjek yjet, qershitë qiellore,
Zbardhu të nis nga e para çdo gjë,
të derdhet e plotë tabloja fëminore,
Poet vrapo, vër firmën mbi të!…

*lërushku- rrush i egër