Suplementi Pena Shqiptare/Petrit Ruka: Ëndërr me nuse

665
Sigal

 Zhanit, sot në datëlindjen e saj

 

Do të të gjej një nuse, tha gruaja ime,
u plake, o i shkretë dhe unë u plaka,
të duhet kujdes, pa shih si je mbledhur
si iriqi i mrrolur nën cfaka*.

Dhe ec e ec të dy nëpër ëndërr,
një ëndërr e gjatë, mesnatë e mëngjes,
unë i gëzuar, doemos si çdo dhëndër,
ajo e gëzuar si mblesë.

……………………

Në Tepelenë më çoi, aty tek linda,
“uh, me një labe,… kjo prapë!”
Jorganin me këmbë tutje e shtyva;
më ik, moj ëndërr me vapë!

Dhe hyjmë në gjimnazin, ku erdha riosh,
në një nga klasat, ku jepja mësim,
“pa shihe atë vajzën në bankën e  tretë,
sa kripë i ka kurmi që ndrin…”

 

Unë buzët lëpij dhe bie në mëkat
(nga ta di në ëndërr që dreqin jam plak?!”)
Po ç’desha që u “zgjova” më marrtë një lumë,
As ëndrrën s’e kam hak unë?

 

“Po kjo je ti!,- thashë i habitur,
që gjumin ma mbushi dikur me driza,
kur shkumën e gjakut kënaqësia ma frynte,
sa më zgjidhej kërthiza…

 

Kur me bukurinë e rrallë dhe eshtrat m’i ktheve
në fyej që qanin si brymë,
ti shkolla ime e parë e vjershërimit
Akademia me frymë…”

-Po pse, ç’kujtove, do të jepja një tjetër,?
tani që u plake, je bërë një dorë,
shiko sa nuse të bukur të gjeta,
sa gjaku në borë.

 

-Pse si të lënkam në duar të një gruaje,
që nazet s’ ti di… e më vdes,
të ta pijë atë çikëz shpirti të mbetur
si një pikël me vesë…”

 

-Ç’të them, ç’të them, as zgjuar, as ëndërr ?
-Nuk ke ç’të thuash, poet i pabesë?
Tërë jetën ke dashur të jesh një dhëndër
në dasmë të zezë…

 

Tani që nusen ta gjeta, (pa fli!)
Dhe prit të të mbuloj, se ngricë është jashtë,
me mendje kullot se kujt i prish punë
ti kau plak,… në kashtë…

cfaka*- sherebel
21 shkurt 2017