Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Andej baltë e këtej erë / Motiv arbëresh

607
Sigal

Atje tej e gjer përtej
shtrirë radhë mijëra të vrarë,
sipër tyre tym i zi 
si të ish flamur i mortjes, 
që merr dheun vallë-valë.

Po nuk qenkësh tym i zi,
qenkej shtrirë trim i ri,
gjaku tij po avullonte
qiellit ku qante një shi…
Trim i ri arbëresh
shokëve u linte lutje.


– O ju shokëzit e mi
nënës time kur t’i shkoni,
në e gjetshi pranë zjarrit
të vërtetën mos ia thoni,
Se bie brenda dhe më digjet,
sytë e saj mos i qorroni.

Në e gjetshi pranë pusit
të mos ia tregoni gjëmën
se bie brenda e më mbytet.

Në e gjetshi poshtë në krua
as aty mos ia tregoni,
se nga lotët që i bien
uji do bëhet i kripur
gjithë fshatin do helmojë,
do të thahen tërë jetët.


Po ju shokëzit e mi
zonjës sime kur t’i veni
të vërtetën të m’ia thoni
kudo qoftë që ta gjeni.
Si të qajë një copë herë
si kujtimet t’i ketë situr,
të marr krehrin e të krihet
tek pasqyrë e plasaritur
nga rënkimi fatit tim.

Tri pëllëmbë ta bëjë gërshetin,
Para se të dalë në derë,
t’i thajë lotët në erë.
Pastaj sytë le t’i ngrejë
lart në qiell tek një re,
Porsi pela e pafre
Nëpër luadhin e një jete,
që na jepet veç njëherë
Andej baltë e Këtej erë..