Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Sherre miqsh…

601
Sigal

Më ka marrë malli për ca sherre miqsh, sherre që s’i gjej në Amerikë!
Sherre për gjëra të kota, për gjëra të vogla… Më ka marrë malli…!
Mbase ngaqë dikur isha Engjëlli e tani s’jam Djalli…malli më ka marrë, malli…
Më ka marrë malli për ca sherre, për veshin mbështetur pas dere,
Për vajzën buzë kështjelle: efemere… Eh, vend i vogël, po kaq sherre!
Më ka marrë malli për një luledele, për karamele një dasme të diele,
Dhe ne fëmijët nën breshër orizi mes qeshjes bërë fërtele…
Dhe nusja: Luledele…

Më ka marrë malli për sherre miqsh, për sharjet mes kriklla birrash
Për tymnajën e qofteve në tempuj birrarish, ku zëri im buçet: “fundërrina”!
Më ka marrë malli të ulesh dhe të pish Jetën mes shpërthime “minash”…

Më ka marrë malli të vij e të jem nxënës, unë mësues kam një Fije Bari
Pranomëni siç jam, s’pranoj zëvendës dhe pse e di që s’jam i pari…
Pranomëni siç jam: Shpirt shpuze, shpirt shtegtari…
Dhe dallëndyshet, dhe lejlekët braktisin hierarkinë – më venë të parin…
Ndaj, o miq, kur lart ngrini kokat, s’shikoni zogj e shpend, por mua: flatrazjarrin
Me flatra malli, miq… Shiroka, Vaso Pasha… me mua shtegtojnë
Malle shqiptari…!

Le të qeshim miq me sherret tona, që shpesh i ngremë qiellit si balona!
Kemi Tiranë, Shkodër, Durrës e Valona, verë e birrë në tryezat tona.
Mbromp, o miq, kthejini me fund gotat, jemi ne dhe si ne është Bota
Rracë hardhish rrjedh në venat tona, zemrat për miqtë i kthejmë në gota…

Më ka marri malli për sherre miqsh, për një dorë në sup, më ka marrë malli!
Harrove, vëlla, s’kemi gjak armiqsh, jemi thjesht prush i një mangalli.
Shtegtuam në qiej tragjedish, me një flatër Engjëlli e një Djalli
Të bëj ftesë, në Amerikë të vish, me flatra lirie, flatra malli
Gjithë kupën e zemrës me etje ta pish, derdhi lotët nga gjëndrat e hallit
Dhe dollinë e Jetës mos e thur të trishtë, ngrini kokat lart me kupat e ballit
Me gllënjka të mëdha gjithë Lirinë ta pish, Lirinë tonë Bota s’ mund ta talli…

Më ka marrë malli të vij e të jem nxënës, unë mësues kam një Fije Bari
Pranomëni siç jam, s’pranoj zëvendës dhe pse e di që s’jam i pari…
Pranomëni siç jam: shpirt shpuze, shpirt shtegtari…