Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Ishulli i lebrozëve

507
Sigal

Ishulli i vogël, i rrumbullakët, si tortë ditëlindjeje, ndodhej shumë milje larg linjave lundruese. Dikur banohej nga një fis i vogël, i cili nuk dinte asgjë se çfarë bëhej përtej oqeanit dhe që arrinte të jetonte me pasuritë e tokës së rrumbullakët, që ata e quanin Shputa e Këmbës së Diellit, ngaqë thuajse gjithnjë shullëhej nën diell, i dehur nga gjelbërimi e gjallesat e shumëllojta. Përplasja në ishull e një anijeje me ekuipazh të vdekur, qe kontakti i banorëve me qytetërimin. Brenda në kabina gjetën sende tepër të çuditshme, por më kryesori ishte një televizor bardhë e zi, i cili filloi t’ i argëtojë pa masë, madje ata nisën t’ i faleshin njëlloj si zotit të tyre. Mirëpo, mikrobi i kolerës, që kish shuar ekuipazhin, nisi të veprojë dhe te banorët e ishullit të vogël. Për t’ i shpëtuar shfarosjes, të mbeturit, disa djem të fuqishëm, duke i thithur udhëzimet rastësisht nga televizori, morën anijen dhe u nisën në det të hapur, pa ditur se ku do të shkonin. Lemeria e vdekjes u bë dhe busull dhe timon.
Po rastësisht, anija e tyre arriti në brigjet e kontinentit. Vetëm tre banorë të ishullit mbetën gjallë. Mjekët thanë se ata vuanin nga kolera, i izoluan në karantinë, u dhanë ndihmën e nevojshme, që ishte e para dhe e fundit njëkohësisht. Para vdekjes së të ardhurve, kontinentalët kuptuan se nga vinin: nga një ishull i vogël, i rrumbullakët, që fisi e quante Shputa e Këmbës së Diellit. Për tragjedinë e ishullit folën gazetat dhe, më në fund, nën kujdesin e disa qarqeve të fuqishme, drejt tij u nis një ekspeditë e vogël, e cila u bë dhe shkaku i ngritjes së spitalit të lebrozëve.
Në ekspeditë bënte pjesë një bos i fuqishëm, i cili sapo shkeli në Shputën e Këmbës së Diellit, u mahnit nga bukuria e ishullit, nga gjelbërimi, dielli dhe reshjet e buta. Mbase vetvetiu i lindi ideja e ndërtimit të një spitali për lebrozët. Spitalin e ndërtuan brenda tre muajve: me njëqind shtretër, me pajisje moderne, me salla çlodhjeje të mbushura me aparate argëtuese elektronike. Edhe mjedisi rrotull spitalit qe i mrekullueshëm: fusha tenisi, kopshte çlodhëse, një basen me ujët që shkëlqente si medaljon. Në fillim erdhën dy mjekë dhe dhjetë infermiere, si dhe personeli tjetër i shërbimit, të cilët ia nisën punës me dëshirë të çuditshme. Ishte e pafalshme të shprehje qoftë edhe pakënaqësinë më të vogël për këtë vend përrallor. Më në fund i sollën dhe njëqind të sëmurët, të cilët u befasuan kur panë këtë ishull të bukur, gati parajsor, që e kishin reklamuar kaq shumë në këto tre muaj. Jeta e spitalit filloi dhe vazhdoi natyrshëm gjatë gjithë javës së parë, derisa një ditë, një i sëmurë, i tregoi infermieres, se kish parë nga dritarja një anije, që ish ankoruar në breg. Infermierja e vështroi pacientin tepër e habitur. Nuk qe e mundur që në ishull të kish hedhur spirancën ndonjë anije, sepse kjo qe e ndaluar dhe, jo më kot, televizorët e botës në këto tre-katër muaj, kishin folur për spitalin e ri të lebrozëve. Mirëpo, çuditërisht, edhe pacientët e tjerë dëshmonin se me sytë e tyre, në mesnatë, shikonin një anije në breg. Të dukej sikur të sëmurët kishin parë një ëndërr të përbashkët. Mjekët dhe infermieret hynin në çdo dhomë, duke u thënë pacientëve se kjo ishte thjesht një lajthitje, apo një ndjenjë malli, që tek ata merrte formën e anijes. Mirëpo, edhe në mëngjesin e ditës tjetër, pacientët, thuajse të gjithë, u shprehën se kishin parë të njëjtën anije. Natyrisht, që kjo ëndërr masive në dukje, nuk kish ndonjë gjë të keqe, aq më shumë që nuk ndikonte negativisht në shëndetin e të sëmurëve. Mirëpo, shqetësimi rritej si orteku, sepse të sëmurët nuk shikonin vetëm anijen që ankorohej, por edhe njerëz që zbrisnin në ishull. “Madje dëgjojmë edhe zhurmë motorrike”, shpreheshin lebrozët.
Personeli mjekësor u detyrua që për disa net të bëjë roje pranë të sëmurëve, të cilët vazhdonin të shihnin, që nga dritaret, anijen – fantazmë. Kryeinfermierja u tha se kjo psikozë-ëndërr, duhej të kishte lidhje me historinë e dhimbshme të ishullit: përplasjen në këto brigje të anijes me ekuipazh të vdekur, epidemia e kolerës te banorët e Shputës së Këmbës Diellore, udhëtimi me po atë anije i atyre pak banorëve të etur për të jetuar…. U duk sikur lebrozët e gjorë u qetësuan disi nga këto fjalë. Mirëpo nata zbriti shpejt, e gatshme për të zgjuar sërish mistere të reja. Lebrozët, të gjithë pa përjashtim, u tregonin mjekëve, infermiereve dhe personelit tjetër, se anija qe shfaqur sërish, atje në breg, madje, zhurmat motorike qenë shtuar. “Po kjo nuk durohet! U çmendëm!” shpreheshin hapur ata të personelit. U detyruan të thërrasin një psikanalist nga kontinenti, i cili nuk vonoi dhe erdhi me një avion të posaçëm. Psikanalisti, pasi pyeti me radhë të gjithë lebrozët, arriti në përfundimin e kryeinfermieres, se vërtetë kjo ishte një psikozë masive e mbështetur në legjendën e fatit tragjik të banorëve të ishullit. Këtë ua tha hapur të sëmurëve. Për t’ i qetësuar u ndërruan edhe dhomat, por më kot: anija e tyre vazhdonte të shfaqej. U detyruan të sjellin roje të armatosura, siluetat e të cilëve dukeshin në breg. Por, sipas të sëmurëve, asgjë nuk kish ndryshuar, përveç faktit që tani anija ruhej. Atëherë nga disa qarqe, u pa e arsyeshme që pajisjeve speciale të spitalit, t’ u shtoheshin edhe ca pajisje të tjera, të domosdoshme për spitalet psikiatrike. Tashmë pacientët i ushtroheshin edhe një kontrolli të dytë. Raca njerëzore historikisht ka prodhuar rebelët e vet dhe pse pushtetet e qarqet e fuqishme kanë prodhuar mjete të shumëllojta nënshtrimi. Edhe të sëmurët e këtij spitali, ngulmonin njëzëri se ato që thoshin ishin të vërteta. “Na çoni në breg, thanë ata, vetëm atje do ta besojmë nëse kjo që shohim nuk është anije, po fantazmë.” I çuan në breg. Madje, me këtë rast, u ftuan nga kontinenti i largët edhe disa gazetarë e telekronistë, të cilët përgjuan bashkërisht tërë natën: asnjë anije nuk u shfaq. Atëherë drejtori i spitalit, disi i ngrefosur, shpalli se “ky ishte thjesht një fiksim i përgjithshëm, sepse, siç e patë, nuk na doli asnjë anije!”. Pastaj, ai u kërkoi të falur gazetarëve dhe telekronistëve, madje i falënderoi që guxuan të vinin deri këtu, në këtë zonë të rrezikshme infektimi “dhe pse?! Vetëm për të verifikuar një ëndërr!” Të zhgënjyer e të dërmuar, me turpin që u binte copa-copa, më keq se lëkura, pacientët u kthyen në godinën e mrekullueshme të spitalit, u mblodhën në sallën e çlodhjes dhe vendosën që të mos hapnin më gojë. Anije nuk kishte dhe… pikë! Megjithatë, natën, mbase për forcë zakoni, të gjithë pacientët e gjorë, instinktivisht, ngritën kokat dhe panë nga dritarja: për djall (!) anija qëndronte atje, madje me një pamje kërcënuese. Tre të sëmurë, disi më të fortë, vendosën që fshehurazi të zbrisnin deri në breg. Ishin të katit të parë dhe nuk e kishin të vështirë që natën të arratiseshin nga ballkonet e ulëta. Në mëngjes, mjekët, tepër të hidhëruar, lajmëruan pacientët se kishin vdekur tre të sëmurët e parë, të cilët tashmë qenë mbyllur në arkivole. Pacientët i panë arkivolet, kufomat patjetër që duhej të ishin brenda tyre. Atë natë anija u harrua. Të sëmurët mendonin stinën e vdekjes. “Këtë duhej ta kishim bërë më parë”, tha kryeinfermierja, e cila çoi nëpër mend tre kafkat e shpuara nga plumbat. Ishulli i mrekullueshëm, si tortë ditëlindjeje, notonte në det e në diell. Por disa pacientë nuk mund të rrinin të qetë; ata dyshonin për vdekjen e tre shokëve, ndaj vendosën të veprojnë sipas një plani: mos të shkojnë të gjithë në breg për të verifikuar ankorimin e anijes, por vetëm një pjesë, kështu, ata që do të shkonin, edhe nëse vdisnin, kishin dëshmitarë shokët e mbetur dhe atëherë, gjithçka ishte e qartë. Dy të vdekurit e tjerë u varrosën natën, ndaj pacientët nuk mundën t’ u jepnin dot lamtumirën. Kur njeri prej të sëmurëve guxoi dhe tha se dy shokët e tyre qenë vrarë, drejtori i spitalit qeshi hidhur, i vuri pacientit dorën në sup, duke i thënë me cinizëm: “Në realitet, edhe mundet…. Mos doni të thoni se edhe tre të parët janë vrarë?…. Mos doni të thoni se ju keni ardhur këtu që të vriteni?!… Po ky është kulmi! Mosmirënjohës! Në fillim anija, kurse tani, vrasjet… Ruana, o Zot!”. Anija vazhdonte të rrinte në breg, ashtu e bardhë, si tridhjetë e dy dhëmbë ngërdheshjeje. Të sëmurët nga lebra i zhdukën dy e nga dy e pesë e nga pesë, derisa një ditë mbeti vetëm njëri prej tyre. Ky i fundit pa se spitali shumë shpejt u mbush me pacientë të tjerë, të cilët tashmë nuk kishin veshur pizhame, por rrobe ushtarake. Anija vazhdonte punën e saj dhe ishulli Shputa e Këmbës së Diellit, mbushej çdo ditë me armë bërthamore. Për lebrozin e vetëm e dinjitoz kujdeseshin të gjithë mjekët, madje dhe ushtarakët, sepse ai ishte i vetmi që mund t’ u tregonte gazetarëve dhe telekronistëve për spitalin e mrekullueshëm, ku vazhdonte me sukses kurimi i lebrozëve.