Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Duel me heshtjen

474
Sigal

Heshtja me parzmore të ndryshkur afrohej drejt meje,
duke skërmitur dhëmbët e saj të zinj e të mprehtë.
Ish ulur padurimi mbi fronet e ndërgjegjes
dhe fishkëllente si një tifoz i çmendur.
Hingëllinin kuajt e mosbesimit në grazhdet e errtë të mendimeve,
pluhuri i heshtjes ngjitej në shkumën e tyre.

S’doja të heshtja
Dhe këndoja një këngë të njohur me gjithë zërin
afrohesha drejt heshtjes si drejt binjakes qesharake të Don Kishotit.
S’doja të heshtja dhe me zhurmën besnike të hapave të mija,
me vetëtimat e emocioneve në kokë,
rendja drejt heshtjes, rendja…
Kërcehej një valle makabre në moçalet e zeza të syve,
mbi sytë e shkyer të heshtjes një valle regresive.

Heshtje!
Më pëlqen ajo që ti s’mund ta pëlqesh:
Zhurma e fëmijëve në rrugët e qytetit, puthjet, duartrokitjet, këngët
Potenciali progresiv i popujve të botës: Majakovski, Ajnshtajni, Bet’hoveni
Marshet funebër në mjegullën e ndezur të varrezës
Pavdekësia për të rënët.

Heshtje!
Të pëlqen të sodisësh këmbëkryq vështrimet e lotuara të jetimëve
Të trokasësh gishtërinjtë e ftohtë mbi supet e zhveshura nga regjimet
Mbi zhurmën jetëdhënëse të pëlqen të pështysh.
Heshtje!
Korjere çalamane e padrejtësive!
Diplomaci e botës së rrënuar!
(Ti paske fizionomi njeriu!)
Fantazmë amorfe mbi frone qeverie
Zhvishu! Zhvishu! Zhvishu!
“Hiqi dhe maskat!” thërrasin të gjithë
Ti – një Mefistofel i shëmtuar në shpirt dhe unë një Faust i pjekur, modern.
Ti kërkon që të mohoj gjithçka të re, gjithçka të bukur
të rri gjithë jetën i fjetur, gjithë jetën i plogësht,
të kthehem prapa në një kohë obllomovësh.
Të urrej lëvizjen, të urrej zhurmën
Se kështu do rroj i lumtur në Kontinentin e Heshtjes,
Po a mund t’i besosh zërit premtues të prostitutës
në kohën kur ajo fle në shtrat me një tjetër?!

Dhe qëllova me forcën e pamëshirës.
Qëllova për të rënët, qëllova për të gjallët,
Parzmorja u thye, hingëllimat u vranë,
Gjaku hungëroi si një përbindësh
(Ç’gjak i çuditshëm, i pakapshëm si avull!)
Heshtja u shemb në këmbët e mija
u thye në fishkëllimat dhe akustikën e sallës.

Yjet e çlodhur shtynin arkivolet e reve.
Në botën time filloj të lëviz një horizont i zhurmshëm
hingëllimat e përgjakura treteshin në heshtje
dhe Dielli i ringjallur më i fortë se kurrë,
afrohej i pastër, i bukur
si në ditë feste.

Dhe salla thërriste me një gjuhë të vetme: “Heshtje-
Bijë e shëmtuar e regresit,
Kornerë çalamane e padrejtësive,
Të rrokullisëm
Ne,
Njerëzit
në gijotinën
e natës së përjetshme!”

Një ditë të gjithë do marrin pjesë në pushkatimin plot zhurmë të heshtjes.