Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Ajo u pickua nga një gjarpër i dashuruar…

505
Sigal

Ajo u pickua nga një gjarpër i dashuruar fiks në ora 12
Kur dy akrepat përqafuar kryenin ritualin e vet
Fiks në 12.

E shtrirë në shtrat me lëkurë të verdhë: pergamen ku qe shkruar fjala Vdekje
Mjekët mbledhin buzët si guaskat në brigjet e Habisë
unë lutem për të
siç lutet për renë e vockël toka që ka etje.
Ora: 13.

Unë lutesha, lutej nëna dhe babai i saj,
për të luteshin të gjithë
në ora 14 i tërë spitali
qe kthyer në kishë.

Në ora 15
filloi të flasë përçart
në buzët e çara përplaseshin erëra
sërish mjekët mbledhin buzët si guacka kërnace, pa perla.

Ish koha kur unë nisa të qajë
Qirinj lotmëdhenj më kishin mbushur zemrën, mushkëritë…
Mos qaj, thonin nëna, babai i saj
Dhe spitali i kthyer në kishë…

Fiks në 16
Tha Zoti i zënë në faj:
Helmi i gjarpërit të dashuruar
U mund nga loti i dashurisë.
Në ora 16
Fiks.