Suplementi Pena Shqiptare/ “Engjëjt e errësirës”/ Një roman për diktaturën pa maskë

Alda Mehmeti 

Autorja Alda Mehmeti ka pasuruar letërsinë shqipe me një vepër, e cila sjell në fokus periudhën më të egër nëpër të cilën ka kaluar vendi ynë, diktaturën e pesëdhjetë viteve mohimi e privimi të çdo të drejte njerëzore dhe hyjnore që shoqëria shqiptare përjetoi në atë kohë. Në qendër të romanit qëndron familja “Raveli”, e cila si shumë familje të tjera iu nënshtrua përndjekjes së gjatë e të pafund vetëm e vetëm pse ishin intelektualë dhe, siç ka cituar autorja në vepër, “politikën e nuhasnin mirë, e dinin si gatuhej me brumin e këtij vendi; ndaj regjimi këta njerëz nuk i honepste, i druhej si djalli nga temjani…” Personazhi kryesor i romanit, djali i kesaj familjeje, Flori Raveli, arrestohet per tentative arratisjeje, gjë e cila u bë shkak që familja të binte në humnerë, por goditja kishte filluar që herët, në fillim të viteve pesëdhjetë, kur qe hedhur “bomba” në ish-ambasadën sovjetike në Tiranë, ngjarje e cila u shfrytëzua si pretekst për të burgosur e pushkatuar me qindra intelektuale të kohës, ndër të cilët edhe intelektualin Simio Raveli. Dhe kështu drama në roman zhvillohet në dy paralele: nga njëra anë jeta e Flori Ravelit në burg me dhunën, torturat dhe metodat çnjerëzore, e nga ana tjetër jeta dhe vuajtjet e kësaj familjeje në kampin e internimit, buzë kënetës së Adrios, ku puna rraskapitëse, trysnia dhe përbuzja e pushtetit, varfëria dhe kushtet mizerabël midis baltës dhe të ftohtit apo vapës zhuritëse, ku kufiri midis ekzistencës dhe mos ekzistencës ishte pothuajse i padukshëm, japin më së miri një panoramë rrëqethëse në roman. Në këtë roman lexuesi do të njihet me disa personazhe, të cilët plotësojnë kuadrin e asaj shoqërie që në aspektin e luftës së klasave ishin kthyer në viktima të saj dhe të tillë kishte nga të gjitha shtresat shoqërore: politikanë, artistë, shkrimtarë, dramaturgë, familjarë të tyre, të cilët duke ngërthyer fatin e tyre në një bosht japin tablonë e plotë të kohës. I ashtuquajturi socializëm humanitar, siç predikohej, në roman del si një diktaturë pa maskë, sepse përmbyste jetë dhe fate njerëzish, të cilët nuk dinin se ç’faj do t’u vinin në kurriz dhe ç’do t’u sillte e nesërmja. Kjo ide del shumë qartë gjatë pasqyrimit në roman të periudhës kur lufta e klasave arriti kulmin e saj, u ashpërsua deri në atë nivel, sa çuditërisht nisi të bëhej më e fuqishme brenda llojit, duke eliminuar njerëz që gjer dje ishin shërbëtorë dhe artizanë të këtij pushteti.