Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: Sa kushtojnë maskat?

476
Sigal

Një çift qe ftuar në një mbrëmje të madhe dëfrimi nga ato që pjesëmarrsit janë të detyruar të fshehin fytyrat nën maska. Nusja tha se i dhimbte koka dhe këshilloi burrin të shkonte vetë, pa të.
Ai e desh shumë të shoqen dhe tha se pa të nuk do të shkonte dhe se darka nuk kish kuptim po të mos ishin bashkë.
Ajo tha se do të merrte aspirinë e do t’i fuste një sy gjumë, pra do të ishte mëkatë që ai të mos e gëzonte festën.
Kështu ai u bind, mori kostumin e blerë posaçërisht dhe shkoi. Ajo fjeti ndonjë orë dhe u zgjua pa asnjë dhimbje koke. Ishte shpejt ende. Gruaja vendosi të nisej me vonesë aty ku bëhej festa. I shoqi i saj nuk dinte se çfarë kostumi të maskuar do të kishte nusja e tij, kurse ajo kostumin e tij e njihte. Në këto kushte do të ishte e bukur që ajo të shihte të shoqin se si po gëzonte kur nuk e kish të bashkëshorten nëpër këmbë.
Zonjëza mbërriti menjëherë dhe e pa të shoqin në mes të sallës, me kostumin që ai e pat blerë me qejf dhe që po kërcente herë më njërën dhe herë me një tjetër… Ajo nisi ta sodiste kur i shoqi i maskuar mirë herë u jepte damave të puthura të lehta dhe herë i shtrëngonte ato, ashtu siç ishin të maskuara, pas vetes.
Ajo, vajti drejt tij dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen e kavaljerit, që u mrekullua kur pa t’i bjerë në grep një damë e re e panjohur, që sapo kish ardhur. E shoqja, me kënaqësinë e maskimit të saj e la kavaljerin të bënte me të çfarë të deshte, ta shtrëngonte në krahë t’i murmuriste fjalë të ëmbla në vesh, ta puthte, e tjera e të tjera…
Më në fund ai me një zëth të ëmbël, sa mezi dëgjohej e ftoi damën e panjohur të hiqeshin në një të ndarë ku nuk kishte njeri. Shkuan të dy dhe pa i hequr maskat dhe kostumet, e gëzuan dhomën e patrazuar me të gjitha çka deshën. Asaj nuk i vinte mirë që i shoqi sillej ashtu me një të panjohur, por vetë e shijoi tërë dashurinë e burrit të vet, të cilit, me ligj, i takonin të gjitha.
Para se të vinte mesnata, kur që të gjithë do të hiqnin maskat, ajo u përvodh, iku në shtëpi dhe mezi priti burrin që ta pyeste dhe ta dëgjonte se çfarë vallë do t’i tregonte ai.
Nusja pat fshehur kostumin dhe po lexonte, kur ai u dha në derë.
Ai tregoi se darka ishte një nga më të zakonshmet dhe, bile, ai ish i mërzitur që ajo nuk pat vajtur tok me të. Pastaj ajo e pyeti:
“Po hë, mo! A kërceve ndonjë çikë?”
“As edhe një herë të vetme,” u përgjegj ai. “Takova Petrin, Maksin dhe ca djem të tjerë, kështuqë i lamë vallëzimet, u hoqëm në një dhomë dhe lojtëm poker tërë natën.”
“Sa mirë!” tha e shoqja e cila u bë gati t’i zbulonte gënjeshtrën, t’i rrëfente se edhe ajo pat vajtur atje, se ai s’e pat njohur dot, edhe jo vetëm patën vallëzuar tok, por në atë të ndarën, patën…
“Po nuk e kishin kaluar keq edhe të tjerët,” vazhdoi tregimin i shoqi. “Ai djali, që unë i dhashë hua maskën dhe kostumin tim, më tha që nuk pat ndjerë kurrë kënaqësi më të mëdha se këtë herë!”