Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: Nga “vjershat” e mia

480
Sigal

Të tilla “vjersha” kam bërë unë, në tërë këta vite. Ju, miqtë e mi, e dini. Para 30 e ca ditësh në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, u shfaq Koncerti i natës së Vitit të Ri, që m’u ngarkua mua. Falënderoj artistët e shumtë që m’u bashkuan në atë sipërmarrje. Me siglën “Tok Tok 2019” mund t’i gjeni të gjithë elementët, (valle, skeçe, këngë, vjersha, filmthe të shkurtër në You Tube. Po postoj për ju një hise të koncertit, një dialog interpretuar shkëlqyeshëm nga dy aktorë kalibri që më nderuan Koncertin, Natasha Sela dhe Neritan Liçaj.

Ndihmoni të pasurit

Vetët: HALLA, pensioniste e këputur NIPI, prokuror

Në një shtëpizë periferike, ku gjallon një grua e vjetër dhe e vetmuar. Halla, e ulur në një sofa të vjetër, me një batanije mbi gjunjë për t’i ngrohur ata, po zhvesh një banane. Dëgjohet një makinë që ndalet në afërsi të shtëpisë. Një derë automjeti hapet dhe mbyllet. Dëgjohet zëri i një burri: “Parkoje dhe prit aty!” Dhe menjëherë Hallës i shfaqet Nipi.

* * *

  • Mirë se të gjej, hallë Nezo!
  • Mirë që nuk ma paske harruar shtëpinë, or t’u bëftë halla. (Përqafohen). Nuk të lenë punët e mëdha të shtetit, prokuror i hallës!
  • Pse nuk e ngre atë dreq telefoni?
  • Ja! (ia tregon). Ka një muaj që e ka qepur gojën.
  • Bli një telefon të ri, moj hallë Nezo? Flake tutje këtë palo gjë!
  • Di halla të bëjë byrek, po nuk ka miell.
  • Dëgjo hallë, se nuk kam kohë. (Nxjerr një letër dhe i hedh një sy). Mos harro datën 31 dhjetor 2016. Është fjala për një shumë 400 mijë euro, që ka ndërruar dorë mes nesh. E kam deklaruar diku dhe shteti po e verifikon, a është e vërtetë kjo. Po të vijë puna të të pyesin…
  • (Ia merr llafin nga goja) …t’u them që m’i ke dhënë mua. Po kush më beson?! Ku i kam eurot? • Jo unë ty, moj! Ato 400 mijë, m’i ke dhënë ti mua!
  • Ëh! (Meket). Unë t’i kam dhënë ty?! E zeza! Isha e çmendur unë?!
  • M’i ke dhënë se i kishe mënjanë, më ke nip të dashur dhe m’i dhurove me një afat të gjatë.
  • Po kjo…
  • Hallë Nezo! Kam shumë nevojë.
  • Kuptoj, dhe do të t’i jepja me gjithë zemër, por nuk kam asnjë grosh. (Tregon mjedisin që e rrethon). Ti më sheh.
  • M’i ke dhënë! Dëgjon? M’i ke dhënë! S’ke ç’më jep më! Kështu, thuaj! Dhuratë! Më tridhjetenjë dhjetor të gjashtëmbëdhjetës! Më pret burgu ndryshe. Naaa, m’i ka hapur nofullat para surratit.
  • Uaaa! E zeza!
  • Mos bërtit!
  • (E kupton porosinë). T’u bëftë halla. Pa merak! Po më pyetën ashtu do them. 400 mijë euro. I kisha mbledhur çikë e nga një çikë, si plaga qelbin. Që në kohë të Koçi Xoxes, Enverit…
  • (Nervoz). Nuk kishte euro në kohë të Koçit. E gjejmë se si e qysh i pate mbledhur. Por, ajo që është kryesorja: m’i ke dhuruar mua!
  • Ty, të keqen, ty! (Befas, me lutje). T’u jap edhe atyre dy nipërve të tjerë. Se edhe ata, të gjorët…
  • (Ul zërin, por më nervoz se më parë). Leri, moj, nipat e tjerë, se nuk janë prokurorë, ata! Unë kam nevojë. M’i ke dhënë mua.
  • (Halla e kupton mësimin) T’i dhashë ty, e mora vesh! Më mirë që t’i kam dhënë unë, se po të m’i jepje ti, do të më thoshin “Përse je kaq e varfër pastaj?” Unë, unë! Po besohet që t’i kam dhuruar unë, të keqen halla? Ç’ne unë?! Pse nuk ua kërkon të t’i dhurojnë vëllezërit, kushërinjtë? • Kam deklaruar dhe për ta. I kam përdorur të tërë. Kam thënë dhe është shënuar atje. Më kanë dhuruar: Sokoli, 120 mijë euro, Besimi, 50 mijë. Xhaxha Selfua 250 mijë euro.
  • Je në vete?! Ku ka Selfua! Ai është pa brekë në bythë e të paska bërë dhurata ty, që m’i ndërron makinat më shpesh seç ndërron çorapet! Ku i paska gjetur Selfua?
  • Nuk e di. E di ai. M’i dhuroi edhe pikë.
  • Po kush e ha këtë! Pu-pu-pu!
  • Mos bërtit! Unë ua vura këtë fakt përpara autoriteteve dhe ata, daç ta hanë, daç të mos e hanë! Ika!
  • Naaa. Le të mos e hanë, po a do ta besojnë?
  • (Me ngut). Ika. Të puth. (Del).
  • (E ndjek pas e merakosur) Po qysh do ta besojnë?! Demek, qenkan mbledhur farefisi i këputur të ndihmojnë njeriun e tyre, atë të krimburin në para!
  • Mos bërtit! (Largohet me ngut).
  • (Klith). Po bërtet vetë kjo, moreee! Oh, zemra! Vetëm në këtë vend ndodh që të varfrit u japin lëmosha pasanikëve! Oh, zemra! Uh! Pëllumb Kulla (Fund)