Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: “Nga që nuk lexonim gazeta”

549
Sigal

Shkruar dikur, tani autori në rolin e lexuesit të vetvetes, vlerëson:

E ç’u kushtonte njerëzve të blinin një gazetë?! Asgjë! Po ne jemi popull i trashë dhe i pamësuar.
Nëse doni ta mësoni saktë, të tëra të zezat neve na kanë ardhur, ja, vetëm nga ai, moslexim i gazetave!
Shqipëria ishte hapësira më e lumtur në botë. Por, kokëtrashët e vendit, në vend që të lexonin gazetat e ta mësonin këtë gjë, i dorëzoheshin dëshpërimit, alkoolit dhe rrinin pikë e vrer tërë kohën e kohës! Ca bile, ia hoqën vetes, u varën dhe u mbytën thellësive.
Po sikur ishte vetëm populli, që nuk lexonte!
Tek ne, për shembull, asnjëherë nuk pat qenë e hequr liria e fjalës, por policët dhe ata dembelët e Sigurimit, as gazeta s’lexonin e as fjalimeve nuk ua vinin veshin. E nuk e ditën kurrë, që ajo e shkretë liri e shprehjes, ish e lejuar. Kurse ata, për një llaf, të hidhnin hekurat!
Tek ne ka pasur vazhdimisht ulje çmimesh. Mallrat dhe ushqimet mund të kenë pësuar afro 25-30 herë zbritje të çmimeve të shitjes. Por, as drejtuesit e tregtisë, as shitësit e as ata idiotët, blerësit, nuk lexonin lajmet. Dhe çmimet mbetën aq lart. Të vjen të pëlcasësh!
Bota që na rrethonte, ajo përtej kufijve, kish vetëm kalbëzim e papunësi. Të pastrehët në Perëndim, flinin urave dhe hendeqeve. Lypësat e rreckosur e këmbëzbathur numëroheshin me miliona. Këtë gazetat tona e thoshin përditë, të mos u hamë hakun! Por këta djemtë e vashat tona nuk i lexuan kurrë ato dhe u vërsuleshin telave me gjemba që mbyllnin kufirin, që të kapërcenin matanë e të degdiseshin në Perëndim. Kufitarët kokëgdhë hapnin zjarr, që të mos i linin të hidheshin. Shpenzonin fishekët kot, se ata të rinj të çmendur, do të vdisnin që do vdisnin andej matanë, në atë ferrin kapitalist, për ku ishin nisur! Le të ngordhnin në Itali e Amerikë, ku gazetat thoshin që vdekja qe e sigurt! Por edhe kufitarët nuk e dinin këtë, ngaqë nuk lexonin gazetat!
Në vendin tonë jetëgjatësia mesatare erdhi duke u rritur e rritur, deri në shifrën rekord të 72 vjetëve! Por injorantët nuk e morën vesh kurrë këtë arritje të sistemit socialist dhe vdisnin si pulat, që sa mbushnin 48 vjeç! Kush ua kish fajin? Në gazeta qe e caktuar mosha! Le t’i pëlcisnin sytë!
Të vetmit që lexonin gazetat shqiptare ishin armiqtë tanë përtej kufijve, që deshën të na hanin me gjithë lecka! Por gazetat tona ua përmbanin vrullin. Armiqtë mësonin prej faqeve të gazetave që botoheshin tek ne, që ne ishim pëllëmbë e çelik, të mëdhenj e të vegjël të armatosur gjer në dhëmbë! Ata lexonin aty, se ne ishim kala e pamposhtur, ku ata do të thyenin hundët e do të gjenin fundin e tyre të turpshëm.
Në fakt, këtë e bëmë gabim që u a thamë! T’i kishim lënë të na dinin të dobët e të vinin pastaj të hanin kokën e të gjenin fundin! Por, aha, iku ai shans! Dhe ata nuk e provuan kurrë! Ama, dyzetepesë vjet, i tërë populli i priste që të vinin! Një vezë do të thyhej: e tyrja!

Në tërë këta vite, pra, gazetat u kanë shërbyer vetëm të huajve. Brenda në Shqipëri nuk bënë dot asnjë efekt. Pse të mos e themi troç këtë dhe ta pranojmë hapur, komunistçe: nuk arritëm ta bëjmë shqiptarin lexues të gazetave tona!
………………………………………………………..
Shkruar më 1990, përmbledhur “Luftë pa Fund”