Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: “Grurë nga një farë e mire”

833
Libri “Ariu e gjeti llullën” më erdhi në dorëshkrim dhe shkurtimisht po jap disa mendime për lexuesit. Kam kënaqësi të përgëzoj autorët e këtij libri Kastriot Hadëri dhe Izet Çulli për gjetjen e tyre origjinale, tek marrin pjesë në kontributin për të hedhur edhe më shumë dritë mbi figurën e shquar të një personaliteti të kulturës, siç ishte Alizot Emiri i Gjirokastrës.

Ky qytetar i shquar gjirokastrit i meriton tërë dashuritë dhe simpatitë e bashkëkohësve të tij, përkujtimin dhe dekorimin që ia bën institucionalisht qyteti i tij i bukur i Gjirokastrës, iniciativën shembullore të fëmijëve të tij nëpërmjet botimeve, sikurse meriton komentet pozitive të figurave më të ndritura të inteligjencies kombëtare dhe specifikisht të letërsisë.

Dhe ja, së fundi, edhe ky vëllim me fabula, ku spikat mendjemprehtësia e këtij pishtari drite, tharmi i mençurisë së tij, lehtësia e atypëratyshme e krijimit të figurës, nxjerrjes së përfundimit komik, konciziteti goditës aq i mirënjohur i Zotes – cilësi këto, që më së miri i gjen në tërë fabulat, që me aq zell e dashuri kanë endur të dy autorët “duke vënë duart mbi një tastierë!” (Le ta sjellim më afër në kohë këtë figurë bashkautorësie!)

Është shumë e natyrshme, që autorët K. Hadëri dhe I. Çulli e theksojnë gati faqe për faqe burimin e pasur nga marrin farën e rrallë për vepërzat e tyre të këndshme. Por, paralel me farën, ne çmojmë edhe punën e kujdesshme rreth selitjes të këtyre fabulave, që s’ta lënë gazin të të ndahet nga buza. Nuk ke si të mos ndjesh dashurinë e madhe të autorëve për Alizot Emirin, krenarinë prekëse për bashkëqytetarin e madh, për gjuhën e tij që është edhe gjuha e tyre me koloritin e bukur të “qytetit të gurtë”. Bie në sy shija e hollë në përzgjedhjen e rrethanave dhe frazave të spikatura të personazhit, që kishin sjellë lindjen e secilës fabul, që të bëra tok u bënë dhe shkak të na binte në duar kjo vepër kaq origjinale.

Të dy fabulistët kanë angazhuar aftësitë dhe përkujdesjen që të ruajnë shkurtësinë e gjinisë, normat e vjershërimit, ritmin e vargut dhe, në përgjithësi, kanë mundur t’i arrijnë me sukses ato që kishin marrë përsipër. Unë pata kënaqësi të rralla me shumë prej tyre, por “për presidium” do të veçoja fabulat me titujt “Qan e qesh”, “Rënie nga pozita”, “Mbi libra”, “Përvoja”, “Zonja Çurre”… Dhe këto që veçoj, e bëj në nevojën e një “presidiumi” të kufizuar. Lexues të ndryshëm mund të formojnë lista të ndryshme, se aty vërtet meritojnë të shquhen shumë nga këto fabula të këndshme dhe të goditura.

Këtij vëllimi i uroj një pritje të mbarë nga ana e lexuesve të mbarë vendit, kurse autorëve z. Hadëri dhe Çulli ngrohtësinë e lexuesve, ngrohtësi që e meritojnë pas kësaj përvoje të bukur, për të fituar sa më shumë kënaqësi estetike dhe emocionale.
Dërguar nga Florida SH.B.A.

Sigal