Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: Baba, ne ikëm

164

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si dry një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole që mblidhen si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)

Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole,… në një botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në një kuti,
kjo kutia, baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri..

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot….
……………………………………………
(Një huazim i pjesshëm nga vargje fort të dashur të mikut tim Petrit Ruka)