Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: 7 Nëntor 2017/100-vjetori i Revolucionit Bolshevik dhe 70-vjetori i regjisorit

Në të njëjtën ditë, 7 nëntor, kur në Sheshin e Kuq të Moskës u mblodhën mijëra forca dhe makineri ushtarake, për të kremtuar 100-vjetorin e revolucionit bolshevik, dje, në Ibë, aty në periferi të Tiranës në një sfond shkëmbor piktoresk, ne shkuam t’i urojmë mikut tonë, regjisorit të mirënjohur Gëzim Kame, përvjetorin e shtatëdhjetë të lindjes. Ishim mbi 20 vetë: artistë të mirënjohur, kolegë pedagogë, ish-studentë e miq të teatrit që ia behëm buzëmbrëmjes me një auto-kolonë veturash që zbritën tatëpjetën drejt lokalit pranë amfiteatrit të bardhë. E befasuam shokun tonë, pasi ai u pat dhënë fund festimeve me familjarët, pat marrë buqetën me lule të ministres së Kulturës, znj. Kumbaro, verën që sillte urimet e kryeministrit Rama dhe mesazhin e ngrohtë të Presidentit Meta. Vera jonë që iu shtua asaj të kreut të qeverisë, nuk u përmbajt deri pas mesnatës. Nuk u shterr gazi gjatë tërë mbrëmjes. Në vatrën e humorit u hodhën kujtimet e ish studentëve Xhevahir Zeneli dhe Agron Llakaj, shpotitë e Ndrenikës, tingujt lodërtarë të klarinetës së mjeshtrit Fatos Qerimaj, falënderimet për prindërit që na e sollën mikun tonë në jetë, deri dhe topat e Aurorës që nga Petrogradi e patën paralajmëruar këtë lindje plot 30 vjet më parë… Në kët’ urim nëpërmjet fejsbukut do të doja të hidhja e disa “penelata” profesionale. Gëzim Kames mund t’i atribuohen shumë veti të bukura, si regjisor dhe si pedagog, por unë do të veçoja më shumë një tipar tjetër dallues të këtij artisti: Kame është një nga regjisorët që ndoshta më shumë nga të tjerët ka kërkuar rrugë të reja, aspekte të pazbuluara më parë në fushën e teatrit. Në jetën e tij të pasur teatrore ai ka kërkuar dhe ka kërkuar pa u lodhur. E ka bërë këtë në teatrin qendror dhe në ata të periferisë. Më të spikatura këto dalje të tij në mejdanin teatror janë “Shkallët” e autorit Ruzhdi Pulaha, (që, ja, mbrëmë ishte rreth tavolinës së improvizuar) në të cilën regjisori Kame befasoi me fushën e lojës, ku për vete përdori sallën, ndërsa spektatorëve u la llozhat përreth, galerinë dhe… vetë skenën! Ishte pastaj “Bernarda Alba” e Lorkës, “Magjia e madhe” e De Filippos, “Fernando Krafti’ i Tankred Dorstit. Vetë Teatri Kame jashtë Tiranës, në sfondin e shkëmbinjve të Ibës dhe Pëllumbasit është një gjetje e një kërkuesi të palodhur dhe befasues. Rezultatet jo aq të shumta, saç akoma priten në atë teatër, hëpërhë duhet t’ia faturojmë edhe ndihmës së munguar nga ana e organeve shtetërore. Por, e them me siguri, që e ardhmja do t’ia rritë vlerën amfiteatrit të tij të bukur. Gëzim Kame ka guxuar mjaft edhe në fushën e tematikës së mprehtë. Këtë e pamë tek “Shkallët”, përmendur më sipër, ku në podiumin e akuzës vihej shteti i degraduar komunist i vendit, i cili ishte i rrezikshëm dhe reaktiv deri në orët e tij të fundit. Mund ta vemë re dhe tek drama e Garsia-Lorkës, ku një zonjë tirane u ka imponuar zinë e përjetshme vajzave të saja, të cilave u vlon gjaku rinor dhe që e kanë si zgjedhë atë zi. Dhe ky spektakël dinjitoz, realizuar me studentët e fakultetit, e hapte perden jo rastësisht më 1985, pas asaj koreografie mbresëlënëse të vajtimit të Enver Hoxhës dhe Shqipërisë së përzishme që rrobën e errët u mat ta vishte gjatë. Kam mendimin se tingullit paralel të elementit të pikëllimit zyrtar që sjell zia, regjisori Kame i ka bashkuar një nga përshkënditjet më të talentuara të aftësive të tij profesionale. Atmosfera e kërkuar dhe e arritur e një vdekjeje, e cila nxin dukshëm jetët e të tjerëve, e bën këtë shfaqje më të mirën e karrierës së tij dhe një nga më të mirat e kohës në kuadrin e realizimeve të teatrit kombëtar. Këtë angazhim qytetar artistiko-politik të këtij regjisori mund ta vëmë re dhe në qëmtimet në vepra të tjera të repertorit të huaj, për t’u dhënë jetë alegorive e aluzioneve të shumta që i tërheqin artistët e impenjuar, të cilët nuk rrinë dot pa u vërtitur si fluturat rreth flakëve. Ata që kujtojnë “Kush e vrau Kastijin?” e realizuar në teatrin e Fierit, apo “Vizitën e Damës Plakë” në Teatri Popullor me siguri e kanë ndjerë këtë tendencë të spikatur të këtij regjisori të shquar. Artisti për të cilin po flasim ka bërë një punë shumë të gjerë dhe të kualifikuar në fushën e pedagogjisë teatrore dhe në përgjithësi në tërë orientim-administrimin e fakultetit të dramës dhe teatrit. Aty ai ka qenë angazhuar në një punë mësimore që nga ABC-ja e mjeshtërisë së aktorit e deri tek realizimi i spektakleve që nuk kanë ndenjur aspak kryeulur përkrah atyre të teatrove profesioniste. Me Gëzimin jemi lidhur herët në një miqësi nga e cila mund të shtrydhësh shumë motive dhe mesazhe shoqërorë dhe, bile, politikë. Gëzim Kame u mundua të më mbante afër Fakultetit të Teatrit që ai drejtonte në Akademinë e Artit, duke më ftuar si pedagog të jashtëm, duke më përfshirë vit për vit në komisionet e përzgjedhjes së studentëve, duke i bërë komeditë e mia lëndë mësimore dhe duke mos i ndërprerë përpjekjet e tij të shumanshme në organet e partisë dhe ato shtetërore për tërheqjen time në trupën pedagogjike të fakultetit. Nuk i la përpjekjet deri sa e arriti atë që desh ai, (dhe unë!) falë dashamirësisë së disa njerëzve me pushtet e falë autoritetit politik dhe artistik të vetë Gëzimit, këtij miku të vyer e të pazëvendësueshëm. Miqësia jonë ka gjeneruar frymëzim dhe bashkëpunim në punët tona të përveçme dhe të përbashkëta. Unë e afrova Gëzimin me teatrin e Bonnit, teksa në kryeqytetin e atëhershëm gjerman, në stafin shqiptar diplomatik, mbuloja punët e kulturës dhe të shtypit. Të gjitha këto i kujtuam edhe mbrëmë… E qeshura e mikut tim Gëzim Kame mua më mrekullon. Dhe unë për t’ia shkaktuar atë u kthehem thumbave dhe shpotive të mia, që konsumator të parë kanë vetë atë. U bënë vite që unë tjerr legjendën e Ditëlindjes së Gëzimit që ka rastisur të jetë më 7 nëntor, ditën e madhe të Revolucionit Bolshevik. Por unë, me një të rënë të gjuhës, e fshij rastësinë dhe nis tregimin saktësisht nëntë muaj para shtatë nëntorit, në një krevat bashkëshortor të dy komunistëve të devotshëm, prindërit zemërartë të Gëzimit, që llogarisin që fëmija që kanë ndërmend të zenë atë natë, të lindë në ditën e festës së madhe! Dhe ia arritën! Para ca vitesh unë zbrita në Rinas në një ditë kur zoti Kame, presidenti iniciator i Festivalit Ballkanik të Teatrove, i jepte udhë natës së parë. Atë qëndrim në atdhe vendosa ta nisja me një vajtje në Teatrin Kombëtar. Takova mikun tim dhe u ulëm pran e pranë. Para se të hapej perdja, presidenti Kame bëri çeljen me një fjalim të shkurtër përshëndetës. Dhe meqenëse në natën inaugurative kishin ardhur dhe autoritete shtetërorë, bile në llozhën qendrore ndodhej vetë kryeministri i kohës, Gëzimi e pa të udhës të falënderonte praninë e tyre. Përshëndetësit i shpëtoi edhe një frazë që na mbin nganjëherë në gjuhët tona, një frazë që e ka të gatuar tok mirësjelljen me poetikën krehbishtore: “Të dashur spektatorë kam kënaqësinë të nënvizoj, se sonte sallën e teatrit na e ndriçon me praninë e tij, edhe kryeministri i vendit!” Shfaqja filloi. Që para fillimit të saj unë pata takuar regjisorin e shfaqjes dhe ai më pat folur për venien në skenë, për muzikën, për aktorët dhe ndriçimin. Dija, pra, ca detaje dhe kur miku im president, pas përshëndetjes m’u ul pranë, i pëshpërita: “Gëzim, regjisori, Xhelili, më tha që perdja nuk mbyllet asnjëherë dhe punëtorët e skenës, ashtu, me perde të hapur, në errësirë, ndërrojnë dekorin dhe rekuizitën.” “Është e vërtetë”, më pohoi Gëzimi. “Ouuu! Po kryeministri që i jep dritë sallës?” ia bëra i shqetësuar unë. “A nuk u prish punë punëtorëve me ndriçimin e tij, ai? Prandaj vini një njeri aty tek dera e llozhës qendrore, që kur të vijë puna të ndërrohen skenat le të trokasë dhe t’i thotë kryeministrit: ‘Shkëlqesi, kini mirësinë të vini pak këtu jashtë, sa të ndërrojmë dekorin?” E tregoj këtë ndodhi në çdo darkë shoqërore, prej vitesh. Kjo histori e torturon atë, por Gëzim Kame qesh më shumë se të tjerët. Dhe, pastaj, kur të lexojë edhe fundin e këtyre shënimeve, me siguri do të thotë: “Kur vallë do të harrojë ta tregojë atë përshëndetje të mallkuar, ky burrë i poshtër?!...”