Suplementi Pena Shqiptare/ Pashko Vasa: Shqiptari dhe jetesa e tij

705
Në librin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, Pashko Vaso flet për Shqipërinë e shqiptarët e kohës së tij. Në radhët e mëposhtme ai na tregon sesi jetonin ata bashkërisht duke pasur midis tyre marrëdhënie tepër njerëzore.

Jetesa që bëhet në Shqipëri është fare e vjetruar, patriarkale. Çdo fis ka kryetarin e vet dhe pleqtë, që e qeverisin e që ushtrojnë drejtësinë sipas dokeve e zakoneve të tyre të vjetra, të bazuara mbi kanunin e gjakut. Kryetari dhe pleqtë e kanë trashëgim nga prindërit e tyre vendin që zënë në fis, por kjo nuk u jep të drejtë për asnjë përfitim nga populli. Kryetari dhe pleqtë mund të hidhen në gjyq porsi

të tjerët për çështje të së drejtës së përgjithshme dhe mund të ndëshkohen me të njëjtat dënime; një kryetar që vret, vritet edhe ai kjo i thotë të gjitha. Pa hyr në hollësira që nuk i përfshin punimi ynë, do të shtrojmë para lexuesit një pjesë të ligjeve të vjetra që rregullojnë marrëdhëniet e banorëve ndërmjet tyre. Kush vjedh duhet t’i kthejë dyfishin atij që ka pësuar vjedhjen dhe, veç kësaj, duhet të paguaj një gjobë që e përfiton kryetari me pleqësinë. Njeriu që vritet duke vjedhë, çnderohet, nuk thuhet se ai vdiq si trim. Një borxhli duhet të lajë borxhin ashtu siç e ka marrë, në mall ose në para. Prona është e shenjtë, askush nuk ka të drejtë të cenojë pasurinë e tjetrit. Çështjet e së drejtës tokësore, të pronësisë dhe të kufijve gjykohen nga pleqësia, e cila në këto rrethana, detyrohet të betohet përmbi gur. Vendimet janë të pakundërshtueshme e, sidoqoftë, të zbatueshme. Këto ligje janë të barabarta për të gjithë; ndryshimi i fesë nuk u ndërron asgjë atyre. Barazia e të drejtave është e plotë për të gjithë pa dallim; doket e zakonet sigurojnë vazhdimësinë e tyre dhe zbatimin më të përpiktë. Mysafiri është i paprekshëm; të drejtat e mikpritjes nuk mund të shkelen në asnjë mënyrë. Ai që vret ose keqpërdor mysafirin e vet, çnderohet, dëbohet nga fisi dhe asnjeri nuk mund të bëjë krushqi me familjen e tij, ky turp është i përjetshëm, as gjaku, vetë nuk mund ta lajë. Ai që vret mysafirin e një tjetri, i ka borxh dyzet gjaqe, të cilat fisi që ka bërë mikpritjen, ka të drejtë t’i kërkojë fisit të atij që ka vrarë mysafirin. Burri që vret një grua, çnderohet; turpi bie mbi gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Ata quhen vrasës grash. Sikurse edhe fisi ka kryetarin e tij, ashtu edhe çdo familje ka të vetin, atë që është më i madh në moshë. Gruaja më e moshuar e familjes është zonja e shtëpisë. Meqenëse jetesa është krejt patriarkale, pjesëtarët e një familje janë shumë. Ka familje që numërojnë deri në njëqind e njëqind e njëzet veta. Burrat marrin urdhrat nga kryetari që drejton, dhe i zbatojnë; ky i ka në dorë të gjitha (gjërat) e të gjithë (njerëzit), pa qenë e mundur që t’i bëhet kundërshtim. Respekti për pleqërinë s’ka kufi. Zonja e shtëpisë ushtron të njëjtin pushtet mbi gratë dhe vajzat. Po të qëllojë që pjesëtarët e një familje të ankohen për njëri-tjetrin, kryetari i familjes vetë dora, gjykon, ndëshkon dhe pajton sipas rrethanave. Të ngresh krye kundër vendimit të kryetarit është një veprim që sjell pas qortimin nga të gjithë dhe që çnderon atë që kryen atë faj. Shqiptari është i përkorë dhe kënaqet dhe kënaqet me të ngrëna shumë të varfra. Buka e misrit, djathi dhe qumështi janë ushqimi i tij i zakonshëm. Ai pi ujë dhe nuk e përdor verën e rakinë, veçse me shumë kufizim. Vishet lehët, i qëndron të ftohtit e të nxehtit dhe duron lodhjen e skamjen. Për miqësinë ka një adhurim dhembshurie dhe besnikëri që i qëndron çdo prove. Entuziazmohet lehtë dhe frymëzohet nga e bukura, madhështorja dhe nga bëmat e shkëlqyera. Ai është poet. Kushdo e di se malësori shqiptar, duke shkuar drejt dënimit me vdekje, ka borxh të thurë aty një këngë, të cilën e këndon pa mburrje edhe pa dobësi, ndërsa e ëma dhe të afërmit e ndjekin pas, me dhimbjen në thellësi të zëmrës, por me buzë në gaz, deri në atë vend ku duhet ta ekzekutojnë. Këngën e atyre që vdesin si trima, mbeten edhe përsëriten nga të rinjtë. Pushka dhe jatagani janë armët e zëmrës për shqiptarin, sidomos pushka është shoku i tij, miku i tij i pandarë; e përkujdes dhe e lëmon me një dashuri krejt të veçantë, ai betohet për armët e tij, ashtu siç betohet për zotin apo për besën. Armët e bukura. Ja pasuria dhe krenaria e tij!
Sigal