Suplementi Pena Shqiptare/ Pashko Vasa: O moj Shqypni, e mjera Shqypni – 1880 [1]

1199
Sigal

 

  O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

kush të ka qitë me krye n’hi?

Ti ke pasë kenë një zonjë e randë,

burrat e dheut të thirrshin nanë.

 

Ke pasë shumë t’mira e begati,

me vajza t’bukura e me djem t’ri,

gja e vend shumë, ara e bashtina.

me armë të bardha, me pushkë ltina,

me burra trima, me gra të dlira;

ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira.

 

Kur kriste pushka si me shkrep moti,

zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti

ka qenë për luftë e n’luftë ka dekun

e dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.

 

Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,

i ka shti dridhën gjithë Rumelisë;

ndër lufta t’rrepta gjithkund ka ra,

me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

 

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.

 

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pas qenë veshun, sot je me crule,

E s’të ka mbetun as em’n as besë;

Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

 

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,

ndër nji qind çeta jeni shpërnda;

Sa thonë kam fe, sa thonë kam din;

Njeni:” jam turk”, tjetri:”latin”

Do thonë:” Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,

Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!

Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,

Për me ju damun me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,

Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,

Besën e t’parëve t’gjith e harroni,

Baheni robt e njerit t’huej,

Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

Qani ju shpata e ju dyfeqe,

Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

Qani ju trima bashkë me ne,

Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!

E s’i ka mbetun as bukë as mish,

As zjarm në votër, as dritë, as pishë;

As gjak në faqe, as nder ndër shokë,

Por asht rrëxue e bamun trokë!

Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,

M’ata sy t’bukur q’dini me qa,

Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,

Qi mbet’ e shkretë pa em’n,pa nder;

Ka mbet e vejë si grue pa burrë,

Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!

Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë

Kët fare trimneshe, qi sot asht mekë?

Kët nanë të dashtun a do ta lamëe,

Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?

Nuk, nuk! Kët marre askush s’e do

Kët faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,

Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

e mos shikoni kisha e xhamia:

feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

asht toka jonë, prind’t na e kanë lanë,

kush mos na e prekë, se desim t’tanë[3]!

Të desim si burrat që vdiqne motit

Edhe mos marrohna përpara zotit.