Suplementi Pena Shqiptare/ Pandeli Bardhi: Në Devoll vjen, Dritëro…

894
Me këtë motivacion, shkrimtari i madh, erdhi përsëri në vendlindjen e tij. Ka mbi gjashtë muaj që është ndarë nga jeta fizikisht, por me shpirt, me zemër, me mendje është kurdoherë në vendlindjen e tij, është kudo në Shqipëri. Propozimit të shoqatës “Devolli” nuk kishte si t’ja bënte fjalën dysh Plaku i Vlorës, për t’u “takuar” me Shkrimtarin e madh, këtë rradhë, në vendlindjen e tij, Devoll. Ismail Qemali, dërgoi përfaqësuesin e tij, Shoqatën “Nermin Vlora Falaschi” e së bashku të shkojnë të takojnë nga “afër” shkrimtarin, atje ku ai “mori baltën arave, për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve” atje ku mori udhën e “brodhi në Evropë, shkoi në Azi, e kudo, nga flokët deri te thonjtë, mbeti devolli”!. Një takim “laraman” , siç i pëlqente t’i quante Dritëroi shoqatat, pjesëmarrës nga të gjithë krahët, pa dallime bindjesh e përkatësish partiake. U takuan të gjithë, e të gjithë bashkohen rreth Dritëroit. Fondacioni “Nermin Vlora Falasschi”, Klubi “Miqtë e Dritëroit”, Shoqata “Devolli”.Pjesëmarrësit, janë të shumtë e të gjithë kanë shumë për të treguar nga kujtimet e tyre për Dritëroin. Rruga është e gjatë, por “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, me gjithë vitet e shumta që i rëndojnë mbi supe, nuk e ndjen lodhjen: “Kur është puna për t’u takuar me Dritëroin, të çmallem edhe njëherë si dikur në rini kur na lidhte një miqësi e pandarë, Unë rinohem e më duket sikur jam në ato vite kur bisedonim e shkëmbenim mendime për artin, për filmat artistikë për teatrin..” thotë ajo.. Në takim, marrin pjesë Presidente e “Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, publiciste, gazetare dhe shkrimtare e njohur, Zenepe Luka, Profesor As Dr Makbule Çeço, Kryetare e Këshillit Bashkiak të qytetit të Vlorës, Vojsava Shkurtaj, N/Kryetari i Bashkisë Devoll, Ylli Taho, gazetarë, shkrimtarë dhe artistë nga krahina e Devollit etj. Moderatorja Vllasova Musta, poete, kineaste, pasi tregoi rëndësinë e këtij aktiviteti, që ka në brendësi mallin për Dritëro, ia dha fjalën “Nderit të Kombit”, Margarita Xhepa “Janë gjashtë muaj të trishtë pa Dritëroin e Madh, thotë ajo. Dritëroi e pasqyroi Shqipërinë e artistëve të mëdhenj si askush tjetër. Ishte koha e të mëdhenjve, është emri i Dritëroit të madh, që do të shkruhet me shkronja të arta. Të gjithë kemi mësuar nga madhështia e tij, të gjithë kemi mësuar vecanërisht nga dy cilësitë e tij të vyera, njerëzoren dhe talentin. Ai shkruante me mendje dhe shpirt. Ai, hodhi shpirt në veprat e tij, ai i dha dritë letërsisë. I dëgjonim me vëmendje këshillat e tij, jetonim me emocionet e tij në përfundim të çdo filmi artistik. Sa e sa herë në skenat e botës Margarita, ka recituar poezinë e tij “Poçari” dhe nuk ka ndier këto emocione. Mbase atëherë ajo nuk ka qenë së bashku me Dritëroin, por këtë herë që ajo është “bashkë” me Dritëroin, e në vëndlindjen e tij, e ka të pamundur të përmbajë lotët:

“Është shumë e vështirë të mbjellës arrën
Por më vështirë shpirtin të mbjellësh
Të hapësh arrën dhe të hedhësh farën
Të hapësh shpirtin dhe shpirtin të mbjellësh.

Margarita vazhdon me pas me poezinë Shpërblimi i tokës” dhe të gjithë duarrtrokasin të ngritur në këmbë..Emocionet, nuk kanë të sosur. Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, edhe ajo mes lotësh dhe emocionesh ka shumë për të thënë. Është njohur me Dritëroin qysh kur ishte studente në fakultetin e gazetarisë e më pas një miqësi edhe më e ngushtë si koleg dhe si redaktor i më shumë se tetë librave të Zenepes. “Do t’ju bëjmë një bust, e do ta vendosim diku” i kishte thnë Zenepja një ditë Dritëroit. “Jo jo, i ishte përgjigjur shkrimtari, nuk dua të më vendosni asgjëkundi sepse do të dali ndonjë inatci dhe do të ma cukasi kokën me cekic. Më mirë do ta mbaj në dhomën e gjumit.”! Mes emocionesh, Regjisori dhe aktori Dhimitër Orgocka, reciton poemën e Dritëroit “Devoll, Devoll”!, Janë të shumtë ata që duan të marrin fjalën, të tregojnë dicka nga kujtimet e tyre për kërë burrë të madh, për këtë “Shollohov” shqiptar sic e quajti Margarita Xhepa. “Bilbili” i Devollit, Endri Fifo këndoi këngë kushtuar Dritëroit. Endri, kujton mbresat që i kishte lënë Dritëroi kur erdhi për vizitë në shtëpinë e tij në Poloskë, bashkë me dy shokë të tjerë. . “Të keqen nëna, i u drejtua Dritëroit Naxhija, nëna e Endrit, me këto që na ndodhen po ju pres, qëndroni për darkë, që të përgatiti dicka për meze nëna!” “Nuk duam asgjë i u përgjigj Dritëroi, nga një gotë raki dhe “mezenë ” e kemi me vehte, kemi këngën!. Dhe shkrimtari ja merrte vetë këngës bashkë me fshatarët që u mblodhën sakaq. Një ditë kjo e paharuar për Endrin. Dritëroi, të gjithë i bëri poetë, i bëri këngëtarë, i bëri valltarë. Unë i jam mirënjohës që më bëri të këndoj me shpirt, ashtu si këndonte ai. Vite më vonë, kur u takuam, i thashë “do të këndoj një këngë për ty”! “Jo, më tha, këndo për Devollin, po këndove për Devollin, ke kënduar edhe për mua..”!. Por, mua, nuk m’u durua”. 

Këngës do t’ja themi
Iso do ushtojë
Po këndon Devolli
Këngë për Dritëronë..

Përlotej Shkrimtari tek dëgjonte këngë, tek dëgjonte edhe emrin e Krahinës së tij të dashur Devollin. Sa i lidhur ishte me njerzit, me tokën, të cilëve i këndoi tërë jetën me shpirt, me zëmër me penë.”E kënga përzihet me vallen e vallja bëhet tym me dedollinjtë. Është grupi i valltareve të Vranishtit. Është edukatorja e Kopshtit të fshatrave Pilur dhe Vranisht Elona Cobani e cila qysh në Kopësht zgjedh talentet e reja të këngës e valles. Ato, më pas përgatiten nga mjeshti Agron Kordalli në qytetin e Bilishtit e më pas kthehen si “mësuese’ në fshatin e lindjes.E kështu, vallja kalon dorë më dorë e brez pas brezi. E ka lënë amanet i Madhi Dritëro.

Ndaj kam qejf të shtrëmbëroj turrinjtë
Nga rakia e fortë në filxhan
Vallen ta bëj tym me devollinjtë 
Të më zërë koka në tavan

Përvec Lumit të Devollit dhe Dritëroit, vallja është simboli i tretë i Krahinës së Devollit. Ja marrin më pas një kënge popullore kushtuar Dritëroit, dy bashkëfshatarët e tij nga Menkulasi, Hekuran Hoxha dhe Menduh Dangëlli. “Çmallemi me bshkëfshatarin tonë, thotë Hekurani, vetëm duke i kënduar”….Prof. As. Dr. Makbule Çeço, e pranishme në këtë aktivitet, vlerësoi qëndrimin e institucioneve shtetërore për respektimin e figurës së Dritëro Agollit. “ Me gjithcka që pamë e përjetuam në këtë event, ku protagonist ishte Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” kuptuam dhe vlerësuam rolin e institucioneve të shtetit. Ky, është moeli që i duhet një shoqërie demokratike, të “harrojë” përkatësinë partiake, kur është fjala për të nderuar vlerat kombëtare sikurse është edhe i Madhi Dritëro Agolli, tha midis të tjerave Makbule Çeço. “Prezent” në këtë takim, janë edhe ata që ndodhen larg Shqipërisë. Janë edhe Fuat Memeli, Luan Kalana, Kadri Kadi e shumë të tjerë që jetojnë larg në Amerikë. Mallin për vëndlindjen dhe Dritëroin ata e shprehin në mesazhet e tyre e përjetojnë emocionet bashkë me emocionet e të pranishmëve. Elmaz Xhediku, jeton edhe ai larg në Montreal, Kanada. Në telefonin tim, vjen edhe mesazhi i Elmazit, ku midis të tjerave, shkruan:” Me Dritëroin, ishim pranë e pranë më Kongresin e 10 të PPSH-së në Qershor të vitit 1990. E kam si përpara syve, kur Dritëroi nuk e humbi për asnjë cast qetësinë e tij nga qindra letra që i vinin nga salla, kur ai guxoi të kritikojë hapur Partinë e Punës në shesh të burrave. Unë, I mblidhja letrat dhe ja lexoja. I jepja kurajo, atij që ishte më kurajozi nga të gjithë të pranishmit. Dritëroi më dëgjonte me vëmëndje. Dhe në fund vetë ju përgjigj: “kështu si veproni juve, i vertetuat fjalët e mija. Kështu, nuk korigjohet Partia e Punës. Por unë, vazhdon Elmazi, nuk i harroj fjalët e tij në atë Kongres: “Elmaz, do të vijë një ditë që edhe këta që duken të parinovueshëm, do të kuptojnë që janë nostalgjikë dhe do të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Nuk është e lehtë të pajtohesh me të renë me rrugët e reja të së ardhmes. Nuk ka rrugë tjetër, për të ecur përpara, me mentalitete të reja.Ju përgëzoj juve për këtë aktivitet kushtuar këtij njeriu të madh. Kurrë nuk do ta harroj Dritëroin, mikun tim të dashur e të shtrenjtë” e mbyll mesazhin e tij, Elmazi. .. Dritëroi ka bërë dhe do të bëjë gjithmonë vepra të mira. Është meritë e tij, që edhe në këtë takim ka bërë bashkë edhe partiakët me bindje të kundërta . Hekuran Hoxhalli, deputet i Partisë Demokratike, pranishëm në këtë takim midis të tjerave shprehet:”Unë jam djali i shtëpisë të Dritëroit. Dritëroi jetonte me ne e shkruantë për ne.Unë jam i vogël të flas për një burrë kaq të madh. Ai është dhe mbetet frymëzuesi jonë për punë, për dashurinë mes nesh. Dritëroi do të jetë gjithmonë në mëndje, në zëmër në penë për c’do njërin nga ne..”. Me fjalë prekëse për Shkrimtarin e Madh, u shpreh edhe deputete e Partisë Socialiste Edlira Bode. “Të gjithë, kanë diçka për të thënë për Dritëroin u shpreh ajo, për vlerat e tij që do të frymëzojnë secilin nga ne, burra e gra, të rinj e të moshuar..” Sadije Agolli, e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë takim. Ajo dërgoi mesazhin e saj prekës në këtë takim. “Falënderoj organizatorët e këtij eventi, që e kanë etiketuar bukur, “Në Devoll, vjen Dritëro”. Falënderoj Presidenten e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, gazetaren, miken e Dritëroit, Zenepe Luka dhe shoqatën Kulturore “Devolli” me kryetar mikun e familjes, z. Guri Seferi. Falenderoj personalitetet e pranishëm, deputetë, drejtues të pushtetit vendor dhe të gjithë ju të pranishëm. Unë, fëmijët e mi, nipër e mbesa, familjarët e Dritëroit, ju shprehim mirënjhohjen, për nderimin, që i bëni Dritëroit. Unë e di, se po të ishte Dritëroi, do të emocionoheshe shumë, do të vuante shpirtërisht, do të lëshonte lotë, megjithëse i kishte shumë të kursyera. Ju falenderoj shumë e shumë herë për gjithë çfarë po bëni për Dritëroin. “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, më përfaqëson me nder tek ju dhe i jam borxhlie unë dhe fëmijët e mi, që ka ardhur në këtë aktivitet në nderim të Dritëroit. Ajo ma kalon mua, se do t’u sjellë poezitë e tij, ndërsa unë vetëm lotët, pasi jam shumë e dobët fizikisht. Sa të kem frymë do të kujtoj me respekt të veçantë, unë, gjithë të afërmit e mij, Margarita!Unë ende jam me të, eci nëpër shtëpi me të, ulem në kolltuk me të, flas me të. Nuk jam shkëputur asnjë çast deri tashti dhe nga kjo vuaj, por edhe jetoj e marr frymë, pasi më jep kurajë dhe guxim, për të mbaruar detyrat, që ka lënë pa kryer vetë. Nga kjo vuaj fizikisht, por edhe mendërisht..Më pas, të gjithë të pranishmit, bënë një vizitë në fshatin e tij të lindjes Menkulas.Aty u pritën nga bashkëfshatarë të tij. Të gjithë pa përjashtim, dolën nga shtëpitë e tyre të “presin” bashkëfshatarin e tyre Dritëro Agollin. Avni Hoxha, është i vetmi moshatar me shkrimtarin në Menkulas Janë rritur bashkë, qysh kur kanë qënë në bankat e shkollës fillore, që tash mban emrin “Dritëro Agolli”. Sapo Avniu dëgjoi për “ardhjen” e shokut të tij të ngushtë e moshatarit të shkollës, “harroi për një moment vitet që i rëndojnë mbi supe dhe ngjit shkallët si një njëzet e pesë vjecar. “Jam ndeshur dhe do të përballem me cilindo që heq edhe presjen nga historia e shkruar e Dritëro Agollit, u drejtohet ai të pranishmëve. Jemi shokë që kur ishim pesë vjec, pavarësish që rrugët e jetës u ndanë, por ne, mbetëm përjetësisht miq të shtrenjtë. Nuk vdes, pa u prerë shiriti i Muzeut që të ketë emrin Dritëro dhe bisedën e parë, dua ta bëj vetë” thotë Avniu…
Sirena e lumit
Ajo u vërtit lakuriq
Si pata e bardhë në lumë;
Këndonte hutini në vidh,
Bretkocka fërkohej më shkumë.

Më humbi nga sytë pastaj,
Siç humbin sirenat e lumit,
Më mbeten veç hiret e saj
Dhe nazet e kurmit.

U zhvesha dhe lumit me not
I rashë tri herë;
Ju them se notoja aq kot,
Sa dukesha fare i mjerë.

Madje dhe bretkocka u lig,
Sa s`donte aspak të më shihte,
Në vend të hutinit në vidh
Veç hëna fytyrën e griste.

Kohë më vonë
Kohë më vonë e ndofta më shumë,
Kur të ketë bleruar një dardhë
Dhe kur lumi në prill të zbresë me shkumë,
Unë e di, do vij me kalin e bardhë,

Para jush do shfaqem, -që s’patët fat të më njihni,
Se disa nga ju, vërtet, u lindën më vonë
Dhe të tjerët mbase s’e dinin,
Që mes tyre jetoja diku në një dhomë.

Dhe shkruaja librin e fundit,
Të vështirin, korrigjuar radhë më radhë.-
Une e di, do vij kur ju të notoni mes gjumit,
Mos harroni, do vij me kalin e bardhë.
Sigal