Suplementi Pena Shqiptare/ Pandeli Bardhi: “Ditëlindja e parë pa Dritëro Agollin”

759
Ditëlindja e parë, ditëvdekje, kurrë..!
Dritëro Agolli, hyn në rangun e atyre njerëzve të mëdhenj, që nuk kanë ditë vdekjeje. Edhe më shumë për këtë të vërtetë, u bindën të gjithë gjatë festimit të ditëlindjes së tij të parë postum, ditëlindje që do të kujtohet për shekuj me radhë më datën 13 Tetor. Nuk kanë kaluar veçse tetë muaj kur ai u nda fizikisht nga jeta, dhe ja përsëri,erdhi edhe më madhështor se atëherë kur ishte gjallë. Sa më shumë 13 Tetor të tjerë të kalojnë Dritëro Agolli, do të vijë edhe më madhështor. Ai, është si malet që sa më shumë i largohesh, aq më madhështor duket… Sikur edhe në ditën më të keqe të mendimeve të jem, kur vjen puna të shkruaj për Dritëroin shkrimtarin, poetin publicistin e filozofin, si pa e kuptuar as vetë, mendimet vijnë vrullshëm e “ngatërrohen” me njëri tjetrin pa qëndruar në radhë!. Sa thellë Dritëroi ka depërtuar në zëmrat e të rinjve e të rejave, të të gjitha moshave, pa dallim, jo vetëm të devollinjve. Në këtë ditëlindje të parë të tij, ishin të shumtë të rinjtë e të rejat, krijues të shumtë “Dritëro” të vegjël, shkuan ta “takojnë” nga afër, në fshatin e tij Menkulas.. Ka ardhur edhe mjeku në pension, Vexhi Subashi, shoku i tij i klasës për shtatë vitet e shkollës shtatëvjeçare. Tek bisedon me Vexhiun, ai emocionohet. “Për tërë jetën, nuk u ndamë asnjëherë me Dritëroin, thotë ai. Në Menkulas, ai, ka patur të afërmit e mi dhe më i afërti prej tyre ka qenë Dritëroi. “Këtej e tutje, do të vij edhe më shpesh, me gjithë vitet që kam mbi supe. Do të vij të “takohem” me Dritëroin. Unë, isha Mjek, por ai ka qenë “Doktor”. Ai ishte “ilaçi” i zëmrave të të gjithëve”!.Një takim i bukur mbresëlënës. Sami Begolli, në një vitrinë, ka ekspozuar shume libra të Dritëroit nga biblioteka e tij që është nga më të pasurat në fshat. “Të gjithë menkularët, thotë ai, Dritëroin e kanë në shtëpi, e kur mërziten ndonjëherë apo edhe lodhen nga punët e shumta në bujqësi, i drejtohen Dritëroit për t’u çmallur e për t’u çlodhur”! Sa shumë ka depërtuar Dritëroi në zemrat e fshatarëve të tij dhe jo vetëm.. Avni Hoxha, është vërsnik, (moshatar) me Dritëroin. Ai bashkë me Samiun, kanë përgatitur edhe një ekspozitë nga jeta dhe veprimtaria e Dritëroit, takimet e tij të shumta me të rinjtë e të rejat qysh nga vitet e vegjëlisë. Ata, shfaqin edhe një dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Shkrimtarit të madh. Aty për aty Menduh Dangëlli me shokë, ja marrin këngës.. Gurgullon Lumi i Devollit/ Në Menkulas u lind Dritëro Agolli/ Iku nga fshati, shkoi në Tiranë/ Trim o Dritëro, shkrimtari me famë / Shkrove shumë libra, /shkrove shumë romane/ Trim o Dritëro, shkrimtari me famë…….Ne, menkularët, kurrë s’të harrojmë/ Brez pas brezi këngën, do të të këndojmë…Të rrinj e të reja, recitojnë pjesë nga poezitë e Dritëroit. Më të moshuarit tregojnë ngjarje e kujtime nga takimet me bashkëfshatarin e tyre. Sa kujtime, sa mall. Sikur kjo ditë të mos mbaronte kurrë. Por, prapë nesër do të vijmë, Nuk themi më do të vijmë në Menkulas, thotë një e re, nga Koshnica, por themi, “Do të vemë të takohemi me Dritëronë. I “priti” Dritëroi si jo më mirë vizitorët e shumtë. I “priti” dhe i “mori” me vete në Tiranë, për të “takuar shumë miq, shkrimtarë e poetë, studiues dhe aktorë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Do të “takohet” me Sadijen e tij të dashur, me vajzën e tij, Elonën… e cila kjo, hap takimin duke kujtuar momentet e fundi të jetës së tij; :Ne kemi një dritare të vogël në shtëpi, më pas dy dritare të mëdha e më tej përsëri një tjetër dritare. Hyn vdekja nga dritarja e vogël. Erdha unë, thotë. Po pse erdhe kaq shpejt, ikë, ke të tjerë të marrësh. Ajo ikën e vjen përsëri nga dritarja e madhe. “Erdha unë!, “thotë”. Është shpejt përsëri: i them. Më pas vjen nga një tjetër dritare, Erdha unë! Po hajde të këndojmë, por dil gjej edhe ata që do të na mbajnë iso. E nëmura ikën por nuk gjeti. Ja, kështu Elona e dashur. E ndërsa unë lotoja, ai recitonte vargjet e Naimit të Madh. “Jam i gjallë e jam në jetë/ Jam në dritë të vërtetë….Më pas kantautori Ardit Gjebrea, kujton se si i “grabiti” vargjet “Kur të jesh mërzitur shumë” nga shtëpia e Poetit. Bashkë me vajzën e tij të vogël i këndon ato e pjesëmarrësit përloten. Kur të jesh mërzitur shumë/ Në raft të librave kërkomë/ Atje, i fshehur do të jem unë/ Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë/ Me këtë, poeti, autori plason idenë e asaj, se vepra mbetet pas jetës, ku të parën e karakterizon e gjithë-kohshmja, ndërsa të dytën e përkohshmja. E, ja tani që ai ka hyrë në pavdekësi, tani që vepra e tij është përjetësuar, është edhe më madhështor se kurrë, edhe se atëherë kur ishte gjallë. E Dritëroi, “zret” ngadalë nga rafti i tij e hyn mes pjesëmarrësve të shumtë, mes atyre që i këndoi e shkroi një jetë të tërë, “hyn” e i takon të gjithë, i gjallë mes të gjallëve, “hyn” i pavdekshëm me “armën” e tij që nuk “ndryshket” kurrë, me veprën e tij madhështore. Poeti i Madh, për më shumë se gjysmë shekulli, përçoi mesazhe dashurie, mesazhe harmonie, mezazhe mirëkuptimi edhe tek miqtë, edhe tek kundërshtarët. Ai, ishte njeri i të vërtetave, i harmonisë dhe jo i përplasjeve, i dashurisë dhe jo i urrejtjes. Me të drejtë Poeti i Madh shkruante: Poeti është si kudhra, që po nuk e godite, nuk lëshon xixa..”. Është më se e vërtetë. Poetin, tërë jetën e goditi “kudhra” tokë, “kudhra” e ndjenjave njerëzore, aroma e luleve, gurgullima e lumenjve, vlaga e tokës. E goditën e ai lëshoi “xixa”, “xixa” dashurie. “xixa” humanizmi, “xixa” optimizmi.. Këto “xixa” do të ndricojnë në jetë të jetëve në qiellin shqiptar, në zëmrat e njerëzve, të qytetarëve të këtij vendi, “xixa” që nuk do të veniten kurrë… Vargu i të Madhit Dritëro, është aq i rëndë sa që nuk do ta tundin tërmete e uragane. Vargu i tij, fjala e tij, është e bërë njësh me tokën që i këndoi, me baltën e saj që i jetp e do t’i japi freski në jetë të jetëve. Por vargu i tij, është edhe shumë i lehtë.. Është aq i lehtë sa që çdo kush, çdo i ri apo e re, çdo i moshuar, mund ta marri lehtë, ta përvetësojë e ta bëjë shumë shpejt “pronën’ e tij. Çdo kush, aty do të gjejë, frymëzimin, do të gjejë ndjenjat e tij, do të gjejë të bukurën, do të shohë të ardhmen. Duke qenë një poet eksplicit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, poezia e Agollit i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit, ngase siç thotë eseisti i njohur anglez Tomas Strrn Eliot: “Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij fshatar të çdo shkalle të edukimit”, dhe gjithsesi është ky poeti ynë i madh nga Devolli, që me penën e tij prej një mjeshtri të vërtetë, pati çfarë t’u thotë të gjithë atyre që sado pak e njohin artin e poezisë. 
Poezia vjen nga gurgullimat e ujërave të tokës dhe të qeshurat e njerëzve, nga përskuqja e qiejve dhe hambarët e vjeshtës, nga cikma e dimrit dhe nga ngricat e ndarjeve, nga isoja e këngëve dhe nga hareja e dasmave. Dhe boshti i saj i përhershëm është dashuria. Një dashuri që shfaqet me një mijë vezullime, një mijë mënyra qasjeje nga dita e parë gjer në frymën e fundit duke sfiduar pengesat, mungesat dhe vështirësitë. Që nga rinia e hershme me krijimet plot vlug e aksh e gjer te poezia e fundit, poeti rritet bashkë me krijimtarinë, dashurinë dhe mesazhet e saj. Më shumë se gjysmë shekulli, qysh me poezinë e tij të parë. Fjalët e tij, janë shkruar në thellësitë e zëmrave njerëzore, janë shkruar në male e fusha, në pyje lumenj, e do të jenë të përjetshme, sepse të përjetshme, janë edhe ato për të cilat shkroi me aq dashuri. Dritëroi, doli në “rrugë” qysh në vitin 1958 me librin e tij të parë “Në rrugë dola”. Me të vërtetë, koha e donte që që ky popull, ky vend, letërsia , nuk do të ishte e plotë pa penën e tij, pa fjalën e tij. Qysh prej asaj kohe e deri në vitin 2016 në librin e tij “Prit dhe pak” Dritëroi ka përcjellë tek lexuesit vetëm mesazhe të ndjenjave të popullit, ai komunikon lirshëm me të gjithë, prandaj edhe ai është aq i dashur me të gjithë, Poezia e tij, nuk njeh kohë e hapësirë, nuk njeh ide e ideologji, nuk njeh skemë e dogmë, ajo, i nënshtrohet vetëm artit. “Poezia e mirë, thotë Gëte, duhet te ketë kuptim e muzikalitet”. Të dyja këto Dritëroi i ka harmonizuar në mënyrë të përsosur. Dritëro Agolli, tundimi, këndellja, përzhitja dhe ngrohja e zjarrit të dashurisë, me gjithë kënaqësitë dhe pasojat që e bashkëshoqërojnë këtë zjarr vjen nga toka. “Ngrita sytë e të shikova/ Dhe si dash në hell u shkova.”, poezia “Kur ecja anës divanit”. Po nga toka vijnë dhe imazhet e ndjesitë tronditëse që bëjnë lëndën poetike të vezullojë figurshëm në çdo fjalë dhe çdo varg. Të gjitha për dashurinë, jeta dhe vdekja, fitorja dhe humbja: “Me gërshetin mbytmë mua/ Mbytmë dhe gjë tjetër s’dua.”, poezia “Laj e hidh gërshetin prapa”. Në letrat shqipe, nuk ka një poet të dytë që të jetë mbështetur kaq fort te shpirti i gjyshërve dhe ta ketë risjellë atë për lexuesin e ri, me kaq dashuri dhe kaq të plotë. “Pushteti i fjalës, është i veçantë thotë Dritëroi, ngase ajo, pra fjala”gatuan male dhe kakërdhi”për të vazhduar më tutje me plazmimin e kësaj ideje me vargjet: Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë/ Pikojnë çezma me helm të zi/ Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë/ Kujdes me fjalën dhe ti zotëri. Pushteti i fjalës tek Dritëroi, është i pa kontestueshëm. Dritëroi i madh, jep mesazhe mirëkuptimi e tolerance për të gjithë. Ai, nuk ishte vetëm shkrimtar, poet e publicist, por ishte edhe politikan dhe si i tillë, do të mbetet model për brezat e sotëm e për ata që do të vijnë. Dritëroi, shkruan për miq e dashamirës, shkruan edhe për kundërshtarë, edhe për ata që hedhin baltë. Nuk munguan që edhe pas ndarjes së tij nga jeta, njerëz meskinë, tentuan të hedhin baltë mbi veprën e tij të pavdekshme, mbi emrin e tij që koha tashmë e vendosi në piedestal. Unë nuk dua t’i përmend këta njerëz hipokritë e bukëshkalë, që herë pas here dalin e kërkojnë të marrin lavdi duke hedhur “gurrë’ e “baltë’ edhe mbi kolosët, ku njëri nga ata është edhe Dritëroi. Këtyre njerëzve, përgjigjen më të saktë, ia jep vepra e Dritëroit, që nuk vdes kurrë: “Ju, aq baltë mund të hidhni mbi mua/ Sa në baltën që kam përmbi sup/ Mund të mbijë një dardhë a një ftua/ Një korije e madhe me dushk……Balta ngrihet mbi mua e pasur/ Sa mbi baltën korija bleron/ Trupin tim ma bleruat pa dashur/ Dhe më bëtë, vërtet plantacion… Nuk është e thënë që kurdoherë midis nesh do të ketë vetëm paqe. Me të drejtë Shenjtorja jonë Nënë Tereza na thotë:” Nëse ne, nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse ne, kemi harruar që i përkasim njëri tjetrit”. Aq më tepër, në kohën që jetojmë edhe më tepër kemi harruar që i përkasim njëri tjetrit. Le të mësojmë edhe për këtë, nga i Madhi Dritëro:” “Ka njerëz që puthen në buzë/ Ka, që me buzë pështyjnë/ Ka njerëz që flasin me gjuhë/ Ka, që me gjuhë ndyjnë/ Ka shumë njerëz të ditur e të mençur prej të cilëve, duhet të mësojmë. Një nga këta është edhe i pavdekshmi Dritëro. Jo vetëm unë, por ka me qindra e mijëra më të ditur e të aftë nga unë, që edhe këta, e kanë të vështirë të shkruajnë për gjeninë e Dritëroit, të këtij Gjeniu të letrave shqip. Ajo çka është kryesorja, mbetet që kur flasim për Dritëroin, duket nisur, jo nga egoizmi, por nga interesi i përgjithshëm. E, nisur nga kjo, të gjithë, jemi të të njëjtit mendim. 
Sigal