Suplementi Pena Shqiptare/ Pali Shtëmbari: “Mos më vrit, baba!…”

679
Sigal

Furgoni i linjës vazhdonte udhën përgjatë shtratit të lumit Devoll, ndërsa shoferi, disi i moshuar, herë pas here rregullonte syzat kundër miopisë, tek i rrëzoheshin përfund hundës me kurriz. Herë turfullonte keqas me vetvete, kur furgoni papritmas bëhej pre e një pellgaçe me ujë, pasi udha e re që shkonte në kodrat përreth edhe nuk kishte mbaruar. Shpesh, ai e kthente kokën mbas vetes, duke ndjekur shkarazi secilin pasagjer, sidomos një djalosh, kur dhe ai e mbante gjatë kokën pas, tek ndiqte një makinë policie, për të cilën mendonte se … Makina e policisë herë i humbiste nga sytë, përpos kthesave që shfaqeshin papritmas. Në këto çaste djalosh ndihej i qetë së brendshmi. Pasi eci dhe pak, furgoni u gjend në hyrje të Gramshit, pranë një pike karburanti. Prej tij, së pari zbriti një çift i moshuar, kurse pas tyre, i papërmbajtur në vetvete djaloshi nxitoi dhe pagoi shoferin. Shpejt u gjend në trotuarin që i shkonte përgjatë rrugës kryesore, gjersa ndali në një palë shkallë që të çonin përfaqe të kodrës, veshur sa me pallate të ulëta dhe pallate shumëkatësh. Në një shesh midis këtyre pallateve, ai u ndal ballë një klubi të quajtur “ÇERKEZI”, ku i ati, zakonisht çdo mëngjes rrëkëllente kafen shoqëruar me një gotë raki. Pronari i lokalit, një djalë i ri, i shkurtër në trup, i tha disi ftohtë se i ati edhe nuk kishte ardhur. Djaloshi ngriti njërën dorë në drejtim të tij në shenjë përshëndetje dhe mori të përpjetën, ku ndodhej shtëpia e tij. Sa mbërrit pranë derës së hekurt që mbyllte oborrin e shtëpisë së tij njëkatëshe, me oborr para, ai u ndje angësht, kur bëri ta shtynte atë të hapesh. Ajo ishte e mbyllur nga brenda, si rrallë herë paraditeve. Djaloshit gati iu përlotën sytë. Mendoi se… Megjithatë, sërishmi e çoi njërën dorë në drejtim të derës, ta hapte atë, por më kot. Papritmas, pranë hyrjes u shfaq i ati. Iu bë se ai ishte rrëgjuar krejt në kurmin e vet, ndaj dhe njërën dorë e çoi pranë syve, si t’i fshinte ata. Kishin vite pa u parë me njëri-tjetrin, dhe… I ati, me duart që i dridheshin, sit ë një paralitiku, mundohej të mbushte me fishekë kallashi, me të cilin do të !… E bënte këtë veprim pa ia ndarë vështrimin të birit. Në çast, pranë tij, e rënë në logorinë, u shfaq e shoqja, e moshuar edhe ajo. Mundohej që t’i hiqte duart nga arma që ai mbante, për të… vrarë … të birin, që… !

-Jo, mos e bëj!!!… Mirëpo i shoqi, përpos veprimeve që bënte me armën, nuk e dëgjonte për sa ajo i thoshte. Plaku, egërsuar së keqi brenda vetes, iu drejtua të birit:

-Të pashë, or qen, ndaj dhe rrëmbeva kallashin, që të!… Djaloshi i foli të atit më rreptë:

-Baba, jam Zani!…

-E di, mor qen, e di!… U duk, sikur për çastin i ati ndërroi mendim për sa do të bënte ndaj të birit. “Sa mësova nëpërmjet televizorit se ti ishe pleksur me trafikantë, që merreshin me trafikimin e organeve të brendshme të fëmijëve në shtetin fqinj, një farë biznesi, jo biznes, por një punë e qelbur, kështu po e quaj, m’u shpërbëre si imbir. Gjatë natës nuk më merrte gjumi, edhe pse pranë kisha tët ëmë dhe nuk m’i ndante kokrrat e korvitilit, të më ndalte disi aritminë që nuk më linte të qetë. E gjitha sa ndjeja në zemër vetëm se ti… më thoshe se ndiheshe mirë, kur merreshe me një punë, jo punë, por… Kishe ndërruar edhe emrin, pa!… Mendoje se, ti dhe shokët e tu se nuk do t’u kapnin, për sa bënit, por u zhgënjyet, kur, sa po jep televizori, po u ndjekin forcat e policisë, sa t’u kapin t’u fusin në burg. Edhe pse na dërgoje një kacidhe, kur na gënjeje, se e kishe fituar me djersën e ballit… Na mashtroje … or … qen! Kështu pot ë quaj, edhe pse je im bir! Tashti e tutje, për mua nuk je më im bir!” Plaku ngriti lart vetes kallashin, tek i dridheshin duart, gati për ta shkrehur atë.

-Jo, mos e bëj!… Kaq tha e shoqja dhe u plandos përtokë tek pa të birin… I biri u rrëzua përtokë, duke shtrënguar me të dy duart njërën këmbë, nga nuk ndalej hemorragjia. E ëma e ndiqte e rënë në përvajë.

-Ç’bëre … o …?!… Në kohë, në hyrje të shtëpisë u gjendën tri forca nga të RENEA-s, me armët drejtuar ndaj plakut, i cili tashmë e kishte hedhur përtokë kallashin. Gruaja kishte dalë jashtë shtëpisë, në gjendje jermi. Kështu dukej në pamje. Ajo nuk po vendoste ku do të shkonte më parë; tek i biri, apo tek i shoqi në burg. “Jo, më parë do të vete në spital, si ndihet im bir… kurse tek ai … më vonë, sepse bëri atë që bëri!…” Gruaja nisi të zbriste të përpjetën, ku shkonte udha e kësaj zone, për t’u gjendur sa më parë pranë të birit, edhe pse…