Suplementi Pena Shqiptare/ Pali Shtëmbari: Fëmija viran

723
Së bashku me time bije ndodheshim përballë detit, në këtë zonë tashmë të quajtur, Lungomare. Edhe pse ndodhej në punime të ndillte një pamje këndellëse, sidomos tek ndiqnim palmat e larta në trungun e vet të mbjella në një vijë përgjatë trotuarit. Në sheshin e gjerë buzë detit, shtruar me çimento ishin vendosur disa çadra të bardha në ngjyrë, kur ballë tyre lartohej një farë podium, (kështu po e quaj), në të cilin, disa vajza të brishta si moshë, nuk e ndalnin vallëzimin, përpos një melodie të huaj që i shoqëronte. Përbri këtyre çadrave tregtoheshin pije freskuese, sidomos birra. Qëndruam për një kohë ballë këtyre vajzave të papërmbajtura në vallëzim, kur ime bijë më tha të shkonim diku më tej, ku ndodhej një lokal me emër, thuajse ngjitur me bregun e detit, të rrëkëllenim diçka freskuese. Nga ime bijë mësova se gjithë ky … aheng, kështu po e quaj, bëhej me rastin e hapjes së sezonit turistik veror. I la më pas këto vogëlushe, megjithatë, melodia e vallëzimit sikur na ndiqte pas, pasi aparatet e zërit ishin ngritur në maksimum. Pasi bëmë dy-tre hapa për më tej, m’u bë se dikush më foli në emër. Dhe nuk isha gabuar. Ishte Marua, një shoqja ime e vjetër, me të cilën dikur, në një fshat jo shumë larg qytetit kishim ushtruar për një kohë detyrën e mësueses. E quanin Marjeta, por shkurtimisht i flisnim Maro. Ajo më kishte ngulur sytë e kristaltë dhe nuk po më fliste më, sa ime bijë më kapi nga njëri krah dhe më tërhoqi të vazhdonim udhën që kishim nisur, për t’u ulur diku përbri lokalit që kishim përbri. Marua, pasi shkoi njërën dorë mbi flokët e verdhë në ngjyrë me një farë ondulimi natyral dhe rregulloi disi syzat kundër miopisë, më foli sërish, edhe pse ime bijë…

Mirëpo ime bijë ishte gabim për sa mendonte, se kjo grua nuk më fliste mua… -Maro!… Kaq i thashë dhe iu gjenda pranë ta përqafoja. -Po ku je moj, që… Ndoshta Marua u bind në vetvete se përballë kishte një shoqen e vet, ndaj dhe më buzëqeshi, pa ma hequr vështrimin. Mirëpo papritmas vështrimin e çoi tek një fëmijë, një djalë jo më shumë se katër vjeç, i cili rrëmbimthi erdhi drejt meje gati i rënë në vaj, kur m’u drejtua: -Nëna!!!… Për çastin u ndjeva tejet ngushtë shpirtërisht, kur, ky fëmijë më fliste nëna, i papërmbajtur në vetvete. Pasi më ndoqi për një kohë me sytë gati në përlotje, shkoi dhe iu ngjit për trupi Maros, gjithsesi pa ma hequr vështrimin. U mundova t’i qasem pranë këtij çunaku… kur mendoja se… U ktheva nga Marua dhe i thashë: -Nipi? -Jo, nuk është nipi im. -Atëherë?!… -Jo, kurrsesi nuk kam të bëj me të në drejtim të… Marua u mbyll brenda vetes dhe unë, duke ndjekur vështrimin qortues të time bije, edhe pse e re në moshë, por… Më qortonte me vështrim të mos e çoja më tej këtë bisedë, e cila, çuditërisht për mua mbetej ngacmuese në vetvete; të dija gjithçka rreth lidhjes së fëmijës dhe Maros. Zumë vend në lokalin përbri dhe, për një kohë ndoqëm pamjen e detit, gadishullin e Karaburunit mbuluar disi nga një mjegull e përtymtë, edhe pse nata nuk kishte ardhur edhe. Marua i qaste një karrige të ulej këtij fëmije çamarrok, por ai nuk dëgjonte të zinte vend. Pasi u largua prej nesh kamerieri dhe mori porosinë, një djalë i ri në moshë, unë nuk durova dhe u ktheva nga Marua. -Ky fëmijë?… -Po, ti ke të drejtë të mësosh se i kujt është, ndaj dhe unë potë them se… Fytyra e rrumbullt e Maros u tkurr sakaq. Mendova për çastin se ajo, nga ana psikologjike përjetonte një farë ngacmimi mundonjës, por që mundohej të mos e shfaqte. Dhe bëra gabim që po e ngacmoja të mësoja se i kujt ishte ky fëmijë, në planin gjenetik. Marua u kthye me vështrim nga unë. -Ky fëmijë … nuk është yni, desha të them as i djalit apo i vajzave të mija, por… -Atëherë mëndja më shkon se ju bëni detyrën e një bejbisistër, kur thonë anglezët për dikë që mban pranë një fëmijë që nuk është i tyre si gjak, apo jo? -Po diçka e tillë është. Me prindërit e këtij ne banuam në një pallat për një kohë, kur ata papritmas na u lutën ta mbanim këtë … sa të ktheheshin nga vizita që do të bënin në Amerikë për disa ditë, ku … po bëjnë vite dhe edhe nuk po kthehen. Me sa kemi folur me celular, e ëma e këtij ka lindur një tjetër djalë dhe… -Atëherë, kur ti nuk e ke tëndin, si … përse nuk e çon në ndonjë shtëpi fëmije? Desha të them ku mbahen jetimët… -Jo, jo, nuk e bëj dot! Ai më flet nëna dhe unë… Heshtëm për një kohë dhe un, për të thyer këtë zbrazëti, (kështu po e quaj), ngrita gotën me pije lart vetes dhe urova : Gëzuar! Ndërsa sytë nuk ia ndaja këtij fëmije … viran, i cili hera-herës i fliste Maros:
-Nëna.. Ku është nëna?…
Sigal