Suplementi Pena Shqiptare/ Nonda Bulka: Dhelpra dhe dylbia

1124
Një shkencëtar i shkuar nga mosha që po vërtitej nëpër fusha për të bërë studime mbi bimët, mbante një dylbi në një këllëf të shpuar. Ndërsa po ecte, dylbia i ra në bar dhe ai nuk e ndjeu.

Aty pranë kaloi një dhelpër plakë që i kishte parë shumë herë njerëzit ta përdornin këtë vegël. Shpejt e shpejt e mori dhe tha: “Është rast i mirë tashti të stërvitem dhe unë pak me këto djallëzitë e njeriut. Sa dëshirë kam pasur të shikoj se si e përdorin njerëzit këtë vegël! Duhet të jetë bërë në mënyrë të tillë, që t’i shikojë nga larg gjërat më mirë dhe tashti që po më lënë sytë nga pleqëria, kam nevojë për të. Le ta provoj! O ç’mrekulli!” Me ta vënë dylbinë në sy, e drejtoi nga strofulla e vet, ku gjendej e shoqja bashkë me fëmijët e saj si dhe disa miq e farefis. Sa i pa, u habit dhe ishte gati të binte përmbys. 

“Ç’është kështu?, – thirri me zë të lartë, – si është e mundur që gruaja ime dhe sidomos fëmijët e mi të jenë më të mëdhenj nga unë? Kur u rritën aq shumë dhe aq shpejt?” Por aty për aty e mblodhi veten, u mendua një copë herë dhe i shkoi ndër mend ta kthente dylbinë së prapi. Tashti u habit akoma më shumë, kur pa të shoqen të vogël sa një kotele dhe fëmijët më të vegjël nga një kacabu. Mirëpo, siç dihet, dhelpra nuk është nga ato kafshë që e humbet shpejt torruan. Logjika dhe mprehtësia e mendjes i erdhën në ndihmë për të kuptuar të vërtetën. 

“S’është e mundur!, – tha ajo – që nga një çast në tjetrin po ato fytyra të duken aq të mëdha dhe pastaj aq të vogla. Pa të provoj e t’i shikoj me sy drejt për së drejti, pa çka pse i kam pak të dobët nga mosha. Në këto e sipër i afrohet strofullës dhe shikon me kënaqësi se të gjitha kafshët kishin shtat të rregullt, kurse dylbia ishte një shpikje djallëzore e njeriut për t’i treguar gjerat shtrembër. Duke qeshur nën hundë dhelpra foli: “Ka raste në këtë jetë kur zilia, smira, krenaria dhe zemërligësia i rrisin ose i zvogëlojnë gjërat si xhamat e dylbisë. Po ta kesh mik, ia rrit vlerën tjetrit, dhe kur nuk e do, ia zvogëlon. Po ta shikosh me sy të zhveshur gjen te vërtetën.”


Sigal