Suplementi Pena Shqiptare/ Noli: Mjeshtri i fjalës-Tribun i atdhetarizmit

576
Sigal

Theofan Stilian Noli- Personalitet i shquar jo vetëm i letërsisë, po i gjithë kulturës shqiptare  (oratori, përkthyesi, poeti, historiani, dramaturgu)

Personalitet i shquar jo vetëm i letërsisë, po i gjithë kulturës shqiptare, Noli dha ndihmesë të madh në shumë fusha. Ai është poet i shquar, historian e biograf, publicist, orator, kritik e dramaturg si dhe përkthyes i rrallë, që me veprat e tij i dha një ngjyrë të re letërsisë shqiptare. Krahas kësaj ai është njeriu i veprimit.

Si patriot i madh ai bëri ç`ishte e mundur në fushën e diplomacisë për ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Si demokrat i shquar ai udhëhoqi Revolucionin Demokratik të Qershorit, i cili edhe pse dështoi ngjalli besimin se sistemi feudal i prapambetur do të shembej shumë shpejt. E gjithë veprimtaria e tij ishte një bazë e fuqishme për zhvillimet e mëvonshme shoqërore, politike, kulturore artistike në Shqipëri. Veprat e tij kanë hyrë në fondin me të cilin kontribuon populli ynë në kulturën botërore.

Shqipërimet artistike

Noli si përkthyes i krijoi vetes një vend nderi në letrat shqiptare. Por këtë nuk e arriti vetëm se ai ishte njohës i mirë i disa gjuhëve si greqisht, latinisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht etj. Krahas talentit për të mësuar gjuhët e huaja, Noli njihte mirë thesarin e gjuhës amtare e gjithashtu njihte thellë kulturën botërore dhe atë kombëtare, kishte aftësi të tilla gjykimi dhe shije aq të hollë sa mundi të zgjedhë e të përkthejë vepra të shquara të shkrimtarëve të mëdhenj botëror, që jo vetëm e pasuronin kulturën tonë kombëtare por edhe u bënin indirekt jehonë shumë problemeve aktuale të realitetit shqiptar.

Punën e përkthyesit Noli e nisi si vazhdues i traditës që kishte krijuar Kristoforidhi, duke përkthyer disa libra të shërbesës për nevojat e kishës shqiptare, që posa ishte themeluar. Më pas ai përktheu disa krijime nga Moleri e Stendali dhe më vonë i hyri punës për përkthimin e atyre veprave të rëndësishme që do ta bënin të njohur si përkthyes jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve shqiptarë, siç janë: poema “Skënderbeu” e Longfellout , tragjeditë “Otello”, “Hamlet”, “Makbethi”, “Jul Qezari”, të Shekspirit, Dramat “Armiku i popullit” dhe “Zonja Igra e Ostronit” të Ibsenit; “Rubairat” e Omar Khajamit, “Don Kishoti i Mançës” i Servantesit ; “Kasollja” e Ibanjezit etj. Pothuajse të gjitha këto vepra Noli i pajisi edhe me parathënie, ku dha gjykime kritike estetike e filozofike me shumë vlerë. Përkthimet e Nolit janë vlerësuar mjaft nga personalitete të shquar të kulturës botërore. Kështu albanologu i njohur Norbert Jokli, kur lexoi përkthimin e “Rubairave” të O. Khajamit nga Noli tha : “Pas përkthimit të Filxheraldit, nuk di në ia kalojnë përkthimeve të Fan S. Nolit ato të gjermanishtes e të spanjishtes, që janë të dorës së parë “.

Krijimtaria poetike

Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat më të fuqishme, më të thella e më tronditëse të letërsisë shqiptare. Vargjet e tij përshkohen nga një filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese të një bote të vjetër, të mykur ku mbretërojnë intrigat, prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara demokratike, optimizmi se gjithçka që i ka kaluar koha do të përmbyset. Krijimtaria poetike e Nolit u përmblodh për herë të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar Mitrush Kuteli, më 1948 kjo veprimtari u botua nga federata “Vatra” në Amerikë, në përmbledhjen “Albumi”. Më vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera si “Sulltani dhe kabineti” etj.
Poezia e parë e Nolit është “Tomsoni dhe kuçedra„ (1914), ku Noli shpërthen me forcë kundër tradhtisë së feudalëve me Esat pashë Toptanin në krye. Pas saj Noli botoi poemën “Jepni për nënën”, e cila u bë mjaft popullore. Aty u bëhet thirrje në formë prekëse të gjithë shqiptarëve, kudo që të ndodhen, të ndihmojnë pa hezitim Shqipërinë, të cilën elementët anti kombëtare e kanë çuar në greminë.
Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të dogjën dhe të shuan
Dhe të lan` o shkab` e ngratë
Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
Këta qena, o shok, mbytni,
Mbushni gjylet që t`i shtypni!
Që në këto dy poezi bien në sy dy karakteristika të krijimtarisë së Nolit: frymëzimi nga ngjarjet aktuale dhe qëndrimi i rreptë e i prerë antifeudal. Pas revolucionit të qershorit Noli botoi njëra pas tjetrës poezitë e tij më të fuqishme si: “Syrgjyn vdekur”, “Shpellë e Dragobisë”, “Himni i flamurit” etj. Dy të parat janë elegji për L. Gurakuqin dhe B. Currin, bashkëluftëtarët e Nolit gjatë Revolucionit, të cilët u vranë të dy më 1925 brenda një muaji, nga Zogu. Në këto dy elegji poeti jep meritat e secilit nga këta demokratë e patriotë të shquar dhe mishëron në art tiparet e tyre. Në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit, Noli njëkohësisht e vajton me hidhërim të thellë, e mbron dhe e lartëson nëpërmjet antitezash të fuqishme figurën e pastër të tij dhe gjithashtu demaskon edhe dorën gjakatare dhe synimet e A. Zogut:
Nëno, moj, mbaj zi për vëllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
na i thanë tradhëtor.

Nëno moj, ç`është përpjekur.
Gojëmjalt`e zemërhekur,
Syrgjyn gjallë e syrgjyn-vdekur
Ky Vigan- Liberator.

Te “Shpella e Dragobisë„ poeti sjell një paralelizëm tjetër të heroit deri në përmasa epike me figura që i afrohen krijimtarisë popullore. Vërtet ajo është shkruar në formën e një elegjie, por e gjithë poezia shpreh duf, revoltë e kushtrim për luftë;

Thon` u shtri e thonë u vra,
por t`i s`vdiqe or Baba,
as te Shkëmb` i Dragobisë
as te zemr`, e djalërisë!.

Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi jepen në këto poezi si shprehës të aspiratave të vegjëlisë.
Me ngjyrë epike e emocion të fuqishëm është shkruar edhe poezia “Himni i flamurit”, e cila i kushtohet flamurit kombëtar që simbolizon qëndresën e paepur të popullit tonë gjatë 2000 vjetëve për të ruajtur kombësinë, vazhdueshmërinë e tij.

Hymni i Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr` o nën` e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S`të tremb Romani, as Veneciani,
As Sërb Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që linde Shën Kostandinin,
Pajton Islamn` e Krishterimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben` u lavdërove
Dhe në furtun` i funtmi u shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj përdhè u shtrive
Me zjarr e zi u ndeze u nxive,
Po çdo mizor me shpat` e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë prije Shqipërinë,
Përlintj`a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinjë
Për botën ëndr` e qiell i ri
.
Poeti pasi rendit gjithë luftërat e mëdha e të gjalla të popullit për liri, nën këtë flamur, thekson një atribut të ri të tij, që e ka përfituar në lëvizjen për demokraci : flamur i madh për vegjëli.
Poezi me motive biblike siç janë “Moisiu në mal”, “Marshi i Barabajt”, “Krishti në kamxhik”, “Marshi i Krishtit” dhe “Marsh i kryqëzimit”, “Shën Pjetri mbi mangall” etj. shprehin aspekte të ndryshme të jetës politike gjatë viteve 1920-1924.
Pavarësisht nga motivet dhe simbolet biblike, ato s`kanë as frymë as karakter fetar.

Të gjitha së bashku, krijojnë një autobiografi në vargje të Nolit gjatë dhe pas Revolucionit të Qershorit.
Kështu p.sh., në poezinë “Krishti me kamxhik”, Noli aludon për rolin dhe programin e vet të viteve 1921-1924. Në këtë konceptim qëndrojnë edhe poezitë “Marshi i Krishtit” e “Marshi i kryqëzimit”. Krishti simbolizon figurën i cili, si ai, do të jetë mbrojtës i masave të varfra nga shfrytëzimi dhe tirania. Në këto poezi ndihet adhurimi i masave, i turmës së paditur për heroin çlirimtar. Noli shpreh bindjen se masat pa heroin nuk mund të arrijnë fitoren e ëndërruar, Në këto poezi, sidomos te “Krishti me kamxhik”, gjithashtu shprehet edhe ideja tjetër e rëndësishme e Nolit se toleranca duhet përdorur me kujdes. Larot dhe tradhtarët feudalë duhen shtypur me dhunë, ndryshe ata rrezikojnë fitoren e arritur.
Një nga poezitë më të fuqishme të këtij cikli është “Marshi i Barabajt”, ku poeti me krahasime e epitete jashtëzakonisht të goditura demaskon figurën e Zogut-Baraba.
Tradhëtar, ti na nxive, na le pa atdhe,
ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo fè.
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!
Figura e Zogut dhe gjithë tiparet anadollake të qeverisë së tij, Noli i ka demaskuar edhe në poezinë e fuqishme “Kënga e Salep-Sulltanit”.

Kurse tek poezia “Shën Pjetri mbi mangall”, Noli ironizon deri në sarkazëm gjithë renegatët e revolucionit:
S`ka e s`ka si heroizma
Edhe si idealizma,
po ku dimër del behari
s`ka si zjarr.
Nga poezitë më të mira të Nolit janë “Anës Lumenjve”, “Rend or marathoromak”. Të dyja poezitë krijojnë një imazh të qartë të gjendjes katastrofike të Shqipërisë nën pushtetin e Zogut dhe njëkohësisht shpreh padurimin e poetit për të parë shenjën e parë të kryengritjes shqiptare prej katundarëve e punëtorëve, të vetmit tek të cilët i ka varur shpresat ai. Pas kësaj vjen besimi në fitore, drithërima e poetit që ndjen nga larg se së shpejti do arrijë nëpërmjet “Marathonomakut” lajmi i fitores jo mbi pushtuesin, por mbi shfrytëzuesin e pushtetin feudal të Zogut. Ky është dallimi i Marathonomakut të Nolit nga Marathonomaku i Greqisë së Lashtë i cili lajmëroi fitoren ndaj ushtrisë së huaj. Të dyja këto poezi të fuqishme pasuruan ideo-artistikisht jo vetëm krijimtarinë e Nolit , por poezinë shqiptare në përgjithësi. Vargje si:
Ku e lamë e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjerë-mileti
Anës detit i palarë
Anës dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i panxënë
Lakuriq dhe i dregosur
Trup e shpirt i sakatosur
Janë ngjethëse edhe sot dhe mbeten gjithnjë aktuale. Forca demaskuese dhe thirrja për kryengritjen në këtë poezi dallohet nga gjithë krijimtaria tjetër poetike e Nolit dhe e ka mbështetjen në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, të cilat kishin tronditur prej kohësh jetën shoqërore e politike evropiane. Noli ka shkruar edhe tri lirika intime, ku më tepër trajtohet problemi i kuptimit filozofik të dashurisë si forcë jetëdhënëse. Poezia noliane është një poezi novatore, sepse pasqyron idealet më përparimtare të shoqërisë shqiptare të viteve 20-30, idealet më demokratike, me një forcë artistike të jashtëzakonshme e me një formë origjinale. Shprehja poetike e tij përbëhet nga një mendim sintezë liroko-epik, plot duf e sulm me ritme kumbuese të protestës.

Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri të vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet e Nolit realizmi është gërshetuar me frymën romantike të ëndrrës e të shpresës, po aq ngushtë sa është gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, e luftës për liri shoqërore me tolerancën shoqërore e lirinë e individit Noli ndoqi modelet poetike klasike, por pati një ndikim të ndjeshëm nga poezia popullore. Në poezinë e tij figuracioni popullor i shkrirë në zjarrin e frymëzimit dhe me frazeologjinë e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse. Duke përdorur me mjeshtëri figura si epiteti, antiteza, alegoria etj., ai portretizon me art personalitete reale historike të jetës shqiptare.