Suplementi Pena Shqiptare/ Njolla e turpit

1237
Novelë nga Spiro Mëhilli

Anxhela pasi u nda nga Besiana, u fut në dhomë dhe e mbajti frymën në banjë. Uji i ftohtë i kaloi nga koka në këmbë. Një e dridhur i kaloi në të gjithë trupin nga të ftohtët. U shkumua dhe filloi të fërkohej me sa fuqi që kishte, sikur donte të rripte gjithë lëkurën e trupit. Shkumohej, fërkohej, shpëlahej e përsëri fillonte nga e para. Lotët i rridhnin çurg, por ishte e vështirë të dalloheshin, sepse rrjedha e ujit përzihej me to. Urinoi më këmbë duke menduar se gjithçka që kishte depërtuar në organin e saj gjinor, do e nxirrte jashtë. Pa u fshirë, shkoi pranë pasqyrës së tualetit, mori furçën e dhëmbëve dhe filloi, jo të fërkonte, por të kruante dhëmbë e mishra. Më pas u shtri në krevat dhe filloi të fliste me vete: “Çfarë bëra, çfarë bëra!” për të përhumbur në gjumë të sipërfaqshëm, në atë plot ëndrra. E pa veten lakuriq nën një mashkull të zi si katran, me kokë të rrumbullakët e me flokë të shkurtër rrica-rrica, ashtu sikundër i kanë zezakët, me sy katran të zinj e me sklera të bardha në nuancë të verdhë, me buzë të trasha e të fryra, që e puthnin, e puthnin me epsh shtazarak dhe dy duar të fuqishme muskulore që e shtrëngonin pas vetes. Në ato çaste ajo kishte qenë nën efektin e adrenalinës që kishte shpërthyer e tërbuar në damarët e saj. Ja kjo kishte ndodhur. Ishte penduar, po sa para bënte? Të nesërmen Anxhela i tha Besianës:

– Nuk do ia fal vetes atë që bëmë dje.
– Provuam diçka ndryshe nga ajo që jemi mësuar të bëjmë.
– Tradhtuam!
– Vetëm një herë.
– Është fatale, është me pasoja.
– Të dyja jemi fajtore. Sekretin do e marrim me vete. Kujt do ia themi përveçse vetes sonë?
– Ah, po sikur…?! 
– Sa budallaqe që je! Thua atë që nuk duhet të shkojë as nëpër mend. 
– Nuk mund ta harrojë. E kam parë në ëndërr si të gjallë. Nuk mund ta marrësh me mend se si e kam kaluar natën e mbrëmshme. Xheraldinos i thashë se kisha dhembje barku. Nuk doja ta bëja, doja ta shmangia, sepse pa dashje do më shpëtonte ndonjë fjalë që i kisha thënë lugatit. 
– Ha, ha, ha…! 
– Nuk është për të qeshur. Po ti si e kalove natën e mbrëmshme? 
– Alessandro nuk kuptoi gjë. 
– Je mjeshtre në atë punë. 
– Ha, ha, ha… 
– Më more më qafë! 
– Nuk jemi, as të parat e as të fundit që kemi shkuar me meshkuj me ngjyrë. Ti e di mirë se si Shpresa e gjeti shoqen e saj të ngushtë me zezakun në krevat, ja këtu, në mes të Parisit.

II
Ku qëndronte misteri i kësaj ngjarjeje? Anxhela dhe Besiana dikur shoqe, njëra nga Shkodra e tjetra nga Durrësi, braktisën vitin e fundit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në Katedrën e Gjuhës Angleze dhe morën rrugën e emigrimit klandestin duke u vendosur fillimisht në Bari. Si kaluan ferrin e Kampit të Grumbullimit, u lanë të lira dhe në sajë të gjuhës angleze dhe asaj italiane që e flisnin në mënyrë të kënaqshme, filluan të punonin kameriere. Pas një viti u larguan dhe përfunduan në Romë. Anxhela gjeti punë si kameriere në restorantin “Sapore Italiana” në rrugicën tëposhtë Quirinalit, Pallatit Mbretëror të Italisë, aty ku ndodhet një nga vendet më të bukura e të vizituara në Romë, “Fontana di Trevi”. Asaj, në mjedisin ku punonte, i tërhoqi vëmendjen kisha katolike “San Vincenzo e Atanasio”, anash saj “Via del Lavatore”, që pa dalë në “Via in Arcione”, qëndronte një pllakë e mermertë ku shkruhej “Vicolo Scanderbeg”. Kurioziteti e shtyu të futej në rrugicë të ngushtë e të kalldrëmtë, dhe jo më larg se 60 metra të ndodhej në një shesh të vogël, që quhej “Piazza Scanderbeg”, dhe në ballë të shikonte një pallat me katër kate, që mbante numrat 116-117, ndërtuar në vitin 1465, dikur rezidencë e Papëve. Pikërisht në atë ndërtesë kishte qëndruar për rreth tre muaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e ku në ballë të derës, në pllakë mermeri, në qendër të së cilës qëndronte në profil me mjekër të bardhë dhe me kapelën e kuqe, fytyra e prijësit legjendar dhe rreth saj lexohej: “geor. castriota a scanderbeg principes epiri ad fidem iconis rest an. dom. mdcccxliii”, ku e plotë do të ishte “georgius castriota a scanderbeg principes epiri ad fidem iconis restauravit anno dominis mdcccxliii”. E shtyrë nga kureshtja u interesua dhe i thanë, se vite më vonë pallati kishte mbetur në duar të një markezi me emrin Auletta, nga familja e Kastriotëve, që për arsye ekonomike ia kishte shitur ndërtesën një të quajturi Gobert, që edhe ky ia kishte shitur familjes Scifoni. Ajo u mrekullua kur i thanë se në vitin 1928 për këtë pallat ishte interesuar Mbreti “Zog I”, i cili kishte dërguar një komision nga Tirana që të bisedonte me qeverinë italiane për ta blerë ndërtesën dhe ta bënte Legatë Shqiptare*. Anxhela, pas disa muajsh u dashurua me pronarin e lokalit, Xheraldino Seppi. Edhe shoqja e saj, Besiana, që e filloi punën si pastruese te familja e Alessandro Santucit, i mbetur i ve, me një vajzë që i kishte kaluar të tetëmbëdhjetat dhe që jetonte në hesap të vet, u dashurua dhe u martua. Një ditë të bukur gushti, të dy çiftet, vendosën që disa ditë t’i kalonin në Paris. U sistemuan në “Grand Hotel”. Një pasdite, Xheraldino i propozoi Alessandros të shkonin në kazino e të bënin një dorë letra, ndërsa gratë i lanë të lira. Ato shkonin nga njëra rrugë te tjetra pa ditur se ku. Papritur u ndodhën para një tabele e madhe elektronike ku shkruhej: “MADAME AMOUR”. Te dera nuk i ndaloi njeri. Iu morën mendtë nga të bërtiturat e të pranishmëve dhe zhurma e orkestrës që shkonte në kupë të qiellit. 

– Çfarë bëhet këtu?- pyeti Anxhela. 
– Pihet e kërcehet. 
Shkuan te banaku. Banakieri u afrua dhe i pyeti se çfarë donin të merrnin. Kur Besiana u bë gati të porosiste, tek ato u afrua një zezak: 
– Plyso, nga ana ime zonjushave jepu lëng portokalli, – tha, dhe në vijim një lëvizje fine e kokës. – Nuk është nevoja… 
– Është dëshira ime…, – tha dhe u largua. Në lëngun me nuancë të verdhë në të dyja gotat u hodh nga një tabletë ekstazine. Veprimi ishte i shpejtë. Ato të tërhequra nga muzika dhe ritmi i kërcimit, u futën midis të rinjve duke ngritur duart përpjetë e duke bërtitur. Pranë tyre u gjendën dy zezakë. Njëri ishte ai që u ofroi lëngun e portokallit. Ata i rrotullonin, qeshnin, nxirrnin dhëmbët e bardhë e ulërinin. Pasi kërcyen njëfarë kohe, i morën para duke i shtyrë në anën lindore të sallës. 
– Ku po shkojmë? – pyeti Anxhela. 
– Do largohemi pasi do të ketë kontroll policor dhe… 
Të frikësuara se mos binin në dorë të policisë franceze, ato shkuan pas tyre dhe e panë veten në dhoma të ndryshme. Zezakët u vërsulën si të tërbuar. Anxhela dhe Besiana u munduan të rezistonin, por ekstazina kishte vepruar duke shtuar dozën e adrenalinës dhe duke mos gjetur forcë të shkëputeshin e të largoheshin, instinktivisht iu përgjigjën puthjeve të tyre. Mbi një orë kaluan në tallazime epshore për t’u larguar kokulur drejt hotelit ku ishin sistemuar.

III
Kaluan disa ditë. Anxhela gjumin filloi të mos e bënte të qetë. I filluan dhembjet e mesit, por ajo që e shqetësoi më shumë, ishin të përzierat. “Mos vallë?? Larg qoftë!” Papritur i filluan të vjellat. Aureolat e gjinjve u zmadhuan dhe u nxinë. Kishte mbetur shtatzënë. Si t’ia thoshte të shoqit? Kishte frikë. Pse? Sepse pikërisht ato ditë ishte në periudhën e ovulacionit të plotë. Një nga vezët duhej të kishte zbritur nga tubat dhe po ashtu duhej të kishte rënë në mitër. Veza luftonte, do të shkatërrohej apo do të takohej me njërin nga miliona spermatozoide që do i vardiseshin. Ja pra, ajo kishte ndodhur. Po me kë? Këtu qëndronte enigma. Fëmija do të ishte i të shoqit, apo i zezakut, se dihet që veza pret jo më shumë se tri ditë para se të shpërbëhet e të përfundojë në perioda, e thënë ndryshe në menstruacione. Sa më shumë koha kalonte aq më e shqetësuar ndihej. Ankthi u bë bashkudhëtar. Ajo që do i qëndronte si shpata e Demokleut mbi kokë, ishte fytyra e pacit të zi që i dilte gjithmonë para syve. Ai sikur i thoshte: “Fëmia është i imi. Ai do të ketë ngjyrën time, i zi si vetë nata!” “O Zot, ç’më gjeti!” – fliste me vete. Me fatin nuk luhej. Do korrte atë që ishte hedhur. Mendoi ta abortonte embrionin që po zhvillohej brenda saj. Besimi katolik nuk ia lejonte. Fëmija është dhuratë e Zotit dhe ai duhet të lindte. Jetën ia merr vetëm Ai, nëse dëshironte. I shoqi duke parë gjendjen e saj shpirtërore, një ditë e pyeti: 
– Anxhela të shoh të shqetësuar. Natën flet me vete, diçka thua, por nuk kuptoj se çfarë? Ajo u tmerrua, por e kaloi duke i thënë: 
– Më duket se jam shtatzënë. 
– Diçka kisha kuptuar, por e prisja nga ty,- tha, e më pas e mbërtheu me krahët e tij dhe e puthi në ballë. 
– Nuk isha e sigurt. 
– Më ke lumturuar. Që kur e ke kuptuar? 
– Ka disa ditë. 
– Pse ma ke mbajtur të fshehtë? 
– Eh… 
Javët kalonin. Anxhela e shoqëruar nga Besiana shkuan për vizitë te një mjek imazherie, jo për t’u siguruar, por më tepër për ta pyetur. Kur ai i tha, jo vetëm që ishte shtatzënë në muajin e tretë, por se mbante në mitrën e saj një vajzë, ajo e pyeti: 
– Doktor im shoq është zeshkan. Unë dua që vajza të ketë ngjyrën time, të më ngjajë mua.
– Zonjë e nderuar. Në përgjithësi fëmijët i ngjajnë seksit të kundërt, por nuk është e prerë me thikë. Këto fjalë e tronditën. Vajza do jetë e zezë, e zezë si i ati. Ky do ishte shqetësimi më i madh gjatë gjithë kohës së barrës. Nga ai moment i iku oreksi, u zbeh dhe iu çanë këndet e buzëve. Barku rritej. Nuk kishte dëshirë të takonte të njohur e të afërm. Parapëlqente më mirë të vdiste, por nuk e kishte në dorë. Dita po afronte. Shqetësimet shtoheshin. Ankthi ishte i madh. Erdhi moment për të lindur. Mjeku dhe dy mami ishin në pritje. Shtërzimet e shoqëruara me klithma rrëqethëse, ulërima të tmerrshme e të zgjatura, sa vinin e shtoheshin. Kishte ardhur ora e pritjes së madhe, ora e jetës apo e turpit. Po të ndodhte kjo e dyta, çfarë do t’i thoshte të shoqit? Më mirë të vdiste në aktin e lindjes sesa të mbante turpin mbi vete. Me një njollë të tillë nuk mund të jetonte. Ajo përdridhej, godiste anët e shtratit me pëllëmbë, tërhiqte cepin e çarçafit të rrudhosur dhe përpiqej ta fuste në gojë. Sytë e shqyer iu bënë gjak të kuq. Fytyra i mori një pamje të frikshme, saqë trembi mjekun dhe mamitë.
– Jepi… shtyje… forca zonjë…!
– Doktor po vdes. 
– Nuk vdes jo. Më në fund doli koka e foshnjës. Qafën e saj e shtrëngonte kordoni umbelical, që i ishte mbledhur rreth e qark. 
– Doktor, doktor, – bërtiti njëra nga mamitë, – foshnja po del i asfiksuar, është nxirë i tëri. Anxhela si dëgjoi “është nxirë i tëri”, tha: 
– Nuk dua ta lind! – Lëri budallallëqet. Shtyje, forca, jepi me sa fuqi që ke! 
– Doktor dua të vdes! 
– Shtërzohu për të fundit herë…! 
Fëmijën e sapolindur e çuan në dhomën ngjitur dhe filluan ta reanimonin. Gjithçka kaloi për mrekulli. Ajo ishte një vajzë e bardhë me nuancë rozë, ashtu sikundër janë të gjithë të porsalindurit. Anxhela kishte mbyllur sytë, qante me ngashërim në pritje që t’ia tregonin “njollën e turpit”. Njëra nga mamitë e solli vajzën dhe i tha: 
– Shikoje! Ajo hapi sytë, psherëtiu dhe ra në kllapi. 
– Doktor…?
– Mos u shqetësoni. Ndodh me primiparet. Gjithçka do i kalojë.

IV
Fëmija e pritur me “padurim” nga bashkëshortët tashmë kishte lindur. E pagëzuan me emrin Françeska, ashtu sikundër ishte quajtur dhe e ëma e Xheraldinos. Vitet kalonin dhe vajza hidhte shtat e zbukurohej. Ajo mbaroi të mesmen dhe në vazhdim të lartën, Fakultetin Ekonomik në “SAPIENZA” në Romë. Gjatë viteve të studimit u njoh me amerikanin Uollter Sinks. Si mbaruan studimet, u martuan dhe shkuan në Nju Jork. Nuk kaloi viti dhe çifti u lumturua pasi do bëheshin me fëmijë. Barku rritej. Nga ekzaminimi ekografik në mitrën e saj konturoheshin tiparet e një mashkulli, pra ata do bëheshin me djalë. Dita e shumëpritur erdhi. Për çudinë e të gjithëve, djali doli i zi, e thënë ndryshe, zezak. Skandal! Uollterit i ra qielli mbi kokë. Nuk e donte veten. E shoqja e kishte tradhtuar, kishte shkuar me një njeri me ngjyrë, me një zezak që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me miliona. Për momentin e hëngri turpin me bukë. Pasi e shoqja doli nga materniteti, në shtëpi plasi sherri: -Me kë ke shkuar? – Të betohem me asnjë mashkull tjetër përveç teje. -Po ky zezak nga na doli? Mos ra nga qielli? – Nga unë ka lindur, po nuk arrij ta kuptoj. – Fëmijën nuk mund ta pranoj për djalin tim. Çoje ku të duash, dhe për më tepër nuk do të jesh më gruaja ime! – Je në vete? – Do të ndaj me gjyq! Drama u përjetua shumë keq. Françeska vuante shpirtërisht, por nuk gjente kurajë që të lajmëronte të ëmën mbi gjëmën që i kishte rënë mbi kokë. I shoqi pajtoi një avokat dhe kërkoi që ai të depozitonte kërkesën në gjykatë. Pas një jave u vendos dita e gjyqit sipas procesverbalit të mbajtur. Gjyqtar u caktua Forgert Mossi. Seanca e “Tentativës për Pajtim” nuk vonoi. Të dy palët me avokatët e tyre u paraqitën te kabineti i punës, ku gjykatësi pasi kishte lexuar kërkesën e palës paditëse, i ra shkurt: – Zoti Uollter dhe zonja Françeska, ju kam thirrur në bazë të kërkesës që më është dorëzuar nga zoti Stefen Sassen, avokati mbrojtës i zotit Uollter, i cili ka kërkuar mosnjohjen e fëmijës dhe në të njëjtën kohë divorcin. Para se të jap mendimin tim përfundimtar, çështjen e le të hapur në mënyrë që ju ta rishikoni me gjakftohtësi situatën që është krijuar mes jush dhe pas dy javësh, ditën e martë, më 12 shtator, ju dua përsëri këtu. Nëse keni dëshmitarë që mund të hedhin dritë mbi këtë problem, i depozitoni emrat e tyre në sekretari dhe mirë u takofshim, – kaq tha, u dha dorën dhe u largua. Ditën e caktuar të katër u paraqitën në gjykatë. Gjykatësi zuri vend në karrigen që i takonte. Gjithçka ishte më se e qartë. Marrja në pyetje nuk duhej të zgjaste. Megjithatë rregulli e kërkonte të zbatohej procedura. – Ju lashë dy javë kohë që të reflektoni. Sot merr fund gjithçka… Avokati i Uollterit, u çua nga karrigia, kaloi të dy shuplakat e duarve në pjesët anësore të kokës për të shtrirë flokët e hallakatur dhe tha: – Zoti gjykatës, çështja që do marrim në shqyrtim është më se e thjeshtë. Bashkëshortja e klientit tim, Françeska Sinks, ka tradhtuar të shoqin, zotin Uollter Sinks. Ajo ka pasur marrëdhënie intime me një mashkull me ngjyrë, dhe për pasojë ka sjellë në jetë një fëmijë me ngjyrë, një djalë të zi. Sipas të drejtës që i jep kodi civil, klienti im ka kërkuar jo vetëm mosnjohjen e fëmijës, por dhe prishjen martesore. 

– Nuk është e vërtetë …! – Vazhdoni…- Për të gjetur personin shkaktar të kësaj tradhtie është e vështirë, kur në qytetin tonë meshkuj të tillë gjallojnë si mizat e dheut. Për të sqaruar gjendjen iu drejtova profesor Harold Greisenit, i cili pasi më dëgjoi, nga pikëpamja shkencore ishte plotësisht dakord me sugjerimet e mia. Gjykatësi Forgert, pasi u mendua disa çaste, ia dha fjalën avokatit mbrojtës të Françeskës, zotit Johan Smith. Ai, u çua, hodhi vështrimin nëpër kabinet, u përqendrua andej nga qoshja e majtë e tavanit, e më pas tha: – Zoti gjykatës! Françeska është akuzuar për tradhti bashkëshortore. Unë si avokat mbrojtës kam insistuar me këmbëngulje për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj drame. Ajo betohet se nuk ka pasur marrëdhënie seksuale me asnjë mashkull përveç të shoqit.- Mashtron!- Zoti Stefen, do flisni vetëm kur t’iu jap fjalën. – Zoti gjykatës! Për këtë çështje kam shkuar në katedralen e qytetit dhe jam takuar me kardinalin D. Ai më tha: “Zonja Françeska ka ardhur rregullisht në Shtëpinë e Zotit dhe me ndërgjegje e pastërti shpirtërore është rrëfyer disa herë para Zotit dhe para meje. Se çfarë ajo më ka thënë, ato i di vetëm Ati Ynë dhe unë, bariu i Tij. Fjalët e saj do i marr me vete në botën e amshuar. Por një gjë po ta them, që ajo zonjë asnjë herë nuk ka thënë që ka tradhtuar bashkëshortin e saj. Kjo është fjala ime e dalë nga goja e saj. Më tepër nuk mund të them”. Ja pra e vërteta e një rrëfimi. – Nga na doli fëmija me ngjyrë? – S’e them dot. – Zoti gjykatës të pyesim profesor Harold Greisen. – Të futet profesor Greiseni! – Ejani profesor … Harold Greiseni shkoi dhe u ul në karrigen që ishte e lirë. Gjykatësi e paralajmëroi që do të mbante përgjegjësi para ligjit dhe i tha: – Po ju dëgjojmë. – Zoti gjykatës, sipas ligjeve të gjenetikës të përcaktuara nga Mendeli, ngjyra e zezë është dominonte ndaj të gjitha ngjyrave të tjera. Ajo femër që shkon me një njeri me ngjyrë do të lindë vetëm fëmijë të zinj ose e shumta mulatë. – Nuk ka ndonjë mundësi që …? – Në jetë mund të ndodhin përjashtime që mund t’i takojmë një në dhjetëra milionë lindje dhe kjo mund të vijë për shkak të veprimeve të fermenteve në genin që përcakton ngjyrën. – Ja pra që paska një klauzolë. – Zoti gjykatës… – Nuk kam nevojë për sugjerime. Në momentin kur ai po ngrinte çekiçin e ta përplaste në tavolinë, u hap dera dhe u fut vrulltazi nëna e Françeskës, Anxhelina Seppi, qullë në djersë. I mbahej fryma. Dukej që kishte vrapuar. 

– Zonjë…? – Mama…! – Zoti gjykatës, ju lutem më lejoni të them të vërtetën e kësaj tragjedie që ka ndodhur me vajzën time! – Ç’të vërtetë? – Atë që ju sot jeni mbledhur dhe po gjykoni.

Gjykatësi hezitoi për momentin, më pas në mëdyshje dhe i shtyrë nga kureshtja tha:
– Zonjë po ju dëgjoj. Françeska qante me dënesë. Kush e kishte lajmëruar të ëmën, pse kishte ardhur dhe çfarë do të thoshte. – Zoti gjykatës, – filloi ajo, – banoj në Romë. Një mikesha ime më njoftoi dje vonë se çfarë kishte ndodhur me vajzën time dhe mbi seancën që do zhvillohej ditën e sotme. Vajza nuk më kishte lajmëruar që lindi, që si nënë t’i ndodhesha pranë. Çështja qëndron te fëmija. Për këtë do të flas: – dhe filloi të tregonte se çfarë kishte ndodhur rreth 22 vite më parë, stresi që kishte kaluar, lindja e vajzës, dhe më tej: – Zoti gjykatës, kjo lindje mbart mbi vete “Njollën e Turpit”, që nuk do më hiqet gjithë jetën. Kërkoj nga ky gjykim i juaji dhe me miratimin e dhëndrit dhe të vajzës sime, ta marr djalin e ta rris vetë me dashurinë e një nëne. Zëreni se këtë fëmijë do e merrja për bamirësi dhe asnjeri nuk do e dijë të vërtetën. Ju lutem, vëreni dorën në zemër…, – tha dhe filloi të qante në pritje të vendimit përfundimtar.
—————————-
*- E kisha parë nga jashtë pallatin në fjalë, por gjithmonë e gjeja të mbyllur. Në tetor të vitit 2016 për kënaqësinë time e gjeta të hapur dhe m’u dha mundësia të futesha në mjediset e tij. Ajo ndërtesë pas një rikonstruksioni, ishte kthyer në hotel rezidencial, ku midis të tjerash kishte katër dhoma luksi pune dhe shtatë dhoma të mëdha suite.
Sigal