Suplementi Pena Shqiptare/ Ndriçim Kulla: Kryeministrit të Shqipërisë z .Edi Rama

537
Sigal

I nderuari Kryeministër !
Siç mund te jeni vënë në dijeni kohët e fundit, në paketën fiskale për vitin 2019, ndryshe nga çdo lloj pritshmërie, është vendosur për herë të parë në historinë e shtetit dhe botimtarisë shqiptare, taksa mbi librin si produkt në masën e 6%. Komuniteti i botuesve dhe ai i shkrimtarëve dhe përkthyesve u gjendën fare të habitur dhe të papërgatitur nga kjo situatë, pasi një ide e tillë as nuk ishte paraqitur në programin apo në prioritet e qeverisë që ju drejtoni, por as edhe në debatet e ndryshme apo tryezat e rrumbullakëta ndërmjet botuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Ndoshta e gjithë kjo mund të ketë ardhur edhe si pasojë e inkompetencës së ndonjë aparatçiku në ndonjë digaster qendror, që nga dëshira për të sjellë diçka të re në fushën e librit ka krijuar një aksident i cili po sjell pasoja në marrëdhënien tonë me librin dhe lexuesin. Mbi të gjitha një taksim i tillë, përbën një rast jo vetëm diletant, por edhe të pangjashëm me modelet me të cilat operojnë sot vendet e BE. Mendoj se ky moment kërkon reflektim dhe së paku të merren në konsideratë mendimet e njerëzve të librit, të asaj fushe që nuk mundi të shndërrohet kurrë në një industri të mirëfilltë kulturore dhe s’ka se si të ndodhë, për tregun e vogël dhe specifik që ka Shqipëria.
Në lidhje me problemin e reduktimit të TVSH-së mbi librin në Republikën e Shqipërisë, dhe disa taksave që e rëndojnë këtë sipërmarrje po Ju paraqesim disa argumente më specifikë mbi nevojën e heqjes së TVSH për librin dhe marrjes në kujdesin tuaj të kësaj nisme jetike për formimin dhe emancipimin e shoqërisë:
Propozimet

Të hiqet 20% i TVSH për prodhimin e librave nga shtypshkronjat shqiptare.

Argumenti: Librat që shtypen jashtë Shqipërisë, nuk ngarkohen me pagesën e kësaj TVSH – kusht i BE-së.
Në këtë mënyrë ne dëmtojmë shtypshkronjat vendase duke i bërë jo konkurrente me ato të vendeve fqinje.
Ndërkohë që kjo TVSH që rëndon mbi shtypshkronjat vendase, efektivisht pasqyrohet në çmimin e shitjes së librit, sepse është pjesë reale e kostos së prodhimit për sa kohë nuk është e zbritshme. Sjellim në vëmendjen tuaj faktin që libri në shitje është i përjashtuar nga skema e TVSH.

– Të rishikohet masa e tatimit në burim të autorëve, përkthyesve, redaktorëve dhe korrektorëve e cila nga 10 % që ka qenë gjithë këto vite u rrit në 15%.

Argumenti: Honorarët që merr kjo kategori nga menaxhimi i punës së tyre krijuese janë minimale në raport me vlerat kulturore që ata prodhojnë për forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe përmirësimin e imazhit tonë qytetar.
Me rritjen e këtij tatimi kjo kategori mund të dekurajohet duke reduktuar interesin për të punuar dhe për ta kthyer në profesion këtë kontribut intelektual.

Heqja ose ulja e TVSH për shtypshkrimin e librave do të ndikonte në:
-Uljen e çmimit të librave.
-rritjen e numrit dhe tirazheve të botimeve.
-rritjen e numrit të lexuesve.
-rritje të nivelit kulturor të shtetasve.

Politikat mbi Librin, si një simbiozë midis produktit kulturor dhe mallit industrial, e kanë të domosdoshme përfshirjen edhe të aktorëve dhe faktorëve të tjerë politikë dhe shoqërorë, për të qenë efikase dhe me rendiment në këtë drejtim.
Nga ana tjetër dëshirojmë të theksojmë se kjo masë politike vjen e bëhet e domosdoshme edhe për disa arsye të tjera, siç janë :
1. Rekomandimet e Këshillit të Evropës (Shih. “Raport për politikat e librit në Shqipëri” Strasburg, 2000
2. Kundërshtitë e vazhdueshme të komunitetit të botuesve, janë të bëra publike në mënyrë sistematike.
Në këtë kuadër mendojmë se realizimi i kësaj politike do ketë efektet e veta shumë pozitive në modernizimin e tregut të librit, në proceset e integrimit kulturor dhe në përmirësimin e imazhit së Shqipërisë duke e konsideruar kulturën si vlerë të patjetërsueshme kombëtare, gjë e cila është në detyrimin parësor të çdo qeverie të çfarëdo kohe, që ka për synim mbrojtjen e së drejtës universale të shtetasve për informim dhe formim nëpërmjet kulturës së shkruar.
Mbetem me shpresën e predispozicionit tuaj
Me respekt ,
Ndriçim Kulla
Studiues dhe Botues
Kryetari shoqatës “Aleanca për Librin”