Suplementi Pena Shqiptare/ Naum Veqilharxhi: Ideologu i Rilindjes Kombëtare

2622
Naum Veqilharxhi (1767 – 1846) ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. Shqiptari i parë sipas dokumenteve personale zyrtare. Naum Bredhi Veqilharxhi lindi në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës, më datën 6 dhjetor 1767. Kjo zonë gjendet shumë pranë qendrës mesjetare të kulturës në Voskopojë.Vajzat e tij quheshin Saranda, Miranda dhe Luljeta. Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Bredhi Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca). Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar. Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçar për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për ne shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab. Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije. Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët. Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi. Sot mund të themi që këto dy shtete, Shqipëria dhe Rumania, nuk ia lanë harresës, njeriun që bëri urën e miqësisë mes tyre. Ata i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Për shembull shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është kthyer në muze dhe ajo ruhet me shumë përkushtim nga shteti rumun. Ndërsa shteti shqiptar dhe akademikët e tij konsiderojnë se Naum Veqilharxhi është figura më e spikatur e diasporës shqiptare për sa i përket gjysmës së parë të shekullit XIX.
Sigal