Suplementi Pena Shqiptare/ Natasha Xhelili: Liqeni i Zemrës

830
Rreth librit të Zef Skiro Di Magios Letërsia e arbëreshëve të Italisë është pjesë e letërsisë shqipe. Në atdheun e krijuar në tokë të huaj jo vetëm u ruajt gjuha e zakonet, por u zhvillua dhe një letërsi e mirëfilltë. Kulmin e saj e arriti me De Radën dhe poetë të tjerë jo pak të njohur; paraqiti botën arbëreshe me mallin e brengën për atdheun e munguar, pa lënë pas unin poetik të çdo krijuesi duke e pasuruar këtë letërsi. Nën kujdesin e Mjeshtrit të Madh Agim Mato, me punën e palodhur të profesor Anton Nikë Berishës që bëri një përzgjedhje të poezive të poetit arbëresh Zef Skiro Di Magio, u bë një antologji poetike që u diskutua gjatë ditëve të Triremës Poetike Joniane (29shtator-1 tetor 2017). “Liqeni i zemrës” i poetit Zef Skiro Di Magio, është i mbushur me ujë të kulluar nga jeta e arbëreshëve të Italisë që vërtitet mes dëshirës së pakufijshme të ruajtjes së gjuhës e zakoneve të mbartura nga atdheu mëmë dhe modernitetit të pashmangshëm që kalon mbi trupin e përditshmërisë. Ky liqen është arena ku ndeshen dy kohë, dy fakte: dita dhe nata të përshkruara me detaje që flasin në çdo gem, të mbushura me shqetësimin e rrënimit shoqëror dhe paaftësisë për të ndryshuar diçka. Poezia e titulluar me një fjali nxitëse “Rimerr mundimin!” shihet si zgjidhje për këtë gjendje të papranueshme për poetin. “Rimerr mundimin tantalik/ Të nxjerrë nga miniera e natës/ Me barrën e tij të plotë /Dhe e ngarkon shpirtërisht i kërrusur /Sapo pasqyrë i bëhet dita.” Ndeshja e epiteteve të qëndrueshëm (o të rreptë etër arbëreshë) si në një poemë epike, por edhe rimarrja e tematikës shoqërohet nga përshkrimi i natyrës që zbut brazdat e hapura te liqeni i zemrës. Në breg të liqenit parakalon bukuria femërore që ecën solemne e veshur me kostumin karakteristik arbëresh që hedh rrufe me stolitë e veta. Por edhe para kësaj bukurie vendoset një “zbrazëti arbëreshe”, shqetësimi vazhdon… “Kjo bukuri e së tashmes në luftë me paqëndrueshmërinë e saj” sulmon edhe brezin e ri që shpreh ankthin e vet për trashëgiminë që ka amanet nga prindërit dhe barrën që duhet të mbajë për ta përcjellë atë. Përreth liqenit të zemrës krijohet një mjedis poetik konkret me toponime të ndryshme që shpalosen nga poezia në poezi si Fusha e Zonjavet, kodrat e Kallazotit. Ato i japin ngjyrat e e vendit e kohës poezisë së Zefit duke kaluar kufijtë e vendlindjes e duke shkuar ku ka mundur në trojet shqiptare në Ulqin, Tetovë, Strugë që shoqërohen nga ndjenja e mallit dhe himnizimit të bukurive të tyre. Atdheu merr përmasa të tjera. Ai i shoqëron bijtë e vet kudo. Ndaj në viset shqiptare ndihen elementet e fantastikes. Struga është një nuse e bukur me të gjitha hiret, në Shkup monumentet ecin, lulja ulqinake është prej shkëmbi të larmishëm etj. “Unë të martoja moj nuse Strugë Që sensual më prite me pamjet e tua Profile të qarta të trupit tënd Mbështjellë aty-këtu Nga mëndafshi i qiellit dhe i ujit” Buzë liqenit qëndron njeriu i vetmuar që mban në zemër një dashuri të përjetshme. Ai e ka humbur arsyen dhe është shembull për dashurinë e vërtetë. Pranë tij qëndrojnë ishuj të trazuar nga stuhitë e kohës. Ata janë të ngarkuar me dhimbjen e mungesës së atdheut që u munduan ta krijojnë në shekuj. Plaga ripërtërihet me dyndjen e re të shqiptarëve përtej detit, gjakoset përsëri dhe dhimbja shtohet. “Morea nuk do të vdesë kurrë.” Problemi i trashëgimisë shihet edhe te martesa mes arbëreshëve duke i dhënë rëndësinë e duhur këtij bashkimi. “ Ushqyer nga të njëjtat fjalë./ i sigurt ankorimi tani/nga brigjet e bashkuara të pesëqind deteve/e sigurt e ardhmja si akt besimi’’. Të gjitha shqetësimet e tij për botën arbëreshe mblidhen këtu e qetësojnë shpirtin e trazuar. Poeti është si perënditë antike qëndron diku lart e vështron gjithçka. Po njësoj si perënditë ai vë dorën kudo krijon peisazhe që shoqërojnë ndjenjave njerëzore, i vendos në antitezë me to, plotëson mozaikun e botës së tij poetike. Por nuk mjaftohet vetëm me përshkrim ai vuan, proteston, kërkon zgjidhje, shpalos filozofinë e një arbëreshi që di si t’u drejtohet bashkatdhetarëve për të ruajtur gjuhën e zakonet e të parëve. Roli i poetit, prania e tij kudo, protagonizmi në mënyrën e perceptimit të botës janë pjesë e tematikës së librit të Skiroit. I zgjuar si Poeti/për gjithësinë makro/ i kujdesshëm si Poeti për gjithësinë mikro. Ai falet në dy përmendore të letërsisë shqipe: Derada dhe Podrimja. Të dy këta poetë kurorëzohen me kurora dafinash. Poezia për Podrimen është nga më të bukurat e librit: Kur vdes Poeti/ pëlhura e faltores shqyhet/ e zeza pushton botën/ pasiguria kap njerëzit/ fjala mbyllet në varr… ajo është ndërtuar në dy pjesë me antiteza të fuqishme dhe është një himn për poetin e madh. Ndërsa për Deradën shprehet: në emrin tënd pasardhësit kryen bukuri; Libri mund të shërbejë edhe si shembull për të parë evoluimin e gjuhës shqipe, disa forma të vjetra të saj. Janë dëshmi e gjallë e mbijetesës së një gjuhe në troje të tjera jashtë atdheut mëmë. Është shenjë e qartë e ekzistencës dhe dashurisë që ka ky popull për kombësinë e vet.

Sigal