Suplementi Pena Shqiptare/ Naim Frashëri: “Ende kërkojmë gjurmët e tij”

606
Nga Gezim Llojdia

NË MALE TË DANGËLLISË ENDE KËRKOJMË GJURMËT E NAIMIT
Kilometra pambarim, rrugëve jugore. Përmetin, qytetin që hëna vizaton mbi lum, një breg i ndan. Shpejt e ka ditur qyteti. Që Përmeti do të shtrihej deri në breg. Është quajtur Vjosë, ky lum jugor, që kokën e ka jashtë territoreve. Këmbët dhe bishtin në Shqipëri. Breg më breg,shkulme nxjerr në zemëratën dimërore.
DANGËLLIA
Një përkufizim gjeografik. Brenda kësaj krahine do të renditja: katunde të vegjël, katunde të mëdhenj. Ngrehina ,ose streha banimi malore. Mbyllur kuvlitë me rrasa guri. Tjegulla. Pjekur nga balta e kuqe. Pjergulla me vile rrushi. Rrugë .
Burime uji. Lumenj. Përroska, shtrat thara, skërka,vivar.
Male të thepisur. Gunëveshur. Rrobazhveshur. Vargmale. Korije. Pyje gjethembuluar. Qytete jugore. Qendra administrative. Shkolla. Magazina të vjetruara. Dyqan mishi. Furrë buke. Diku një minimarket. Copa. Rroba. Restorante. Klube. Historia ruhet me dëshmi .Rojtar janë dëshmitarët. Ura të hershme . Harqe guri. Pasarela të varura mbi ujë. Kënga:ruhet në brigje shpirti. Kaseta. CD. Klarineta. Vegla me tela. Melodi. Zëra oi,oi,oi, oi,oi,oi, oi,oi,o i,oi,oi ,oi,oi, oi,oi ,oi,oi….Ëmbëlsi e zërit,pafundësi e tij. Bukuri e bukur. Ëmbëlsisht e ëmbël. Në male të Dangëllisë, ende kërkojmë gjurmët e Naimit.
FRASHËRI
Qarthuar brenda këtij elipsi gjërrash.Horizonti shfaqet në orbit të vargmalit.Frymëhapësira është gjerrësia e gjërrave.Thellësia e thellësive.Pafundësi e pafundësive . Në fundvjeshtë këtu fluturimet u fshinë.Nuk ka aeroport.Pista avioni.As terminal pasagjerësh.Këtu ekzistojnë,ose më mirë rrojnë këtu ,qyshkur bregore bukuroshe,nga male të Shqipërisë.
4-ARDHË NAIMI
Aguar në lindje. Në farën e jetës Frashëri. Ndrit hapësira. E maleve të gjelbër. Qielli i kthjelltë pranveror i territ të natës. 25 maj 1845. Të ulur në prerin e vetmisë. Mijëra vite e pritëm. Ardhë Naimi. Ndriçimi. Poeti ynë. I biri i Halidit. I mëmë Emine Mytevelit. E priti mëma të birin. Ardhë poeti ynë. Në Frashër, ardhë Naimi. Naimi erdhi në jetë në fshatin malor të Frashërit.. Atje, ku sythet, krejt lulëria krijojnë “spektakle” marramendëse , në “koncertin gjelbëror,” që zë fill në një ditë të shënuar të pranverës. Mësimet e para i merr te teqeja e fshatit në vitet 1855. Kur ka filluar mësimet në “Zosimea” të Janinës, mëson, arabisht, persisht, turqisht. Në këto gjuhë të përvetësuara shpjegohen edhe ngasjet ëndërrore. Stiset dhe një pikëtakimi me ëndrrat. Z. Xholi me një sy tjetër rendit,vendlindjen malore të disa patriotëve rilindës. Shumë prej tyre kanë zbritur nga fshatra malor . N.Veqilharxhi, Vithkuqi i Korçës, J. Vreto, fshati malor Postenan, Leskovik, Naimi, Samiu, Abdyli, Frashër i Përmetit.
“Në male, atje rrojnë perënditë”. Ka shkruar Naimi.
Kjo është përhapja edhe e asaj legjende se në Shqipëri, ka vende të shenjta. Malet hijerëndë? Qielli pa kufi. Nata e yjeve, që bien. Kjo natyrë fsheh, gjithsesi misteret e saj. E mban të fshehtë krijuesin e saj. Naimi ravijëzon : 
Fletë natyra në çdo çast në këtë botë
dhe të fshehtën, që ka brenda shkoqur thotë.
Herë flet me pëshpëritje,me ngadalë,
Herë më fjalën e trupëzuar, herë pa fjalë
Kaq të fshehta i thotë era trëndafilit
Këto thotë dhe rënkimi i bilbilit
Gjithë ç’janë edhe ç’mban kjo gjithësi
Rrëfejnë kaq të fshehta dhe çudi.
Reja,era,deti i shkumxuar,
Malet,fushat e livadhet bleruar,
Qielli,yjet, e të tjera një nga një,
Flasin qartë,flasin bukur sa s’ka më. 
Andaj zëmrës kjo gjuh’ i është dhënë
Që t’i thot asaj të fshehëtën e pathënë.
Këtë gjuhë e kupëtojnë mendtarët, Ata gjurmojnë dijen, zbulimtarët. “Njeriu kur thellohet në natyrë,- shpreh Naimi, kthjellon zemrën nga turbullirat materiale.” E pathëna është. Nëpërmjet saj Naimi, kërkon të dijë,të fshehtat qiellore. E pathëna ka këtë emër: Përmbi to sundon Zoti. Përse asnjë gjeth,ashtu asnjë syth, asnjë lulëri,nuk ruan plotësisht ngjashmërinë? Në Dangëlli,në fshatin malor Frashër, ku ka lindur Naimi ka një teqe, sikundër teqetë e tjera të këtij tarikati. Këto ruajnë mënyrat e tyre të studimit të ëndrrave. Ato janë një element thelbor në përsosjen shpirtërore. Kështu duke folur për rilindjen,do të themi se ka pasur një ëndërr. Kjo ëndërr është shfaqur pikërisht tek ata të cilët kishin njohuri jo të vogla për ëndrrat. Endrra përcjell një mesazh. Si e këtillë, ajo ishte një kumbim,në zgjimin e ndërgjegjes. Është ngritur furishëm, për vetë ngarkesën emocionale, që ka mbajtur. Ëndrra me mesazhin e saj, ka goditur jo për rastësi,si rilindësit e tjerë edhe Naimin. Për më tepër arsye, Naimi, ka pasur njohuri jo të vogla,nga kjo fushë. Por ngrihet një pyetje,që nuk mundet të kapërdihet lehtë. Përse ndodhi pikërisht atëherë,kur shqiptarët do të mund të përjetonin vlime të mëdha? Ka një fshehtësi absolute ,rreth kësaj. Kështu mbasi është ngjizur ëndrra në “memorien qiellore” është përcjellë tek rilindësit. Me lajmëtarët e vet engjëjt e përcollën në gjumin ëndërror të rilindësve tanë. .
VEND –ORIGJINA E FRASHËLLINJËVE
Ora e vendosjes së Frashëllinjëve në vendbanimin Frashër është e largët. Trandje historike megjithë gjatësinë e shekujve të tyre kanë datime. Ato zbresin,në fakt varen nga mjegullinat nëpër kohën tonë,afër tre shekuj më parë. Atëherë, Frashëri, sigurisht që ka ekzistuar. Në suaz të maleve kishte ruajtur formën e vet.
Dokumenti i parë që sjell dëshmi 
Këtu në këtë vendbanim Frashëllinjtë janë vendosur aty nga 1710. Dokument ky i prurë nga koha,rreth viteve1901 nga pinjolli i Frashëllinjëve Mit’hat Frashëri. 
Dokumenti i dytë,që sjell dëshmi
Frashëllinjtë kanë jetuar përpara vendosjes në Frashër, në Tomoricë,të Skraparit. Katundi Grëmishë. Në vitin 1571. Surgjynosen në Stanimakë të Greqisë. Arsyet, thuhet është kryengritja kundër osmanëve. Dëshmia është e shkencëtarit Frashëri,Sami Frashëri. Bejlerët e Frashërit e kishin origjinën nga Tomorrica. Kështu shprehet Samiu shkencëtari Frashëlli. Dokumente te tjera,zbresin po kaq të dhëna,që janë ripërtërirë në ciklin e përsëritjeve. Në librin “Ardhja e Naimit në teqe”, botuar në vitin 2000, kam pasqyruar këto dy dëshmi. Një dëshmi tepër interesante sjell studiuesi Moikom Zeqo në një ravijëzim brilant tek “Syri i tretë”.Thuhet madje se ka qenë një Hamza. Ai ka kërkuar autonomi. Mirëpo për të bindur Hamzanë se osmallinjtë nuk e njihnin i dërguan tabore. Pa zhaurimës,rebeli shqiptar ka tentuar t’ia mbath, por mbeti rob, që do të thoshte kokë e prerë, familje syrgjyn. Samiu, duke zbritur ngjarjet historike në Frashër, përmend një farë Ajaz beu. Ka qënë Qiprillinjtë vezir nga Përmeti, që u ka hequr syrgjynin. Mirëpo perandoria kishte një strategji. Kokë prerjen, kriposjen e saj për të parin dhe syrgjynin familjen dhe trashëgimtarët. E para ishte një fshirje definitive e rebeluesit, nga defterët e jetës. Ndërkohë familja shtrëngohej në syrgjyn,vende të largëta,përtej tokave ekzistuese. Kur morën faljen frashëllinjtë morën edhe prona. Kështu Frashëllinjtë, nipër e mbesa të mbetur pas syrgjynit u rikthyen. Mirëpo ata nuk zbarkuan në Tomorricë, vendlindjen e hershme të tyre. Një arsye zhbiruar mundet të jetë kjo. Nga pronat, që u dha, Frashëri ishte një vendbanim mrekullor. Një sy përqafim i gjallë,vetmitar me vargmalin stoik. Prona të dhëna në Frashër,Sipas studiuesve janë Martinja, Xanina, Topojani. Ndërkohë në Vlorë dhe Armen, Kullës dhe 2-3 fshatra të Myzeqesë. Frashëri është vendbanimi i frashëllinjëve në kohë pas viteve 1710.
DËSHMI
Frashëllinjtë figurojnë me toka në kazanë e Vlorës. Shitja e pronave të Frashëllinjëve, që dispononin në Vlorë, kaninjotëve. Frashëllinjtë e njohur, çuditërisht gjenden në kohë të hershme në defterin e kazasë së Vlorës. Disponohen të dhëna, që lexojnë mbiemrin Frashëri në këtë kaza. Mirëpo, një dëshmi e panjohur deri sot, gjendet befasisht në qytetin e Vlorës. Gjurmimi i saj shqyrton se midis këtyre gjenden edhe disa radhë për mbiemrin Frashëlli. Dëshmia e zbuluar është ajo e studjuesit F. Shaska. Mirëpo në humbëtirën e kohës,dëshmitë nuk kanë humbur. Ende ruhen në fletë dhe regjistra të një kohe të largët, që ruan mbishkrimin :koha e perandorisë osmane. Sillen tepër të sigurta defterët e kësaj kohe. Regjistrat e tyre të njohur, për saktësinë kanë në origjinalitet të dhëna të shumta për familje dhe prona. Ndërkaq më sipër përmenden vitet 1700,por çuditërisht frashëllinjtë figurojnë me prona të hershme në Vlorë rreth vitit 1506. Kështu në defterin e sanxhakut të Vlorës të vitit 1506, përmendet Frashëri i Dangëllisë. Lidhja me Vlorën, qëndron pikërisht tek pronat e frashëllinjve në rrethina të Vlorës. Dëshmia e sanxhakut të Vlorës ruan datimin 1506, ku përmenden prona të Frashëllinjëve. Toka e Zvërnecit, nëpër fusha të Nartës dhe Bestrova. Prona të Frashëllinjëve regjistrohen deri tek gorica e S. Dalanit. Prona në Armen kufizohej me fushën e Selenicës dhe Armenit. Mirëpo kjo dëshmi, pra gjetja e frashëllinjëve në regjistrin e kazasë së Vlorës me datimin 1506 nxjerr një fakt. Nga të gjitha studimet thuhet se pronat u janë dhënë pas kthimit nga syrgjyni pra pas viteve 1700. Por ky fakt kokëfortë shprehe të kundërtën. Kjo kohë përkon me faktin tjetër që duhet tu jenë dhënë para syrgjynit në Stanimakë, që është rreth viteve 1571. Lidhur me pronat në Vlorë, studiuesi Fahri Shaska, përmend një ligjërim folklorik lab, që ai vet e ka dëgjuar nga i ati XH. Shaska, që këndohej në ziafete dhe dasma labërishte. Lebërit e ruanin zakonin e hershëm për t’i vendosur në këngë, ngjarjet, që në një farë mënyre kështu të përjetësoheshin, në kohëra. Përmbajtja e kësaj kënge shfaqet kështu: 
Avdul ç’mënde pate?
Shite çifligje e irate,
Shite Kallmin në Myzeqe,
Mustafa Begës ja dhe.
Qysh e dhe o derëzi,
Për një karroqe flori,
E dhashë për Shqipëri,
Që të mos e marrë njeri,
As grek,sërb e Mal i Zi.
Avdul Frashëri, Avdul Be,
Po Zvrënecin kujt ja dhe? 
E bleu Dalan Kanina,
Për dy karroqe stërlina…
Të dhënat që sjell ky ligjërim lebërish:
1-Sipas këtij studimi Abdyli ia shiti pronat shqiptarëve të kësaj zone. Kjo është gati e rëndësishme. Në prag të ndërmarrjes së madhe rilindjen e shqiptarëve. Madje aty thuhet se këto tokja u dhanë badiava,fare lirë,ose sipas rapsodit për një karroqe flori. Kur vlera e tyre ka qenë tepër e kushtueshme, ngase të ardhurat e përfituara nga këto prona kanë qenë të një niveli të lartë. Bëhet fjalë për toka buke,toka të zeza me pjellori si. Kallmi në Myzeqe, laguna e bukur e Zvërnecit apo toka përreth Selenicës siç ishte Armeni etj.
2-Gjejmë këtu pikërisht ato të dhëna që i kanë shqyrtuar më parë edhe studiues ,por që i kanë kaluar përciptazi. Kështu Kallmën siç e përmend edhe vargëzimi folklorik ia dha M. B. Kallmi duhet t’i përkasë Myzeqesë, besoj. Ky vargëzim mbetet identik me të dhënat që janë shprehur më parë. Këto toka iu shitën shqiptarëve ,pikërisht të kamurve të këtyre zonave. Ato nuk ju shitën as grekut,as serbit dhe as malazezit,që në cilindo rast mund ti bënin të tyre pikërisht nga vlefta tepër e ulët që u dhanë. Mirëpo shkaku i shitjes ishte sepse kërkoheshin para për lëvizjen tërmetore, që do të shpërthente nga shqiptarët siç ishte përndritja e bukur shqiptare, që i dha një tronditje sizmike perandorisë krahëgjerë otomane..
3-Deshifrojmë Zvërnecin lagunën me detin e bukur e bleu D. K,qe kaninjot.
4-Abdyl beu, po të shikosh përmbajtën e ligjërimit shqyrton se ai tokat ua shiti kaninjotëve. Kanina ka qenë e njohur me një histori jo rastësore. 379m mbi det. Kalaja është gjysmë rrënojë. Dikur thuhej se muret e qytezës janë prishur nga shkaku i tërmeteve. Mirëpo nga syri i saj shfaqet një fushëpamje mrekullore. Nga kalaja e Kaninës syri të zë Tomorin, malin e bekuar të shqiptarëve, dimërngarkuar nga bora. Përtej gjendet Tomorrica,vendorigjina e hershme e frashëllinjëve.
5-Lidhur me folklorizëm,fjala ‘çiflig’ është e njohur. Ndërkohë fjala ‘irat’ mundet të thuhet se bëhet fjalë për pasuri. Në folklorin labërisht gjendet fare rrallë.
Jeta 
Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937. Ishte poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Me vonë punoi pak muaj në Stamboll, në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash ‘Tejhyjylat” (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar. Përveç kësaj ai futi dhe fjalë të reja apo neologjizma duke e pasuruar fjalorin shqip me fjalë shqipe.
FALJA
Zot i math e i vërtetë
Që kreve ç’shohëm në jetë,
Edhe të tjerë që janë
Pa funt pa krye pa anë,
Edhe kudo je ti vetë,
Syri yn tekdo shikon,
Që nga lint e gjer tek perëndon,
Më çdo vënt të sheh fuqinë,
Urtësin’ e madhërinë,
Falna gjithë mirësitë,
Epna dituri e dritë,
Tregona udhën’ e mirë,
Mos na lerë n’errësirë,
Dhurona gjithë të mirat,
Mërgona nga të pështirat.
Zot! falna vëllazërinë,
Dashurin’ e miqësinë,
Epna dëshirë të msojmë,
E të mirat të punojmë,
Bëna të but’ e të qetë,
E të urt’ e të vërtetë,
Jetënë ta trashëgojmë.
Lutja E Naimit
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.
Sigal