Do të këndonj Bukurinë
E të lëvdonj Perëndinë,
Perëndin’ e bukurisë,
Q’i dha shijë gjithësisë!
Perëndija bukuroshe!
Ty të falem e të lutem
Më vjen në gji të të futem
O Zonja përkëdheloshe!
Që më je si mbretëreshë,
Të keqen o pëllumbeshë
Në fytyrët tënde
gjeta Bukurinë,
Si ajy që gjeti
në malt Perëndinë.
Lulezët e Majit
sa janë të mira!
Po përpara teje
m’erdhë të pështira.
Kur shoh faqezët’ e tua,
Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit,
Zëri yt shpirt më jep mua,
Nuk’ i le shijë bilbilit.
Edhe yjt’ e hëna
si të shëmtuar
M’u duknë, kur pashë
atë syn’e shkruar.
Purtek’ e florinjtë!
shigjet’ e ergjëntë!
Zëmrënë m’a dogje,
m’i përdave mëntë!
Do të vdisnja me shumë gas,
Të paskësha pakë shpresë,
Se do të thuash ti më pas,
Vdiq, për mua, pastë ndjesë!