Suplementi Pena Shqiptare/ Murat Gecaj: Takim i radhës, me Dr.Foto Totin…

595
Sigal

Kishte kaluar një kohë relativisht  e gjatë,  që lidhjet  me mikun e kahershëm të periudhës së shërbimit, në vitet ’70-të shek. të kaluar në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), pra me Prof. Dr. Foto Totin- “Mjeshtër i Madh”, i mbanim përmes bisedave me celularët tanë. Bile, edhe kur ai përuroi librin e ri “Harku i kujtimeve” (Tiranë, 2019), nuk shkova dot, që ta uroja. Aq më tepër, se aty ai më ka nderuar, duke botuar një shkrim timin të shkurtër.

Por, secili nga ne, me që jetojmë në lagje të ndryshme të Tiranës, kishte shprehur dëshirën që t’i linim mënjanë ankesat shëndetësore dhe të takoheshim përsëri, për të pirë kafe, ashtu si bënim shpesh herë më parë. Po ja, që na kishin dalë “pengesa” të ndryshme, jo thelbësore dhe nuk ishim bërë për mbarë, që ta plotësonim këtë dëshirë. Por u gjet “nuni” ynë, arsimtari, publicisti e studiuesi Sejdo Harka, që ndihmoi të takoheshim përsëri, ashtu si dikur dhe në shoqërinë e miqëve të tjerë, ndër ta dhe të Bardhyl Xhamës-publicist  e shkrimtar,”Mësues i merituar”; Dr. Fatos  Haritos, Dr.Flamur Tartarit, Sokrat Meksit e të tjerëve.

Në këtë “mision”, jo të mirëpritur për ne, na ndihmoi edhe autobusi i “Unazës” së kryeqytetit. Sepse Dr. Foto na priste te lokali “Rio”, i cili ndodhet në Rrugën “Myslim Shyri”. U takuam përzemërsisht me mikun tonë të përbashkët, ku ishte dhe bashkëshortja e pandarë e tij, Lirika. Gjithashtu, aty ritakova, që nga koha e studimeve universitare, mikun gjirokastrit, ing. Jorgo Guga.

Në atë mjedis të ngrohtë miqësor, bisedat tona ishin të larmishme, si për vitet e studimeve tona, brenda e jashtë Shqipërisë, por dhe sidomos për ato të shërbimit në sektorë të ndryshëm të jetës. Populli e thotë bukur: “Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha”. Kështu edhe Fotua nuk e hiqte nga goja periudhën e shërbimit në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku dhe unë kisha shkuar “vullnetarisht”, nga kryeqyteti, bashkë me familjen. Sigurisht, përmendëm me respekt të veçantë disa të njohur tanë nga ajo krahinë veriore, që jetojnë ose janë ndarë nga jeta.

Një çast i bukur ishte, kur Lirika solli një çantë, brenda të cilës ishte libri i ri i Dr. Fotos dhe një stilolaps i bukur. Në libër, ai kishte bërë  një shënim dashamirës për mua. Gjithashtu, unë i dhurova mikut tim librin më të ri, Jetëshkrimin Nr.2: “Gjurmë, nëpër udhë”(Tiranë, 2018), po me një shënim miqësor.

…U ndamë përzemërsisht me njëri-tjetrin, duke uruar: Shëndet, mbarësi, gëzime e lumturi, vetjake e familjare. Por dhe me një premtim të përbashkët, për një takim tjetër për kafe. Ndoshta, ky do të jetë në lokalin “Galaxy”, afër banimit tim, në fillim të Bulevardit të Ri të kryeqytetit!

-Deri atëherë: Mirupafshim, miq të mirë e të paharruar!

Tiranë, 17 prill 2019