Suplementi Pena Shqiptare/ Murat Gecaj: Kësaj here, takim me mikun tonë të nderuar, Duro Mustafai…

517
Sigal

 Skicë:

1.

Një lexues i vëmendshëm, sidomos në faqet e Fb, ka vërejtur se, në vazhdimësi jam takuar me kolegë e miq krijues, në lokalin “Galaxy-Bar”, aty ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit. Së bashku, kemi biseduar për tema të larmishme të jetës, po sidomos për publikimet dhe botimet në fushën e letërsisë. Kisha disa kohë pa e takuar mikun e kahershëm, publicistin dhe krijuesin nga Vranishti i Vlorës, Duro Mustafain. Ndër të tjera, kjo ndodhi edhe sepse të dy  kemi pasur edhe probleme shëndetësore. Po ja, u gjend kolegu e miku i përbashkët, i kudondodhuri poet e shkrimtar I njohur, Përparim Hysi (Papi) që, sot në mëngjes, na e mundësoi një takim të këndshëm, pikërisht në mjediset e këtij lokali. I pari, kishte ardhur aty Duro. Kur u takuam, u përqafuam ngrohtësisht me njeri-tjetrin. Rast i rrallë ky, më vonë aty ia mbërrini miku ynë i palodhur, Përparim Hysi ose, siç i themi ne, “Papi”. Reth tavolinës së rrumbullakët, bëmë biseda të këndshme, si për vitet e kaluara dhe të sotme, kur kemi punuar në shtyp ose në sektorë të tjerë të jetës. Ne kujtuam me nderim edhe figura të shquara të letërsisë e të arteve,  si të paharruarin Dritëro Agolli, me Sadijen; Fatmir Gjatën e disa të tjerë. Ata lanë pas veprat e tyre të shumta, pasuri e çmuar për brezat e sotëm dhe ata, që do të vijnë pas nesh.

2.

Miku ynë i nderit, i ftuar sot në takimin me ne, Duro Mustafai, ka një jetë të tërë në fushën e botimeve, publicistike e letrare. Emri i tij ka qenë i njohur që dhjetëvjeçarë më parë. Ka punuar mësues e pedagog dhe 30  vjet të jetës së tij shërbeu në fushën e gazetarisë. Gjithashtu, ka shkruar e botuar disa libra letrarë. Ai është autor i librave: “Edhe ti do të bëhesh gjysh”(Tiranë,  2014); “Vranishti në sytë e mi” (portrete, skica, reportazhe, artikuj e intervista), Tiranë,2006; “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditar i një dashurie të përgjakur), roman (Tiranë,2008); “Ne gazetarët e atyre viteve”, (Tiranë,  2014); “Me sytë e një gruaje”, poezi (Tiranë, 2015) etj. Por edhe pas daljes në pension ose me probleme shëndetësore, Duro nuk ka reshtur së shkruari. Ai ka treguar e dëshmuar një dashuri e respekt të veçantë për fshatin e tij të prejardhjes, Vranishtin e Vlorës. Përveç shkrimeve të ndryshme, për atë krahinë me tradita të  shumta atdhetare, luftarake e liridashëse, në fushën e arsimit e kulturës etj. Duro Mustafai me një grup miqsh krijues, kanë botuar gazetën, me tematikë atdhetare e kulturore të krahinës, me emrin e bukur, “Hora”. Në një rast, kam pasur nderin e kënaqësinë që dhe unë të publikoj  aty një shkrim modest. Tani Duro tregon se po punojnë për përgatitjen e numrit të ri të kësaj reviste, me shkrime e krijime të larmishme e interesante, nga autorë të njohur, por dhe nga brezi i ri i krijuesve të asaj krahine, e cila ka qenë e mbetet kurdoherë frymëzim i pashtershëm  për të gjithë ata. Është e kuptueshme se qëndrimi në një lokal, për kafe, nuk mund të jetë i gjatë. Megjithëse kishim shumë dëshirë të rrinim prapë bashkë e të bisedonim, erdhi çasti për t’u ndarë. Po, siç e kemi merak, Papi dhe unë, dëshironim ta fiksonim në një fotografi, këtë takim të këndshëm. Kështu, njërën prej tyre po e bashkangjis me këtë skicë modeste, si vazhdim i kujtimeve të jetës e njohjes sonë. …U ndamë përzemërsisht, duke e falënderuar mikun nga Vranishti, Duro Mustafai, për këtë vizitë dhe duke i uruar njëri-tjetrit shëndet e mbarësi, gëzime  e lumturi, në jetën vetjake e familjare. Por dhe shprehëm dëshirën, që të takohemi përsëri, duke shkëmbyer aty dhe ndonjë libër tonin. Me këtë rast, përmendëm që sot është “Dita Ndërkombëtare e Librit”, në të cilën zhvillohen edhe në Tiranë e kudo në Shqipëri,  veprimtari të shumta e të larmishme. -Mirupafshim, kolegë e miq të dashur: Duro Mustafai e Përparim Hysi!

Tiranë, 23 prill 2019