Në Botën e Pasqyrave Liza
e vogël përjeton shumëfishimin e aventurave mendore.
Fjalët e Lizës me të tjerët janë si lëvizjet e kombinuara shahistike. Ose edhe
si e pasqyrave që i përcjellin njëra tjetrës pasqyrimet por pa sensin e
kujtesës.
…“E sotmja nuk mund të jetë kurrë një ditë tjetër”, vërejti Mbretëresha.
“Nuk të kuptoj”, tha Liza. “Është një gjë që më ngatërron tmerrësisht”.
“Kjo është pasojë e së jetuarit së prapthi”, i tha me edukatë Mbretëresha: “kjo,
që në fillim vështirëson pak gjërat”.
“Të jetosh së prapthi” përsëriti Liza shumë e çuditur. “Këtë shprehje nuk e kam
dëgjuar ndonjëherë!”
“Po ka një përparësi të madhe,” vërejti Mbretëresha, “sepse kujtesa punon në dy
drejtime”.…
Dialog i çuditshëm sa sinteza e qindra librave!
Kujtesa nuk punon në dy drejtime por në një pafundësi drejtimesh.
Të jetosh jetën së prapthi nuk është ndonjë zbulim i ri.
Nga librat e Levis Carroll-it dalin kështu tek Ungjilli Post-modernist.
– A është kujtesa model çlirimi, apo strukture terapie mendore?
– A janë fjalët e vërteta e sendeve, ose “fjala e bërë mish” siç thotë Gjoni i
Patmosit?
– A është e pandërgjegjshmja e strukturuar si një gjuhë më vete simbolike?
– A është imagjinarja faza e thinjur e pasqyrave foshnja në epokën ose
pas-epokën e imazheve universale?
– A mund të jesh në histori dhe njëkohësisht jo në histori?
– A është e shkruara e jashtëshkruara?
– A është dikotomia vetëm metafizike?
– A janë ëndrrat e shëmbëlltyrëzuara një hiper-realitet?
– A është relativizmi i burimësuar nga teoria e kuanteve ai që shkatërron
klishetë e historisë?
– Ç’është pastërtia utopike e universeve të qelqta të ekraneve të kompjuterëve
në fakt modelimi i padukshëm i gjithçkaje?
– A është ky modelim kompjuterik shumëfishimi i ngjashmërive dhe jo i dallimit?
– A është Bota e Çudirave e Lizës realiteti i stimuluar i Disneyland-it?
– Ç’është iluzioni perpetuum mobile i
parqeve të lojërave elektronike?
– A është Post-modernizmi i sotëm një guidë grafike e konceptit marrëzisht
enigmatik?
– A është karaoke arti “vox pox” i performancës?
– Po Zamping-u si ndërgjegjja zero e padurimit pa thellësi?
– A janë arti, feja, shkenca të avulluar nga kulti tiranik i parasë?
– Vërtet stresi e menaxhon botën dhe kaosi rregullin?
– A ekzistojnë dy të tashme: një reale dhe tjetra dematerializim i reales?
- Sa pamundësi mënyrash ke të jetosh jetën së prapthi?
- Të jesh Migjen dhe njëkohësisht Jezu Krisht?
- Të jesh në Golgota e akoma më përpara saj në Hiroshimë?
- Të jesh njëri pa qenë i detyruar biologjikisht të jesh më parë majmun antropomorf?
- Të jesh metaforë pa qenë send apo qenie?
- E pra çdo të thotë të jetosh së prapthi?
- Të jesh edhe Liza edhe Mbretëresha njëkohësisht?
- Si mund të gjurmojmë vragën e rrënjëve gjenealogjike të të jetuarit së prapthi?
- Të të jetuarit së prapthi në art, në filozofi në kalendar?
- Ç’janë këto labirinte plot pasqyra të panumërueshme dot?
- A jemi ne këto pasqyra, apo pasqyrat janë ne?
- A jemi kopje të vetvetes, apo thjesht kopje të të tjerëve?
- Dhe ç’janë të tjerët?
- Thjesht projektimi jonë i fragmentizuar?
- A ekzistojnë më Rrëfimet e Mëdha të Historisë?
- A jemi qytetarë të klonuar të virtuales absolute?
- A është eskatalogjia “fundi i Historisë”?
- A është trans-Historikja natyra e sterilizuar?
- Kanë vdekur dyshimet?
- Shpresat?
- Poezia?
- Apo jemi loja dhe rebusi i kibernetikës?
- Instrumente të industrisë së Simulacrum-it?
- A ka shpëtim?
Ah, përbindëshi kolosal, shumëkokësh i mediave HD , që na ka përpirë të tërëve!
Sa parake pasqyrat e Lizës!
Ç’kanibalizëm i përshpejtuar!
Aleluja!