Suplementi Pena Shqiptare/ Moikom Zeqo: Petraq Risto është një talent i vërtetë dhe e pasuron poezinë shqipe jo me retorikë, por me substancë të re

534
Sigal

Moikom Zeqo

Petraq Risto është një talent i vërtetë dhe e pasuron poezinë shqipe jo me retorikë, por me substancë të re

I spikatur që në vitet 70 të shekullit të kaluar, kinse u fsheh nën heshtjen e punës dhe të dinjitetit, për të shpërthyer afirmimin e tij në vitin 2000. Po kjo nuk ka aspak një kuptimshmëri thjesht kronologjike. Bëhet fjalë për provën titanike të poezisë: për cilësinë e saj. Poetë të njohur në hierarkinë e realizmit socialist, mbas vitit 1991 nuk i rezistuan provës së historisë, vorbullës së ndryshimeve dhe sidomos përballjes me cilësinë e modernitetit të poezisë së vërtetë. Po hierarkitë e vjetra, për habi, ende mbijetojnë trishtueshëm, kur është e domosdoshme për të caktuar meritueshëm hierarki të reja dhe të vërteta. Në këtë kontekst krijimtaria e P. Ristos është tipologjikisht ndryshuese dhe pjesë e avanguardës së vërtetë. Risto është poet luftarak dhe pllenues i modernitetit të poezisë shqipe si pakkush. Petraq Risto ka një vizionarizëm të një grishjeje të re, këlthitëse; ai i ka farkëtuar fitoret e tij me përpjekje dhe tendosje të admirueshme. Petraq Risto guxon dhe shpërthen, ravizon me lëvizje kozmike, me tema të ekzistencialitetit tronditës dhe të dyzuar të epokës globale… Risto kërkon diçka të re, një tematikë universale, në bioritmin e vargjeve, në aktualizimin e metaforave të çuditshme, në kriticizmin shoqëror dhe në atë letrar. Është sfidues deri në fund. Ai është poet i metaforizimit si proces i pandërprerë; kapërcen kufijtë jo thjeshtë konvencionalë, e botëzon Shqipërinë, motivet e botës i shqiptarizon. Të dy librat e tij poetikë duken si të papritur, por në të vërtetë nuk është ashtu: ata janë të parapërgatitur, të ftillëzuar. Ai ka arritur shumë dhe gati në vetmi si çdo krijues origjinal. Suksesi i tij është sukses i poezisë shqipe të ditëve tona, projektuar në ardhmëri. Natyrisht kritika ka filluar të interesohet për krijimtarinë e tij, kjo gjë të mbush me besim se vlerësimet klanore në poezi me kalimin e kohës nuk do të rezistojnë dot. Ndryshimet poetike i paraprijnë dhe ndryshimeve ontologjike. Petraq Risto i sfidon tërë ata që kanë mbyllur sytë dhe veshët, ai i sfidon tërë ata që kinse nuk lexojnë dhe kinse janë papët e vlerësimeve ekleziastike, profesionistë të mjerë të hierarkive të mitizuara, që nuk i hyjnë në punë askujt