Suplementi Pena Shqiptare/ Moikom Zeqo: “ Onufri, koloristi i madh shqiptar”

1218
Intervista e realizuar me Moikom Zeqon nga gazetari Fahri Musliu
Disa të dhëna të reja mbi jetën dhe veprën e piktorit të madh shqiptar të shekullit XVI, na prezantoi Moikom Zeqo, arkeolog, shkrimtar dhe njohës i mirë i veprës së Onufrit. Të vizitosh Shqipërinë e të mos vizitosh qytetin e Beratit është e njëjta si të jesh atje e të mos vizitosh Krujën. Po të gjendesh në Berat e të mos shikosh Muzeun e Onufrit, apo të mos vizitosh varrin e tij në Lezhë. Për Onufrin deri më sot janë bërë shumë hulumtime, studime, janë shkruar shumë punime e monografi, por hulumtimet dhe studimet rreth jetës, punës veprës së tij vazhdojnë të zgjojnë interesimin e atyre që merren me art, por edhe të arkeologëve. Kështu, që gjatë qëndrimit në Shqipëri, pikërisht në Durrës, patëm rastin të takohemi dhe të bisedojmë me njohësin e mirë të Onufrit, Moikom Zeqo, ndryshe arkeolog dhe shkrimtar i njohur shqiptar, i cili na zbuloi, për herë të parë disa të dhëna të reja për këtë piktor të famshëm. Në pyetjen tonë se cilat janë këto të dhëna që deri më sot nuk i janë njoftuar opinionit, Moikom Zeqo thotë: Në krahinën e Shpatit gjëllon një folklor i spikatur, një botë e legjendarizuar plot epikë dhe lirikë popullore. Traditat vendase kanë qenë përherë të fuqishme e të pashterura. Në mbishkrimin tij të shekullit XVI në momentin e Valshit, Onufri përmend “Vendin e valshakëve”. Me këtë rast kemi të bëjmë me një toponimi popullore, origjinale, që lidhet me fisin shqiptar të valmëve të Shpatit, që padyshim kishte një peshë dominuese në mjedis, aq sa edhe vetë Baleti, Elbasanin e quante “Qytet i Valmit”. Në këtë vend të skajshëm Onufri ka jetuar disa kohë, ka pasur marrëdhënie me një person me emrin Gjergj Logotheti, i cili ishte klerik dhe klitor i bazilikës së Vlashit, bile e ka paguar vetë Onufrin, siç shënohet në mbishkrim. Për këtë person nuk është folur asnjëherë deri tani në studimet për piktorin, por ne mendojmë se personi në fjalë është një motiv me interes për kronikën biografike të Onufrit. Fakti, që Gjergji ka një emër të tillë, flet për lidhjet e tij me një familje të përmendur dhe për interesat e spikatura intelektuale. 

A mund të na thoni pra, se çfarë roli ka luajtur Gjergj Logotheti në marrëdhëniet me Onufrin?
Kjo pyetje dhe roli i Gjergj Logothetit në ngjarjet e kohës në situata të veçanta në trojet të periferisë së Shqipërisë së Mesme, natyrisht kërkojnë përgjigje koorrensponduese, por për këtë gjë, duhet hulumtuar e gjetur shumë fakte të tjera anësore e plotësuese, që të mund të ndërtohet diçka e përafërt me të vërtetën anonime. Gjithashtu, me interes të posaçëm është problemi i lidhjeve të Onufrit me udhëheqësit e figurat lokale të popullsisë, me reagimet e tyre ndaj pushtuesve e politikës shkombëtarizuese. Interes në pikturën e këtij kryemjeshtri shqiptar paraqitet fakti i pikturimit të pajisjeve luftarake të kalorësve shenjtor me armatura evropiane, si shalat e kuajve të tri Magëve me pjesën e pasme të ngritur, mburoja të ngjashme me kaskat e stratiotëve e përhapur në përgjithësi në Evropë, apo veshje antike të ushtarëve romakë. Edhe shpatat janë të armatimit bashkëkohor evropian, të drejta, me doreza në trajtë kryqi, kurse shpatat e armatës lindore osmane nuk i detajojnë figurat e luftëtarëve, që ka krijuar piktori. Mendojmë, se Onufri në paraqitjen e një armature të tillë ka pasur parasysh edhe një traditë ushtarake para osmane, kurse zbukurimi i kuajve me zile në qafë, me rripa me dekorime sjell të dhëna për kalorësinë shqiptare e rolin e saj në luftërat e popullit krahas luftëtarëve këmbësorë. Natyrisht, se s’është e vështirë të kuptojmë, se Onufri ka figuruar tipa të afërt me bashkëkohësit, apo pararendësit heroikë të shekullit të skënderbeiadës. Të bën përshtypje kali i shën Gjergjit, i ngritur mbi kuçedrën. Koka e kalit me qafore të gjatë dhe muskulore është e skalitur plot alarm e madhështi, flegrat i ka të hapura, gojën të tendosur nga një hingëllimë kushtruese.

Është folur për Onufrin për spektrin e ngjyrave të tij, në të cilën spikat e kuqja, a ka ndonjë zbulim tjetër lidhur me këtë? 
Kjo ngjyrë është e parapëlqyer, u jep ansambleve të afreskeve e miniaturave të ikonave ndjesi të forta të jetës, të njohura me e emrin si e kuqja onufriane. Epiteti i përdorur në këtë rast është logjik dhe ka fituar të drejtën e qytetarisë në historinë e artit. Kjo ngjyrë ka një lloj ndezje të brendshme, diçka sugjestionuese, tepër të ngrohtë, përdoret nga Onufri artistikisht e funksionalisht. Vetë epoka e kish të evidencua të kuqen. Kryengritësit shqiptar në fund të shekullit XVI, që udhëhiqeshin nga Athanasi i Ohrit kishin bërë të tërë veshjen në ngjyrë të kuqe. Në etnografinë shqiptare, qoftë mesjetare, qoftë më të hershme e kuqja është ngjyra e preferuar, kryesore. Në pikturën bizantine të stilit të paleologëve e kuqja vihej në dukje, mes gamës koloristike në përgjithësi, po tek Onufri e kuqja, pa u bërë qëllim në vetvete e spekulim pikturim, luan rol të dukshëm e harmonizim të veçantë, duke e bërë atë një nga koloristët e mëdhenj shqiptarë të shekujve. Veshjet me ngjyra të ndezura të personazheve të afreskeve miniaturave të Onufrit janë gati një sfidë ndaj koncepteve islamike e obskurantiste të perandorisë osmane, e cila dy shekuj më vonë në “ Vendimet e Bagdatit” do të kodifikonte edhe rregullat përfundimtare mbi ngjyrat e përdorua në veshjet, duke u dhënë përparësi ngjyrave të errëta. Me anë të stratiotëve shqiptarë, të cilët i përmend edhe Engelsi për vetitë e tyre luftarak në tërë Evropën, u ruajtën në dhe të huaj për një kohë edhe veshjet shqiptare. Në veshjet e stratiotëve dominonte e kuqja, aq sa historiani francez Filip De Komini, i shekullit XVI-të, në linin e tij “Memories”, e krahason fushën e betejës me stratiotët shqiptarë “si fushë e mbushur me lulëkuqe”. Natyrisht, se është kuptimplotë të mendohet, se nga tërë detajet e atmosfera e mësipërme Onufri ynë ka huazuar diçka, që ka reflektuar në spektrin e ngjyrave të tij.

Po cilat janë ngjyrat e tjera karakteristike të cilat i ndeshim te Onufri? 
Përveç të kuqes Onufri përdor shpesh dhe ngjyrën okë, si dhe ngjyrën e portokalltë. Me to, ai pikturon shkëmbinjtë e stëralltë, shpellat, mjedisin peizazhor, të marrë nga pamjet e vendit të tij. Kjo kërkesë për peizazhet amtare është e lidhur me një përdorim të veshjeve popullore, etnografike për figurën e kultit. Nga mbishkrimet e shkruara prej vetë Onufrit mësojmë, se ai shënon datat, jo sipas kalendarit gregorian, por sipas kalendarit të vjetër “ që nga fillimi i botës”, shënon, se në krahinat e Shpatit ende është në përdorim një monedhë e vjetër e quajtur “Oblla”, ndonëse pushtimi osman kishte gati një shekull që shtrihej në viset shqiptare. Në mbishkrimet e tij të bëra në Kostur, ai pamend edhe “qytetin e shumëpëlqyer të Beratit”. Të duket se, Onufri ka huazuar epitet për qytetin, qendër të Shqipërisë së Mesme nga ndonjë varg poetik. Nga ky vështrim mësojmë qartë , se Onufri si artist në procesin e tin krijues reflekton një frymëzim të madh, një gjendje emocionale, ndikuese, të fuqishme, pra një ndjesi të përgjithshme poetike. 

Ku duket kjo?
Kujtoni si pikturon ai peizazhet shkëmbore, kreshtat e thepisura, okër dhe të portokalltë, të ngritur pranë njëri-tjetrit, trungje pemësh, një sopat, shporta të thurura mes tyre, pastaj dy-tre barinj onufrianë, akoma më të stërmotshme, në duar si një lloj parathënie figurative për imazhet e mëvonshme poetike të Naim Frashërit në poezinë “ Bagëti e bujqësi”. Në kompozimet e piktorit pranë shpellave, rrjedhin burimet e praruara, mbi lumë duken peshqit, gaforret, bota e nënujshme, sipër një sirene mitike mbi një delfin, figura e Poseidonit me trifurk, më sipër pëllumbi, rrëzë gurëve të thatë, tufa të imta rrezesh, që shpërthejnë nga thellësia. Sa bukur i pikturon delet, gomarin, shqiponjën! Diku në një afresk jep dhe figurën e një anije të kohës, një galerë, me direk e vela. Një imazh i detit, ndoshta i udhëtimeve të vetë Onufrit, i odiseadës së tij, për të cilën dimë për fat të keq shumë pak. Tradita antike te Onufri mbijeton deri te pikturimi i Hënës dhe i Diellit, përballë njëri-tjetrit, me fytyra njerëzore, si dhe të rërave të personalizuara me tipare antropomorfe. Pra, piktori nuk njeh vetëm artin kishtar, po dhe artin e madh antik.

A mund të flasim edhe për prirjet poetike të Onufrit?
Posi! Lidhja e Onufrit me poezinë është jo vetëm në frymën e përgjithshme të krijimeve, por dhe në mënyrën e drejtpërdrejtë. Ai e ka njohur poezinë e kultivuar dhe, jo rastësisht, në mbishkrimet e lëna nga piktori ka edhe citime vargjesh poetike. Në momentin e Shelcanit, Onufri ka shënuar me dorën e vet edhe këto vargje: 

“ Në shkëlqimet e shenjtorëve të tu
si do të hyj unë i pavyeri?!
Në guxofsha të hyj në nusërore
këmisha më tregon se s’është e dasmës.
I lidhur do të nxirrem jashtë prej engjëjve
. Spastro o zot ndyrësinë e shpirtit tonë
shpëtomë si i vetëm, i mëshirshëm, njeridashës”. 

Vetëkuptohet karakteri religjioz i vargjeve. Ajo, që ka rëndësi, është karakteri i brendshme metaforik, simbolik. Onufri për këto vargje bën fjalë për një purifikim, për një pastrim etnik, të paraqitur këtu me tema fetare. Po në Shelvcan Onufri shënon edhe mbishkrimin: “O zot, shpëtoje popullin tënd”. Mos të harrojmë: jemi në shekullin XVI-të, kur pushteti perandorak kërcënon vetë ekzistencën tonë si komb. Thirrja e Onufrit është drithëruese, e sinqertë, një aluzion për të mbijetuar. Është fjala pra, për popullin e tij, për shqiptarët. U drejtohet me një formë të njohur. Të mos harrojmë vërejtjen e tërë lëvizjet e mëdha të masave në mesjetë kanë përdorur parulla fetare, nën të cilat fshihnin interesat e mëdha laike, shoqërore, deri në Revolucionin Francez, kur më nuk qe e nevojshme kjo gjë. Po në monumentin e Shelcanit, Onufri ka shkruar me dorën e vetë edhe disa vargje nga psalmi i 24 i Davidit: 

“Ngrini dyert ju o krerët tanë
dhe lartohuni o dyer të përjetshme
Dhe do të hyj mbreti i lavdisë
zoti i fuqishëm dhe i fortë në luftë”.

Për çfarë lufte aludon Onufri, për çfarë triumfi? Këtu, përveç kuptimit biblik, ne duhet të shohim edhe një kuptim të dytë, që lidhet me situatën politike, të përshkënditur, të acaruar të kohës, me kryengritjet e revoltat popullore. Onufri është një bashkëkohës i denjë, ai nuk i zgjedh rastësisht fjalët. Në to, ka diçka drejtpërdrejtë të qenies, shpirtit, gjakut të tij. Diçka testamentare për gjeneratat, zëri i tij është fiksuar në autografet që na ka lënë. Shtojmë, se Onufri ishte një intelektual shumë i ditur, përderisa e mbiquan veten në një mbishkrim si “proto papë”- titull, ky i lartë intelektual i kishës, madje, jo vetëm i sferës së saj, por edhe i sferës laike, arsimore e shoqërore. Citimi i vargjeve poetike nga Onufri flet për një publik të gjallë, që e njihte këtë poezi të kultivuar në Shqipëri, në shekullin XVI, pra për një kulturë letraren edhe në një zonë të thellë malore, siç është zona e Shpatit të Elbasanit. –Ju faleminderit! 

Intervistoi: Fahri Musliu
“Rilindja”, Prishtinë 10.IV.1990 “
Sigal