Sigal

Dhimitër Pasko (Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë, 4 maj 1967) ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës, Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas. Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli nga Arta, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec , në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës. Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër – lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë i Pandit dhe i Polës mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.

Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si financier. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi, më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjetë vjetësh:«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtëzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.

Gjatë qendrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çërnëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:

“Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`… Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: – Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?

Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Ishte mobilizim i detyruar pasi jetonte dhe punonte në Rumani si shtetas rumun.

Pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Gjatë kësaj periudhe ai ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.

Mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t’ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Madje e bënë pjesë të Rojës së Hekurt, me të cilën Kuteli nuk kishte lidhje. Akuzë kjo që buronte nga rrethet letrare. I kërkuan që të hartonte një material për lëndën e folklorit për Institutin e Folklorit, ku do të angazhohej si pedagog. Përgjigjja nuk erdhi dhe sipas dëshmive Dh. Shutëriqi kishte thënë “nuk e duan sepse ka qenë pjesë e Rojës së Hekurt në Rumani”. Kuteli u kishte kthyer përgjigjen duke u dëftuar fotot ku kishin qenë të veshur me uniforma fashiste dhe sëpatat e Liktorit.

Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie tre muaj pasi kishte shkruar faqen e fundit të novelës “Tatë Tanushi”. Pasko u lirua nga burgu në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi dhe shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka. Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967.