Suplementi Pena Shqiptare/ Mitrush Kuteli: “Çast Lamtumire”

796
Sigal

“Çast Lamtumire”- Mitrush Kuteli

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qenies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtas
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqenies.

Ku janë ata që patën qenë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalëngadalë,
Si çdo qenie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekatar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherebelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qenë ëndrra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!